Kërko

Kardinali Parolin  në prag të nisjes Kardinali Parolin në prag të nisjes  

Parolin: i nderuar, që çon afërsinë e Papës në Kongo dhe Sudan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u nis sot drejt Afrikës, ku do të përfaqësojë Papën, në pamundësi për ta kryer këtë udhëtim të shumëpritur. “Françesku i siguron të dyja popullsitë se do ta bëjë këtë udhëtim, sapo të krijohen kushtet” – thekson. Ndalesa në Kinshasa dhe pastaj në Juba.

R. SH. - Vatikan

“Është shtegtim i rëndësishëm, ndihem vërtet i nderuar që po shkoj si në Republikën Demokratike të Kongos, ashtu edhe në Sudanin e Jugut, që të çoj dashurinë e Papës për ato popullsi, së bashku me sigurinë se sapo ta lejojnë kushtet, veçanërisht ato shëndetësore, ai vetë do ta bëjë këtë shtegtim”. Këtë pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndërsa po nisej nga aeroporti parizian Charles de Gaulle drejt Kinshasës, kryeqytet i Republikës Demokratike të Kongos: faza e parë e udhëtimit, në Kongo, më 1-8 korrik,  e dyta, në Sudanin e Jugut.

Për të përfaqësuar Papën

Me valixhen e zezë plot letra, fjalime dhe predikime, e me zemrën plot shpresa për këtë mision delikat, kardinali do të vizitojë Kongon dhe Sudanin e Jugut, në emër të Papës, i cili më 11 qershorin e kaluar pohoi pamundësinë e realizimit të udhëtimit të 37-të apostolik në dy vendet afrikane, për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me këmbën e djathtë. Dhimbje e madhe - siç tha vetë Papa në lutjen e Engjëllit  të Tënzot - për një vizitë të dëshiruar prej vitesh, të cilën Françesku do ta kishte bërë në Sudanin e Jugut me Kryepeshkopin e Canterbury-t, Justin Welby, dhe moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Ian Greenshields.

Nxitja për besim

Papa u ka premtuar këtyre popullsive se do t’i takojë personalisht, për t’i “inkurajuar të ecin përpara në dëshminë e fesë së krishterë’ - pohoi kardinali Parolin për mediat e Vatikanit, që e shoqërojnë në këtë udhëtim jodiplomatik, por kryesisht baritor, pavarësisht takimeve me autoritetet.

Takime dhe vizita

“Qëllimi kryesor është kremtimi i dy meshëve, më 3 korrik në Kinshasa dhe më 7 korrik në Juba. Veç kësaj veprimtarie kryesore, nuncët parashikuan edhe takime të tjera, duke përfituar nga prania e Sekretarit të Shtetit në vend”. Ndërmjet tyre, në programin për Sudanin e Jugut, dy takime të rëndësishme: në kampin e të shpërngulurve në Bentiu dhe në një qendër për fëmijët me aftësi të kufizuara, në Usratuna. “Ne do të shkojmë t’u shprehim solidaritetin e Papës këtyre njerëzve, që jetojnë në kushte të tmerrshme. Më thanë se kampi është përmbytur prej kohësh... Do të ketë veprimtari të larmishme, që kanë të bëjnë me kategori të ndryshme njerëzish, por gjithmonë duke pasur parasysh për t’u çuar praninë, dashurinë dhe bekimin e Papës”- ​​nënvizon Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Mandati i Papës

Kardinali Parolin kujtoi edhe fjalët që i tha Françesku para nisjes: “Më tha se ishte shumë i kënaqur që unë do të shkoja për ta përfaqësuar, duke e ditur se popullata, pas zhgënjimit të parë nga lajmi i pamundësisë së tij për të udhëtuar, priste ankthshëm, në lutje të vazhdueshme për shëndetin e Atit të Shenjtë”. Papa - shton kardinali - më siguroi se nuk heq dorë nga dëshira për të shkuar personalisht, siç e kishte planifikuar në fillim”.

Programi

Më konkretisht, sipas programit të publikuar sot nga Sekretaria e Shtetit në Twitter @TerzaLoggia, nesër, më 2 korrik, kardinali do të takojë kryeministrin kongolez Jean-Michel Sama Lukande dhe do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve të Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Kongos me qeverinë.

Në program, takimi edhe me Presidentin e Republikës, Félix Tshisekedi. Më 3 korrik, kardinali do të kremtojë meshën para ndërtesës së Kuvendit, pikërisht aty, ku ishte planifikuar kremtimi i Papës. Më pas do të takohet me kongregatat fetare vendase.

Më 4 korrik, zhvendosja në Juba, në Sudanin e Jugut. Në kryeqytet Parolin do të bisedojë me Presidentin e Republikës, Salva Kiir Mayardit dhe me zëvendës-presidentin, Riek Machar. Më pas, takimi me ipeshkvijtë e vendit.

Më 5 korrik, Sekretari i Shtetit do të takohet me të shpërngulurit në kampin Bentiu, për të cilët do të kremtojë një meshë. Më pas, takimi me përfaqësuesit e OKB-së dhe guvernatorin.

Më 7 korrik, Parolin do të kremtojë meshën në parkun e mauzoleut John Garang. Më pas do të bekojë gurin e parë të Nunciaturës së re në Juba dhe do të takohet me priftërinjtë dhe rregulltarët. Në fund të udhëtimit, një vizitë në Universitetin Katolik dhe në Qendrën e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Usratuna.

Në datën 8, pasdite, nisja drejt Italisë. Arritja, më 9 korrik.

01 korrik 2022, 13:27