Raketat dhe dronët rusë godasin ndërtesat në Kiev Raketat dhe dronët rusë godasin ndërtesat në Kiev

Gjendje emergjente e ftohtë në Ukrainë për shkak të sulmeve ruse. Caritasi: “Çdo ditë, luftë për jetën”

Valentyn Bebik, drejtor i departamentit për shpërndarjen e ndihmës humanitare, përshkruan punën e Karitasit Katolik Grek në vendin e goditur nga sulme masive. Kjo përfshin ndihmën për komunitetet pranë frontit dhe për ata që përpiqen të gjejnë strehim dhe ushqime të ngrohta. Më pas thekson rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar: "Ndihma nuk është kurrë e mjaftueshme. Ka njerëz që janë të përkushtuar për të qëndruar të gjallë dhe për të ruajtur ekuilibrin e tyre të brendshëm, që t’i ndihmojnë të

R.SH. / Vatikan

Natën e 8-9 janarit, forcat ruse kryen përsëri bastisje masive bombardimi në Ukrainë, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe shtëpitë. Pas sulmit në Kiev, katër vetë vdiqën dhe të paktën 26 u plagosën. Gjysma e apartamenteve të kryeqytetit, afërsisht 6.000 ndërtesa, mbetën pa ngrohje për shkak të dëmeve të shkaktuara nga sulmi. Ngrohja mund të rikthehet në disa shtëpi deri në fund të ditës. Ndodhën disa ndërprerje të furnizimit me ujë. Infrastruktura kritike u prek edhe në rajonin e Lvivit. Parashikuesit e motit flasin për rënie të mëtejshme të temperaturave ditët në vijim. Temperaturat në Kiev pritet të jenë ndërmjet -11°C dhe -17°C. Në dritën e këtyre kushteve, kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Vitaly Klychko, u kërkoi banorëve "që janë në gjendje ta bëjnë këtë, të largohen përkohësisht nga qyteti ku ka në dispozicion burime alternative të energjisë dhe të ngrohjes".

Emergjenca e të ftohtit në Ukrainë filloi në vjeshtë e, me ardhjen e dimrit, edhe bombardimet e vazhdueshme ruse. U bë sfidë e madhe: shumë njerëz jetojnë pa ngrohje, shpesh afër vijës së frontit, e mbijetesa po bëhet luftë e përditshme, thotë Valentin Bebik, drejtor i departamentit të shpërndarjes së ndihmës humanitare në Caritas Ukrainë. Në një intervistë me median e Vatikanit, foli për vështirësitë të cilat përballohen nga më të ligshtit, për rëndësinë e ndihmës humanitare dhe solidaritetin ndërkombëtar, duke theksuar angazhimin e anëtarëve të stafit të Caritasit të Kishës Katolike Greko-Ukrainase në terren.

Cilat janë fushat kryesore ku po e drejtoni aktualisht ndihmën humanitare?

Përparësia e ndihmës humanitare është aktualisht emergjenca e motit të ftohtë. Puna filloi në vjeshtë, me planifikimin e projektit dhe mbledhjen e fondeve. Bashkësitë që jetojnë 30 kilometra larg nga vija e frontit, morën furnizime me ngrohje ose mbështetje financiare, për t'i blerë ato. Çka na shqetëson tani, janë nevojat që rrjedhin nga kriza energjetike e shkaktuar nga bombardimet: ne po shpërndajmë banka energjie dhe stacione të vogla karikimi, përveç ndihmës së rregullt. Zonat më të afërta me frontin mbeten shtëpitë e popullatave të ligshta. Në të njëjtën kohë, po mbështesim evakuimet nga zonat më të rrezikshme. Njerëzit mirëpriten në qendrat e tranzitit dhe më pas transferohen në qendra të përkohshme pritjeje. Ne vazhdojmë të ofrojmë ndihmë për rajonet që konsiderohen më të sigurta, megjithëse sulmi i sotëm në Lviv, i vendosur në pjesën perëndimore të vendit, tregon se asnjë zonë nuk është e paprekëshme nga rreziku i ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Kjo është arsyeja pse Caritasi i Ukrainës vepron në të gjithë vendin, duke i përshtatur ndërhyrjet e tij në vise të ndryshme.

Si i monitoroni nevojat e njerëzve në një territor kaq të gjerë dhe në kushte kaq sfiduese?

Caritasi është pjesë e Kishës, thellësisht i integruar në bashkësitë vendase. Ne nuk kemi rrjet të përhapur, si në vendet e tjera, si Polonia apo Gjermania, por Caritas-et dioqezane dhe famullitare veprojnë në çdo rajon, duke ofruar ndihmë dhe duke kuptuar nevojat e njerëzve. Kur lind një situatë krize, komunikimi me këto organizata është i menjëhershëm: ne marrim informacion të drejtpërdrejtë nga priftërinjtë përgjegjës dhe, bazuar në këto të dhëna, planifikojmë reagimin tonë. Ndonjëherë ndërhyrja është shumë e shpejtë, herë të tjera zgjat më shumë, veçanërisht kur përballemi me emergjenca në shkallë të gjerë.

Ndihma humanitare që mbërrin në Ukrainë është zvogëluar që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë. A keni burime të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e njerëzve?

Caritasi është pjesë e një bashkësie ndërkombëtare, që ndihmon Ukrainën me fonde private dhe publike. Megjithatë, këto fonde nuk janë kurrë të mjaftueshme. Një nga detyrat tona të vogla, por të rëndësishme, është t'i ndihmojmë punonjësit tanë të pranojnë se nuk mund t'i ndihmojmë të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne përqendrohemi në segmentet më të prekshme të popullsisë, duke mos përjashtuar askënd, por duke i drejtuar burimet pikërisht atje ku nevojiten më shumë. Për shembull, me krizën e vazhdueshme energjetike, bombardimet e fundit kanë lënë pa energji elektrike qytetet e mëdha si Zaporizhzhia e Dnipro, duke goditur spitalet e duke përfshirë edhe terapitë intensive. E dimë se më të ligshtit, si fëmijët e vegjël ose të sëmurët, kanë më shumë nevojë për ndihmë. Në këto rrethana, burimet nuk mjaftojnë e mund të mos mjaftojë kurrë  gjithçka na duhet, sepse sa më e gjatë të vijojë lufta, aq më shumë shtohet numri i njerëzve të ligshtuar nga një atmosferë e tillë e pafundme!

10 janar 2026, 15:16