Shenjtorët e javës 16 - 23 nëntor
R.SH. - Vatikan
E diel, 16 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 33-të gjatë vitit Kishtar, ciklit tё tretё, sipas kalendarit liturgjik, e po më 16 kalendari kishtar përkujton shën Margeritën e Skocisë, shën Gjeltruden, virgjër benediktine e shën Anjezën e Asizit, motrën e shën Kjarës, virgjër.
Viti liturgjik po i afrohet fundit dhe udhëtimi ynë do të rifillojë me kohën e Ardhjes, fillimin e një viti të ri i liturgjisë kishtare. Ja pra, jemi në soditje të realiteteve të fundit, drejt të cilave shkon pritja jonë: Zoti Jezus do të shfaqet në lavdi si Ai që vjen. Është vetë Jezusi që në fund të ditëve të tij tokësore, para mundimeve dhe vdekjes së tij mbi kryq, ndërsa ndodhet në Jeruzalem për kremtimin e Pashkëve, përballë tempullit, i nxitur nga një pyetje e dishepujve të tij, përshkruan "ditën e Zotit" (jom 'Adonaj) si ditën e ardhjes së tij.
Nga leximet biblike të kësaj së diele të 33të gjatë vitit kishtar, shpallet profecia e shkatërrimit të Jeruzalemit në perspektivën e kohëve të fundit. Në perëndimin e botës dhe të historisë së saj, ajo që ka rëndësi është qëndresa në fe, na thotë Jezusi në Ungjillin e Lukës (Lk 21, 5-19): "Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj". Të jesh i qëndrueshëm në fe do të thotë të jesh i fortë dhe i palëkundur në qëllimet e tua të mira, pa u dorëzuar përballë pengesave, vështirësive apo shkurajimit. Ky angazhim i përditshëm dhe i vazhdueshëm është thelbësor në krishterim për të arritur shpëtimin dhe rritjen shpirtërore.
Të hënën më 17 nëntor, kalendari kujton shën Elizabetën e Hungarisë, terciare françeskane dhe shën Ilden.
Të martën më 18 nëntor, kalendari kishtar kujton përvjetorin e Shugurimit të Bazilikës së shën Pjetrit në Vatikani (1626) dhe të Bazilikës së Shën Palit (1854) në Romë.
Të mërkurën më 19 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Barlaamin e Antiokisë, martir, e shën Matildën e Heftës.
Të enjten më 20 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Simonin, oshënar, shën Barlaamin dhe shën Edmondin, martir, pajtor qiellor i Anglisë.
Të premten 21 nëntor, kalendari kishtar kujton festën e Paraqitjes të së Lumes Mari Virgjër në Tempull. Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj. Ky përkujtim ka rëndësi ekumenike, sepse misteri i paraqitjes së Zojës në tempull ka gjetur jehonë të gjerë në botën ortodokse.
Të shtunën më 22 nëntor, më kalendari kishtar përkujton shën Çeçilien, virgjër e martire.
Të dielën e ardhshme më 23 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. Gjithnjë më 23 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Klementit I, papë e martir, shën Kolombianin, abat e shën Feliçetën, martire.