Në foto: Zarqa Yaftali, fituese e çmimit Zayed për vitin 2026. Në foto: Zarqa Yaftali, fituese e çmimit Zayed për vitin 2026.

Çmimi Zayed 2026 i jepet marrëveshjes së paqes ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit

Përveç marrëveshjes ndërmjet dy vendeve të Kaukazit, njihet edhe angazhimi i Zarqa Yaftali-t, kampione e arsimimit të vajzave në Afganistan. Çmimet do të dorëzohen më 4 shkurt në Abu Dhabi nga Komisioni Ndërkombëtar i Çmimit për Vëllazërinë Njerëzore, i themeluar në vitin 2019.

R. SH. Vatikan

Fituesit e Çmimit Zayed për Vëllazërinë Njerëzore 2026 u shpallën sot, më 19 janar. Një deklaratë për shtyp njoftoi se çmimet do t’u jepen fituesve më 4 shkurt, Ditën Ndërkombëtare të Vëllazërisë Njerëzore, në memorialin e themeluesit në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Këta fitues do të përfaqësohen nga delegatët e Republikës së Armenisë dhe Republikës së Azerbajxhanit, të cilët nënshkruan marrëveshjen e paqes midis dy vendeve më 8 gusht 2025, në Uashington, Shtetet e Bashkuara. Çmimi i lartë do t’i jepet edhe Zarqa Yaftali-t, luftëtare e arsimimit të vajzave afgane. Kjo ishte hera e parë që Komisioni Ndërkombëtar u dha çmime personave nga Kaukazi dhe Afganistani.

Këtij komisioni iu pat drejtuar edhe Papa Leoni XIV më 11 dhjetor 2025 kur i pat kërkuar që «në këtë kohë përçarjesh, le të dëshmojmë vëllazërinë.» Në atë rast, duke iu drejtuar anëtarëve të komisionit të Çmimit Zayed për Vëllazërinë Njerëzore 2026, Leoni XIV nxiste çdo besim fetar të promovojë bashkimin sepse «duhet të ecim me botën» - thoshte Ati i Shenjtë Prevost.

Paqja, një udhëtim i vazhdueshëm

Vendimi për dhënien e çmimit marrëveshjes ndërmjet dy vendeve kaukaziane është njohje e «procesit të paqes, dialogut, normalizimit dhe zgjidhjeje të konflikteve», thuhet në deklaratë, «duke nënvizuar se pajtimi nuk është një akt i vetëm, por një udhëtim i vazhdueshëm». Kjo marrëveshje rrjedh nga «një vendim historik i udhëhequr nga një lidership largpamës që synon t'u japë fund viteve të konfliktit dhe vuajtjeve humanitare në Kaukaz». Për kryeministrin e Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan, «është një nder i madh» të marrë këtë njohje për përpjekjet e tij për të mbështetur «këtë marrëveshje historike».

Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e përsëriti këtë ndjenjë, duke vënë në dukje se çmimi është veçanërisht i rëndësishëm sepse mban emrin e të ndjerit Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, themelues i Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe gjithashtu gëzon mbështetjen e Papa Leonit XIV dhe Ahmed Al-Tayeb, Imamit të madh të Al-Azharit.

Për gratë e reja afgane

Deklarata e përshkruan Zarqa Yaftalin si «një grua të guximshme që ia ka kushtuar tërë jetën e saj mbrojtjes të së drejtës për arsim për gratë dhe fëmijët», duke ofruar burime, mbështetje psikologjike e shoqërore dhe shërbime për mbi 100,000 vetë në Afganistan, duke u dhënë shpresë grave të reja që jetojnë në vende të vështira. Zarqa Yaftali u prek thellësisht nga lajmi se ka fituar çmimin, i cili është «një mesazh të fortë dhe kuptimplotë» për gratë afgane, sepse ngjallë shpresë dhe guxim, veçanërisht në mesin e studenteve në shkollat ​​online dhe grave të reja të regjistruara në kurse paqeje, sigurie dhe lidershipi.

Një çmim për kulturën e dialogut dhe të bashkëjetesës

Fituesit zgjidhen nga një komision i pavarur gjykues ndërkombëtar, ndër anëtarët e të cilit bëjnë pjesë edhe kardinali José Tolentino de Mendonça, Prefekt i Dikasterit për Kulturë dhe Arsim. Sekretari i Përgjithshëm i Çmimit Zayed, gjyqtari Mohamed Abdelsalam, theksoi se zgjedhja për t'i dhënë çmimin Armenisë dhe Azerbajxhanit «mishëron misionin dhe objektivat e çmimit». Dhënia e këtij çmimi «do të promovojë dhe do të nxisë një kulturë dialogu dhe bashkëjetese», sepse i jep fund gati katër dhjetëvjeçarëve luftë në Kaukaz, «duke hedhur një themel të fortë për një të ardhme të përbashkët dhe më të sigurt për të dy popujt».

Catherine Russell, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF-it, deklaroi se Komisioni zgjodhi Zarqa Yaftali-n posaçërisht për punën e saj për nxitjen e emancipimit të grave në një vend ku sfidat janë të mëdha. Saida Mirziyoyeva, drejtoreshë e administratës së Presidentit të Republikës së Uzbekistanit, deklaroi se përzgjedhja e laureatëve të vitit 2026 është një shprehje e angazhimit moral të përbotshëm ndaj parimeve të paqes dhe dinjitetit njerëzor dhe i dërgon bashkësisë ndërkombëtare një mesazh të ri shprese. Frymëzuar nga nënshkrimi i Dokumentit mbi Vëllazërinë Njerëzore nga Papa Françesku dhe Ahmed Al-Tayeb, Imami i madh i Al-Azharit, në Abu Dhabi në vitin 2019, dhe duke vazhduar trashëgiminë e Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Çmimi Zayed nderon individë dhe organizata që dallohen për kontributet e tyre në ndërtimin e një bote më paqësore, harmonike dhe më të dhembshur, bazuar në vlerat e vëllazërisë njerëzore. Që nga viti 2019, çmimi u është dhënë 19 laureatëve nga 19 vende.

19 janar 2026, 14:52