Kërko

Kardinali Sekretar i Shtetit, Pietro Parolin, në Kinshasa Kardinali Sekretar i Shtetit, Pietro Parolin, në Kinshasa  

RD Kongo, Parolin takohet me kryeministrin: “Ditë historike”

Pesë marrëveshjet, që përcaktojnë statusin ligjor të Kishës në fushat e shëndetësisë, financave, kujdesit baritor dhe angazhimit social, u nënshkruan dje në Kinshasa nga ministrat dhe nga presidenti i Cenco. Kardinali Parolin: “Gurthemeli i bashkëpunimit të ri, më paqësor e më frytdhënës të Kishës, me autoritetet civile”. Kardinali Ambongo: “Hap i pritur prej më shumë se gjashtë vjetësh"

R. SH. - Vatikan

Salvatore Cernuzio, nga Kinshasa

Kisha Katolike e Republikës Demokratike të Kongos, 2 korrikun 2022 do ta mbajë mend si  “ditë historike”. Mbrëmë, në Kinshasa, u nënshkruan marrëveshje ndërmjet Cenco-s (Konferenca Ipeshkvnore e RD të Kongos) dhe Qeverisë, të cilat njohin natyrën e Kishës, regjistruar deri tani nga shteti si shoqatë jofitimprurëse. Ceremonia u zhvillua në prani të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, menjëherë pas takimit privat, që zgjati një gjysmë ore, me kryeministrin Jean-Michel Sama Lukonde, në selinë e këtij të fundit.

Marrëveshja e vitit 2016 ndërmjet Vatikanit dhe RD të Kongos

Më konkretisht, me marrëveshjet e nënshkruara dje nga ministri i jashtëm, i shëndetësisë, drejtësisë, financave, arsimit të lartë dhe universiteteve, çështjeve vendore dhe nga kryetari i Cenco, imzot Marcel Utembi Tapa, zbatohet Marrëveshja Kuadër e nënshkruar nga Selia e Shenjtë dhe Republika Demokratike e Kongos më 20 maj 2016 për çështje me interes të përbashkët. Marrëveshja u nënshkrua në Vatikan nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, dhe Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kongos, Raymond Tshibanda N'Tungamulongo. Duke pasur parasysh pavarësinë dhe autonominë përkatëse të kishës dhe shtetit, krijoi kuadrin juridik të marrëdhënieve të ndërsjella dhe, në veçanti, sanksionoi pozitën juridike të Kishës Katolike në sferën civile dhe lirinë e saj në veprimtarinë apostolike dhe në rregullimin e çështjeve të kompetencës së vet.

Dekreti i Kryeministrit

E ratifikuar në vitin 2019, në fuqi në vitin 2020, Marrëveshja Kornizë nuk u zbatua asnjëherë plotësisht. Një dekret i qershorit të kaluar nga kryeministri Sama Lukonde kërkoi zbatimin e saj dhe, për pasojë, njohjen e Kishës si person juridik. Pas muaj e muaj negociatash dhe shpenzimi të konsiderueshëm energjish nga Cenco, Nunciatura Apostolike dhe ministritë, një komision i përzier hartoi më pas pesë marrëveshje specifike që rregullonin fushat e mësimit të fesë në shkolla, institucionet arsimore katolike, veprimtarinë e mirëqenies dhe bamirësisë së Kishës, kujdesin baritor në institucionet penitenciare dhe spitalore, regjimin e pasurisë dhe të taksave.

Parolin: “Fillim i një bashkëpunimi më intensiv”

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një ceremonie mjaft të ndjekur, në sallën e konferencave të Primaturës, seli e kryeministrit, e shoqëruar nga duartrokitjet dhe shkëmbimi i disa dhuratave. “Kjo fazë është manifestimi i gatishmërisë së presidentit për të shprehur nderimin ndaj vizitës suaj” i tha kryeministri kardinalit Parolin.

Sekretari i Shtetit i Vatikanit, nga ana e tij, theksoi se “Marrëveshja konsolidon partneritetin që ka bashkuar Kishën Katolike dhe autoritetet politike të këtij vendi për shekuj me radhë, në shërbim të të gjithë popullsisë”. “Interesi i Kishës, në këto marrëdhënie me autoritetet civile,   orientohet drejt bashkëpunimit për zhvillimin e gjithanshëm të të gjithë njerëzve, pa dallime etnike apo fetare, dhe mbi të gjitha, të më të varfërve dhe më nevojtarëve”- theksoi kardinali. Hirësia e Tij shpresonte se Marrëveshja Kornizë nuk do të përfaqësonte vetëm “fundin e një procesi të gjatë, por më tepër gurin e themelit të një bashkëpunimi të ri, më intensiv dhe të rregullt". Domethënë, “bashkëpunimin paqësor dhe të frytshëm të Kishës me autoritetet civile dhe njohjen e drejtë të kontributit të saj për të mirën e përbashkët”.

Kardinali Ambongo: “Që sot gjithçka është më e lehtë për ne”

Këtyre fjalëve u bën jehonë kryeipeshkvi i Kinshasës, kardinali Fridolin Ambongo Besungu, i cili në përfundim të ceremonisë e komentoi, në Vatican News,  këtë "ditë historike për Kishën Kongoleze", të pritur “prej më shumë se gjashtë vjetësh”. “Që sot çdo gjë do të na bëhet më e lehtë në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, në gjithçka që bëjmë për të varfrit, gjithë punën që kemi bërë prej vitesh. E duhet kujtuar se Kisha në Republikën Demokratike të Kongos bën mjaft për popullsinë: drejton pak a shumë 50% të shkollave, kryesisht shkollat ​​fillore dhe të mesme; në fushën e shëndetësisë ka 40% të objekteve shëndetësore. Megjithatë, deri më tani Kisha ishte e regjistruar si OJQ, organizatë joqeveritare. Por Kisha nuk është OJQ, nuk i ka njohur kurrë vetes këtë status”. “Marrëveshja – nënvizoi kardinali - i jep një shtysë të re. Nëse ne kemi punuar më parë, por askush, duke nisur nga ipeshkvi në dioqezën e tij, nuk e dinte se cilat ishin të drejtat dhe detyrat e Kishës ndaj qeverisë, që sot gjërat janë më të qarta. Dhe ne e dimë që e gjithë puna e bërë zhvillohet brenda një legjislacioni të njohur nga shteti”.

03 korrik 2022, 11:20