Në foto: Takimi i Papës Leoni XIV me Komisionerin e Lartë të UNHCR-së, z. Barham Salih Në foto: Takimi i Papës Leoni XIV me Komisionerin e Lartë të UNHCR-së, z. Barham Salih

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët: Kisha, partner i rëndësishëm për ndihmën e refugjatëve

Barham Salih, komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, flet për agjencinë e lajmeve «Vatican News» rreth takimit të tij me Papa Leoni XIV dhe sfidave me të cilat përballet organizata për ndihmën e refugjatëve në të gjithë globin.

R.Sh. Vatikan

Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR, raportoi se, qysh prej mesit të vitit 2025, 117.3 milionë njerëz në gjithë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, dhunës, persekutimit ose shkaqeve të tjera, dhe ndër ta, refugjatët ishin gati 42.5 milionë.

Papa Leoni XIV – ashtu si paraardhësit e tij para tij – ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e Kishës për migrantët dhe refugjatët dhe i ka kërkuar botës të mos heshtë përballë kësaj çështjeje.

Të hënën, më 26 janar 2026, Papa u takua në Vatikan me Barham Salih, komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe ish-president i Irakut nga viti 2018 deri në vitin 2022. Komisioneri Salih ka qenë ai vetë refugjat dhe që nga 1 janari 2026 është caktuar në këtë rol të ri në Agjencinë e OKB-së për Refugjatët.

Në një intervistë me «Vatican News», Komisioneri i Lartë i OKB-së flet për takimin e tij me Papa Leonin XIV dhe shpjegon sfidat e ndryshme me të cilat përballet UNHCR-ja në punën e saj sot, pasi shumë refugjatë përpiqen të dalin nga gjendja e rëndë e shpërnguljes ku kanë rënë ndërsa organizatat humanitare kanë vështirësi përsa i përket mjeteve financiare.

Si ishte takimi juaj këtë mëngjes me Papa Leoni XIV?

Ishte vërtet një nder i madh për mua të takoja Shenjtërinë e Tij. Kam dashur shumë që të zhvillohej kjo audiencë qysh në fillim të mandatit tim. Jam në këtë post, si komisioner i Lartë për Refugjatët vetëm, tash më pak se katër javë, kështu që qe një mundësi e shkëlqyer për mua të flisja me Shenjtërinë e Tij për gjendjen e vështirë të refugjatëve.

Jam i kënaqur për mbështetjen e tij të palëkundur për refugjatët në të gjithë botën dhe autoriteti i tij moral ka vërtet rëndësi. Mbështetja e tij për atë që bëjmë në Agjencinë e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) është tepër e rëndësishme. Ne theksojmë nevojën për partneritetin tonë me Kishën dhe me organizatat fetare, ndërsa përpiqemi të përmbushim mandatin tonë për të ndihmuar refugjatët në të gjithë botën.

Zëri i Papës dhe autoriteti i tij moral janë të rëndësishëm. Ne e konsiderojmë këtë një partneritet dhe aset të rëndësishëm në të cilin mbështetemi, ndërsa veprojmë për të përmbushur mandatin tonë për të ndihmuar refugjatët në mbarë botën.

Ju morët detyrën më 1 janar. Cilat janë përparësitë e mandatit tuaj?

Po, u caktova në këtë post në një kohë sfidash të mëdha: nivele të papara shpërnguljesh, në një kohë të tkurrjes së hapësirës humanitare dhe burimeve të kufizuara në dispozicion për t'u përballur me këtë shkallë ku ka arritur kjo çështje.

Përparësia ime do të jetë përqendrimi për të ofruar sa më shumë burime financiare për nevojat e refugjatëve në të gjithë botën, por në të njëjtën kohë për të përmbushur vërtet detyrën tonë. Kjo do të thotë mbrojtje për refugjatët, ndihmë e menjëhershme për të shpëtuar jetët e njerëzve në nevojë të madhe, por edhe punë e madhe për zgjidhje të qëndrueshme.

Nuk është bukur të shohësh kaq shumë refugjatë që janë të dënuar «me shpërngulje» tash pesë vjet apo më shumë, ndonjëherë dhjetë ose edhe njëzet vjet. Këta njerëz janë të bllokuar në kampe dhe varen nga ndihma humanitare ndërkombëtare. Kjo është e papranueshme! Ne, përnjëmend që duhet ta kapërcejmë këtë gjendje dhe të gjejmë zgjidhje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Javën e kaluar isha në Çad dhe Kenia ku takova refugjatë që kanë qenë në disa nga këto kampe për rreth 25 vitet e fundit, që nga viti 2003, dhe të tjerë po mbërrinin ndërsa isha aty. Kjo na tregon se duhet të bëjmë më shumë për njerëzit që janë të dënuar të jetojnë si të shpërngulur në pafundësi.

Bëhet fjalë për diçka që Agjencia e OKB-së për Refugjatët nuk mund ta bëjë vetëm. Kërkon një përpjekje më të gjerë, bashkë me agjencitë e tjera të OKB-së, por edhe me vendet pritëse dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe bankat e zhvillimit. Në këtë mënyrë, ne mund të krijojmë kushte që këto vende pritëse të strehojnë refugjatë dhe t'i përfshijnë ata në jetën e tyre si kontribues në vend, që të mos varen vetëm nga ndihma humanitare.

Vende si Kenia, Etiopia, Uganda dhe Çadi po miratojnë politika dhe strehim më gjithëpërfshirës për refugjatët, duke i lejuar ata të hyjnë në sistemin e tyre kombëtar, shërbimet shëndetësore, sistemin arsimor, tregjet e punës, në shërbimet juridike dhe shërbimet financiare.

Kjo strategji duhet të inkurajohet nëpërmjet ndihmës për zhvillim në mënyrë që të bëhet e dobishme për vendet pritëse dhe gjithashtu të lejojë përfshirjen e refugjatëve në jetën e vendit, ​​sepse në fund të fundit, refugjatët nuk janë vetëm numra. Ata janë njerëz me veprim. Ata meritojnë dinjitet. Ata meritojnë mbrojtje.

Si po i përgjigjet Agjencia e Refugjatëve emergjencave të tashme në të gjithë botën, duke pasur parasysh shkurtimet dramatike të fondeve të muajve të fundit, kryesisht për shkak të reduktimit të ndihmës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Çfarë ndikimi do të ketë kjo gjë në muajt në vijim?

Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë caktuar 2 miliardë dollarë ndihmë për fondin e përbashkët në Kombet e Bashkuara me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare (OCHA). Ky vendim është mirëpritur dhe ne shpresojmë për ndihmë tjetër si kjo që mund të na jepet.

Por, padyshim, duke pasur parasysh shkallën e problemit, burimet në dispozicion janë shumë të kufizuara. Duhet të organizojmë një fushatë shumë më të fuqishm për të grumbulluar më shumë fonde. Në fund të fundit, ndihma për gjendjen e vështirë të refugjatëve është një përgjegjësi kolektive ndërkombëtare. Nëse shikoni shifrat, janë vërtet tronditëse dhe nevojat janë të vërteta, kështu që na duhen më shumë fonde, pa dyshim.

Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të përshtatemi më shumë. Ne duhet të përmirësojmë planin tonë të reformave dhe të krijojmë më shumë efikasitet në mënyrë që ndihma që jepet të arrijë vërtet tek njerëzit për të cilët është menduar.

Ne tashmë – së bashku me agjencitë e tjera të OKB-së – jemi të angazhuar në disa nga këto nisma reformash dhe efikasiteti, për t'u siguruar që sistemi ndërkombëtar i ndihmës të jetë shumë më i përgjegjshëm dhe shumë më efektiv nga ana e kostos.

Numri i refugjatëve dhe i atyre që janë shpërngulur është vazhdimisht në rritje dhe ka arritur në një numër rekord njerëzish që ikin nga konflikti, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krizat klimatike. Është një prirje në rritje dhe nuk duket se ndonjë gjë mund ta ndalojë atë... Cilat janë çështjet më të ngutshme për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët në këtë moment, dhe cilat janë nevojat më urgjente?

Nëse dikush shkon në vendet përqark Sudanit dhe shikon fluksin e refugjatëve, vëren se padyshim ka nevoja të ngutshme. Nëse dikush flet për situatën në Republikën Demokratike të Kongos, prap, edhe aty ka nevojë të ngutshme.

Nëse dikush tjetër flet për Venezuelën dhe gjendjen atje, edhe aty ka nevojë të ngutshme. Nëse dikush shikon Rohingya-t, – grup i besimit mysliman –  shumë prej të cilëve jetojnë në kampe dhe gjenden kështu tash njëzet vjet, nuk mund të mos e klasifikojë dhe ta kategorizojë këtë si nevojë të ngutshme. Është diçka tepër e vështirë të thuash se ku ka nevojë të ngutshme!

Ndërsa përqendrohemi te nevojat e përditshme të njerëzve, po ashtu ndihma humanitare është jetësore për të gjetur rrugë për zgjidhje të qëndrueshme.

Ne duhet të punojmë shumë për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që u lejojnë këtyre komuniteteve të refugjatëve të përfshihen në jetën kombëtare dhe të jenë të pavarura. Këto zgjidhje duhet të jenë gjithashtu në përputhje me të drejtat themelore për mbrojtje dhe dinjitet njerëzor, por edhe të jenë të dobishme për vendet pritëse në të cilat ndodhen sot.

Çfarë ju shqetëson më shumë në postin tuaj të tashëm?

Mungesa e fondeve është themelore, dhe çdo krizë që shfaqet kërkon më shumë nga burimet tona, dhe kriza ka shumë, në mbarë botën.

Në këtë vështrim, dua të them se bota duhet të bëjë më shumë për të parandaluar shkallëzimin e konflikteve duke i parandaluar. Ka një zgjidhje themelore për shpërnguljen dhe ajo është paqja, që njerëzit të kenë mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në siguri dhe dinjitet.

Cila është thirrja që do të dëshironit t'i drejtonit bashkësisë ndërkombëtare?

Është përgjegjësia jonë ligjore si bashkësi ndërkombëtare të mbrojmë dhe të ofrojmë ndihmë për njerëzit që kanë nevojë. Ne gjithashtu duhet të ndihmojmë në propozimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për të shpërngulurit. Kjo është përgjegjësi ligjore, është detyrim moral dhe i flet mbarë njerëzimit tonë. Kjo është gjëja morale që duhet bërë dhe është, gjithashtu, gjëja e duhur për të bërë.

Më parë folët për rëndësinë e partneriteteve të ngushta me Kishën dhe organizatat fetare. Si mund ta ndihmojnë fetë Agjencinë e OKB-së për Refugjatët?

Organizatat fetare dhe organizatat kishtare kanë qenë të pranishme nëpërmjet ndihmës së dhënë. Mund të dëshmoj nga përvoja ime vetjake punën e rëndësishme që kanë bërë dhe partneritetin e rëndësishëm që kanë me Kombet e Bashkuara.

Shpresoj që ne, gjithashtu, të punojmë shumë më tepër me organizata të tjera fetare dhe të punojmë me shoqata filantropike ndërfetare, që të flasim për vlerat thelbësore nga pikëpamja humanitare dhe për ndihmën e njerëzve që janë në hall.

27 janar 2026, 13:07