Më 10 tetor kalendari kujton shën Daniel Kombonin dhe shokët martirë

Themeluesi i Kongregatës sё Misionarëve Kombonianë të Zemrës së Krishtit, shën Daniel Komboni, i mbrojti të fundmit, të braktisurit, të mënjanuarit e shoqёrisё. Në qytetin e Khartumit, në Sudan, shën Daniel Komboni, ipeshkëv, themeloi Institutin e Misioneve Afrikane dhe punoi pa u lodhur e pa i kursyer energjitë në predikimin e Ungjillit e në kujdesin për dinjitetin e njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Shën Daniele Comboni, një dritë e Ungjillit në zemrën e Afrikës.

Ungjilli është burim çlirimi, sepse tregon rrugën për t'u bërë vërtet njerëz, në dinjitetin e plotë si qenie njerëzore. Megjithatë, në histori shumë kanë kërkuar ta bëjnë atë një mjet për të nënshtruar dhe "kolonizuar". Për Afrikën, ka shumë dëshmitarë të fesë që kanë luftuar për ta bërë Fjalën e Zotit një rrënjë dinjiteti mes popullsive të shfrytëzuara dhe të reduktuara shumë herë në skllavëri. Pikërisht në këtë perspektivë jetoi dhe veproi Shën Daniele Comboni, një atë i vërtet feje për Afrikën, sepse ai mbrojti të fundmit, të braktisurit, të mënjanuarit.

I lindur në vitin 1831 në Limone del Garda, Itali, në vitin 1857, tre vjet pasi u bë meshtar, Comboni u nis për në Sudan së bashku me pesë shokë tjerë: ky mision i parë dështoi për shkak të papërvojës së misionarëve, por edhe për shkak të kundërshtimit të ashpër të tregtarëve të skllevërve. Shën Daniele Comboni filloi të mendonte për një projekt të madh ungjillëzimi për Afrikën, nga i cili lindi familja rregulltare komboniane (Etërit kombonianë të themeluar në vitin 1867, Nënat e Përshpirtshme të Nigrizias në vitin 1872). Në vitin 1867 Daniele Comboni u nis përsëri në mision, duke vendosur bazën e tij në Kajro dhe filloi të punonte jo vetëm për të sjellë Ungjillin, por edhe për të ofruar arsim dhe emancipim për studentët me ngjyrë, të udhëhequr nga mësues me ngjyrë. Themelues i revistës «Nigrizia», vdiq në vitin 1881 në Khartum. U shpall i lumtur në vitin 1996, u kanonizua në Romë nga Gjon Pali II më 5 tetor 2003.

10 tetor 2025, 09:43