Universiteti Gregorian: e ardhmja e dialogut 60 vjet pas Nostra Aetate
R.SH. - Vatikan
Përfaqësues të shquar të institucioneve shkencore nga bota e krishterë, islame, hindu dhe judaike morën pjesë në takimin "Drejt së Ardhmes. Rimendimi i Nostra Aetate Sot", konferencë tre-ditore e mbajtur në Universitetin Papnor Gregoriana, në Romë, si pjesë e kremtimeve për 60-vjetorin e Deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra Aetate. "Si do të shkruhej Nostra Aetate sot?" ishte një nga pyetjet që u priu diskutimeve të pjesëmarrësve, të cilat u përqendruan në rëndësinë e dokumentit në një kontekst të ndryshëm historik dhe në një botë me shumë kompleksitete dhe pluralizëm fetar. Traditat fetare, të cilat dikur konsideroheshin të dorës së dytë, fituan rëndësi më të madhe dhe u ndeshën me sfida krejtësisht të reja. E edhe perspektiva të reja dolën në horizontin e modernitetit, theksuan të pranishmit.
Nostra Aetate sot
Konferenca në Universitetin Gregoriana në Romë u organizua nga Qendra për Studime Ndërfetare dhe Qendra Kardinal Bea e Universitetit Gregorian, nën patronazhin e Dikasterit t[ Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, Komisionit për Marrëdhënie Fetare me Hebrenjtë (CRRE) dhe Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë. Konferenca u hap nga Rektori i Universitetit Gregorian, Atë Mark Lewis, SJ; fjalimet u pasuan nga Kardinalët George Jacob Koovakad, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialog Ndërfetar dhe Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterëve. Me ta, edhe Profesor Elias El Halabi, moderator i Grupit të Referencës për Dialogun Ndërfetar të Këshillit Botëror të Kishave.
Dialogu është i nevojshëm në çastet më të vështira.
Gjatë seancave të para, u diskutua ndikimi i traditave të ndryshme fetare mbi draftin përfundimtar të Nostra Aetate. Reflektimet u ndanë, ndër të tjerë, nga Yon Seng Yeath, rektor i Universitetit Budist Preah Sihanouk Raja në Phnom Penh; Lejla Demiri, e Qendrës për Teologji Islame në Universitetin e Tübingen; dhe Rabbi Noam Marans i Komitetit Amerikan Hebraik. Të pranishëm në Gregorian ishin përfaqësues hebrenj, ndërmjet të cilëve, Rabbi Abraham Cooper të Qendrës Simon Wiesenthal, dhe disa përfaqësues të besimeve të krishtera.
Rabini Marans në Gregoriana
Siç shpjegoi për mediat e Vatikanit Imzot Flavio Pace, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve, qëllimi ishte të ripërcaktohej Nostra Aetate jo aq shumë për të ndryshuar të menduarit, por për të rishqyrtuar procesin e reflektimit që çoi në krijimin e tij. "Nuk mund të mos e transmetojmë dhuratën që na u dhurua. Dimensioni i dialogut, i rrënjosur thellë në traditën judeo-kristiane, na kujton nevojën për të qenë përsëri bashkë", tha imzot Pace. "Disa mendonin se për shkak të dhunës dhe luftërave, gjithçka duhej ndaluar. Në të vërtetë, pikërisht në çastet më të vështira lindin tensione ose interpretime të ndryshme, që na afrojnë përsëri me njëri-tjetrin e na nxisim të kërkojmë mirëkuptim, të dëgjojmë thellë dhe ta ringjallim këtë vepër, e cila ishte vërtet revolucionare sepse e ndryshoi plotësisht paradigmën e qasjes dhe vetëdijes së Krishterimit në rrënjët dhe zhvillimin e tij, si dhe në marrëdhëniet e tij me botën dhe me besimtarët e feve të tjera, duke filluar, megjithatë, nga rrënjët që Krishterimi njeh në Judaizëm.
Shenjat teologjike të kohëve
Nga ana e tij, Atë Pino Di Luccio SJ, president i Collegium Maximum të Universitetit Gregorian, u shprehu përsëri mediave të Vatikanit besimin e tij se, falë reflektimit të nisur ditët e fundit, do të jetë edhe një kontribut të rëndësishëm në teologji.
"Ai do të na lejojë të lexojmë shenjat e kohës me një thellësi edhe më të madhe dhe sigurisht që do të japë një kontribut të rëndësishëm në dialogun ndërfetar, i cili do të zhvillohet me fokus në kuptimin e tjetrit. E do të japë një kontribut tjetër të rëndësishëm në ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës së kombeve”, vazhdoi jezuiti.
"Është dhuratë fantastike"
Rabbini Noam Marans, drejtor i çështjeve ndërkombëtare për Komitetin Amerikan Hebraik, i cili mori pjesë në konferencë, pohoi se ishte i kënaqur që ndodhej në Romë këto ditë: jo vetëm për konferencën, por edhe për takimet me Papën Leoni.
"Është dhuratë të jesh këtu, në Romë dhe në Vatikan, mes kaq shumë festimeve, përkujtimeve dhe reflektimeve të ndryshme mbi Nostra Aetate" - tha ai. "Jemi veçanërisht mirënjohës që Papa, si në ngjarjen kushtuar Nostra Aetate ashtu edhe gjatë audiencës së përgjithshme, theksoi shumë qartë gjenezën e Nostra Aetate, marrëdhënien e saj me popullin hebre. Si ai, ashtu edhe Kardinali Koch, deklaruan gjithashtu qartë dhe pa mëdyshje se antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë dhe Kisha e kundërshton atë me gjithë vetveten, me çdo fibër të qenies së saj".
Shiko përtej dhe ndërto paqen
"Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, e në veçanti duhet theksuar fakti se nuk është e rastit në universitetin tonë", shtoi Di Luccio. Universiteti ynë i trajton këto çështje çdo ditë: dialogun, kërkimin e mënyrave për të ndërtuar paqen. E i edukon njerëzit të angazhohen në dialog me të tjerët, me ata që janë të ndryshëm, për të ndërtuar paqen dhe, siç thotë Papa Leoni XIV, me një shikim që di të shkojë përtej”.