Kërko

Mesha e Papës Mesha e Papës 

Nesër në Shën Pjetër, Mesha e Papës në ritin zairian me bashkësinë kongoleze

Një festë e gëzueshme falënderimi, në përkim me vizitën e kardinalit Parolin në Republikën Demokratike të Kongos. Ati i Shenjtë na tregon afërsinë e tij - nënvizon kapelani Fr Adesengie - afërsinë dhe dashurinë për popullin e Kongos, qoftë edhe nga larg. Ngjall, kështu, shpresën për një ardhmëri paqeje dhe drejtësie në një rajon potencialisht të pasur, por të detyruar të jetojë në destabilitet të përhershëm dhe luftë të vazhdueshme.

R. SH. - Vatikan

“Entuziazëm dhe harmoni, nën shenjën e afërsisë që Papa po çon në Republikën Demokratike të Kongos nëpërmjet Sekretarit të Shtetit, kardinalit Parolin”. Kështu shprehet bashkësia kongoleze në Romë, e cila nesër, më 3 korrik, do të mblidhet në Bazilikën e Shën Pjetrit për Meshën zairiane, të kremtuar nga Françesku, ku pritet të marrin pjesë rreth 1500 persona.

Kongo, më 3 korrik, të gjitha dioqezat në lutje me Papën

 Nesër, në Vatikan, do të jenë të pranishëm në festën eukaristike në ritin Zairez diplomatët dhe miqtë e bashkësisë katolike kongoleze të Romës dhe të Italisë, një delegacion besimtarësh laikë nga Kinshasa dhe një përfaqësi e vogël besimtarësh nga Sudani i Jugut. Lajmin e dha kapelania romake, e udhëhequr nga At Sylvestre Adesengie, i cili flet për mobilizimin e madh dhe frymën e bashkimit, që u përjetua edhe më 1 dhjetor, tre vjet më parë, me rastin e  një kremtimi të ngjashëm.

Riti zairian dhe kori që këndon për vëllazërim

Riti zairian ka disa veçori, në krahasim me ritin romak: tipik i kulturës kongoleze, është miratuar nga hierarkia katolike. Struktura e kësaj liturgjie frymëzohet nga e ashtuquajtura “palabre” afrikane (pajtimi, pas një ballafaqimi me kryetarin e fshatit). Ndër të tjera, liturgjia fillon me thirrjen jo vetëm të shenjtorëve, por edhe të paraardhësve të klaneve të ndryshme dhe e gjithë festa karakterizohet nga lëvizje koreografike të trupit. Zakonisht theksohet një ndjenjë tipike afrikane solidariteti, e shprehur veçanërisht në ofrimin e dhuratave për të varfërit në altar. Festimi gjallërohet nga kori Bondeko, i cili zakonisht këndon në katër gjuhët kombëtare të Republikës Demokratike të Kongos (Lingala; Tshiluba; Suahili dhe Kikongo), pasuruar me një repertor klasik latin dhe italian. 'Bondeko' në Lingala, do të thotë 'vëllazëri'. E ky kor gjallëron edhe Festën e Popujve, që kremtohet çdo vit në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, si dhe hapjen e Sinodeve të Afrikës. Kori përbëhet nga rreth 30 këngëtarë.

02 korrik 2022, 15:52