Kryebashkiaku i Betlehemit te Papa: gjëja më e rëndësishme, t'u japësh njerëzve shpresë
R. SH. – Vatikanit
Duke sjellë me vete shqetësimet e popullit të tij dhe një apel për paqe e shpresë në Tokën e Shenjtë, kryebashkiaku i ri i Betlehemit, Maher Nicola Canawati, takoi Papën dje, më 24 shtator, pas audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. "Në të vërtetë, letra e parë që shkrova kur u bëra kryebashkiak i Betlehemit ishte për Papën, sepse besojmë se nga këtu mund të bëhen shumë gjëra dhe mund të mbështesim popullin tonë", tregon Canawati në një intervistë me mediat e Vatikanit. "Gjëja më e rëndësishme është t'u japim shpresë njerëzve". Kryebashkiaku i ri i Betlehemit Canawati shpjegon se emigracioni vazhdon të zbrazë Betlehemin dhe qytetet e tjera palestineze, duke varfëruar Tokën e Shenjtë nga prania e saj e krishterë. "Njerëzit po largohen nga Betlehemi, po largohen nga Palestina për shkak të asaj që po ndodh", thekson ai, duke shtuar se vendbanimet rreth Betlehemit tani rivalizojnë me popullsinë e vetë qytetit, duke ushtruar një presion të fortë mbi burimet.
Takimi me Papën
Kryebashkiaku, i emëruar në maj, tregon se Leoni XIV i është përgjigjur kërkesës së tij për një takim. “Kam pasur kënaqësinë t'i shpjegoj Papës sa e rëndësishme është të ndërhyhet në atë që po ndodh në Palestinë, në Gaza, në Betlehem, dhe të ruhen gurët e gjallë të Tokës së Shenjtë, sepse Toka e Shenjtë pa gurët e gjallë është thjesht një muze”. “Para se të flas për Betlehemin, gjithmonë lutem", thotë ai. "Dhe kjo ishte fjalia e parë që i thashë Papës: të ndërhyjë për të ndalur këtë luftë, për të ndalur atë që po ndodh me popullin tonë në Gaza. Dhe besoj se kjo ishte prioriteti kryesor për të cilin folëm. Ai ishte dakord”.
Betlehemi dhe të krishterët nën presion
Maher Nicola Canawati përshkruan një pamje dramatike të jetës në Betlehem sot: "Qyteti më parë kishte 37 km². Tani, pas aneksimit, vendbanimeve dhe murit ndarës që ndau Betlehemin nga motra e saj dhe nga zemra e saj – Jeruzalemi – për herë të parë në histori, do të thotë se po përballemi me shumë probleme”, shpjegon ai. Më pas shpreh sërish shqetësimin për rënien e numrit të të krishterëve palestinezë në territore: “Aktualisht janë vetëm 168 mijë në Tokën e Shenjtë, ndërsa ka mbi 4 milionë të krishterë palestinezë në mbarë botën. Kjo, në vetvete, tregon sa shumë janë nën presion”.
Canawati thekson gjithashtu se, sipas ligjit, kryebashkiaku i Betlehemit duhet të jetë i krishterë. Kjo është një dispozitë e mbajtur nga udhëheqësit palestinezë "sepse duan të ruajnë komunitetin e krishterë, komunitetin më të vjetër të krishterë në botë që jeton në Betlehem, në Tokën e Shenjtë, në Palestinë". Megjithatë, shumë vazhdojnë të largohen. "Më thyhet zemra sa herë që dikush largohet nga Betlehemi"; në vitin e fundit, mbi një mijë të krishterë kanë marrë miratimin për "të emigruar në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera".
Rënia e turizmit dhe ekonomisë
Ekonomia e Betlehemit, e cila bazohet në mikpritjen dhe pritjen e shtegtarëve, është shkatërruar që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023. “Kemi regjistruar një rënie, një ulje të thellë deri në 0%. Të gjitha hotelet – 84 gjithsej – janë plotësisht të mbyllura. Dyqanet e suvenireve, punishtet që prodhojnë veprat e bukura në dru ulliri, sedef dhe bizhuteri tipike të Betlehemit janë të mbyllura. Plotësisht të mbyllura”, tregon kryebashkiaku. “Papunësia ka kaluar nga 14% në 65%, dhe, siç e dini, njerëzve u mohohet qasja në punë në zonat izraelite”. Më shumë se 120 mijë banorë të Betlehemit punonin jashtë qytetit: “Disa kishin kredi, dhe tani nuk kanë as bukë për të vënë në tryezë”.
Mungesa e ujit
Mungesa e ujit dhe kufizimet e lirisë së lëvizjes e rëndojnë më tej situatën, duke mbytur popullsinë. Kryebashkiaku raporton se uji racionohet, pasi palestinezëve në Betlehem nuk u lejohet të gërmojnë dhe të marrin nga burimet e tyre ujore: “Ne blejmë ujë nga izraelitët, dhe ata na shesin vetëm një të pestën e asaj që një person duhet të konsumojë në ditë”. “Disa zona të Betlehemit mbeten pa ujë për 50 ose 60 ditë”, ankohet Canawati. Dhe vëren se mbi 134 barriera dhe pika kontrolli – edhe brenda qytetit – pengojnë lirinë e lëvizjes, duke privuar njerëzit jo vetëm nga liria e tyre, por edhe nga mjetet për të siguruar familjet e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme.
Një thirrje për solidaritet dhe shpresë
Për kryebashkiakun e Betlehemit, ndjenja në rritje e solidaritetit që ka vënë re kohët e fundit në Itali dhe në vende të tjera bën vërtet diferencën: "Besoj se kjo u jep më shumë shpresë njerëzve, të dinë se dikush kujdeset për ne, se nuk na kanë harruar". Ai thekson se mbështetja e Patriarkanës Latine dhe klerit lokal është "shpresa më e mirë, për momentin, që po marrim në Betlehem". Sa i përket mënyrës se si komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë, Canawati bën thirrje për të mbështetur organizatat lokale: "Të mbështesim popullsinë që të mos emigrojë. Kjo është gjëja më e rëndësishme që po përpiqemi të bëjmë tani".