Përkujtojmë sot Ernest Koliqin, në 51-vjetorin e vdekjes
R.SH. / Vatikan
Duke shfletuar kalendarin historik, më 15 janar, kujtojmë prof. Ernest Koliqin në përvjetorin e vdekjes. Poet, prozator, dramaturg e studiues i madh i letërsisë shqipe
Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903 dhe mbylli sytë në Romë në vitin 1975, ku gjendej që prej viteve të Luftës së Dytë Botërore. Mbas përfundimit të studimeve në kolegjin e etërve jezuitë në Shkodër, ende në moshë të re, Ernest Koliqi vijoi studimet në Brescia e mandej në Padova, ku përfundoi universitetin.
U shqua si poet, përkthyes, prozator i fuqishëm i letërsisë shqipe qysh në vitet 1920-1930. Interesimi i tij për letërsinë dhe gjuhën shqipe si mjete të fuqishme për një rilindje të kombit shqiptar vijoi deri sa ndërroi jetë. Vëllimet e tij me tregime si «Hija e Maleve» 1929, «Tregtar flamujsh» 1935 e prap «Pasqyrat e Narçizit»1946 prekin gjithnjë çështje që shqetësonin shoqërinë shqiptare ndërmjet dy luftrave botërore, por me një gjuhë ku spikasin fjalët e pastra shqipe, për të cilat autori shfaqi gjithmonë kujdes të posaçëm, në një prozë shumë komunikuese.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore mori pjesë në qeverinë e mikut të tij të vjetër Mustafa Merlika-Krujës, ku mbajti postin e ministrit të arsimit. Përpjekjeve të tij i detyrohet çelja e shumë shkollave shqipe në viset e Malit të Zi, Dardanisë dhe Dibrës së Madhe. Bashkë me Mustafa Merlika-Krujën, si funksionarë të regjimit të ri, vendosën në Tiranë pikërisht gjatë pushtimit italian, krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, organizëm që krijoi bërthamën mbi të cilën u themelua universiteti i Tiranës në vitin 1957. Mbas rënies së qeverisë së Mustafa Merlikës, u shpërngul në Romë, ku mbajti vendin e përfaqësuesit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë.
Përveç se poet, prozator dhe aktivist në jetën politike, Koliqi qe edhe përkthyes i poetëve më të mëdhenj të Italisë. Ai ka përkthyer Danten, Arioston, Petrarkën, Carducci-n, Tasson e prap të tjerë si Gabriele D’Annunzion. Me këtë të fundit kishte edhe njohje personale. Vetë Koliqi tregon se kur i bëri vizitë D’Annunzios, ndërsa ky ishte në frymën e fundit të jetës, vërejti se poeti italian mbante mbi komodinën afër shtratit një gramatikë të shqipes.
Vërejti gjithmonë me dashamirësi dhe kureshtje debutimin e poetëve të rinj. Ndër të parët kritikë, Koliqi vlerësoi vjershat e Migjenit të botuara te revista «Illyria» tek i cili vërejti një talent jo të zakonshëm. Por edhe mbas luftës, kur gjendej në mërgim në Romë, diti të vlerësojë talentin e Dritëro Agollit e të Ismail Kadaresë, veprat e të cilëve i kishte në bibliotekë në disa kopje.
Mbas kapitullimit të Italisë, Koliqi vijoi qëndrimin në Romë deri në fund të jetës. Këtu, nuk e ndërpreu asnjëherë veprimtarinë e tij në lëmin e letërsisë shqipe. Filloi botimin e revistës «Shejzat» e cila u kthye në folenë e të gjithë disidentëve shqiptarë jashtë atdheut, organ të cilin e drejtoi ai vetë deri sa ndërroi jetë, me bashkëpunimin e Martin Camajt.
Familja e tij në Shqipëri u persekutua rreptas nga regjimi komunist. Kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, qe vëllai i tij, i cili si meshtar dhe familjar i shkrimtarit, vuajti një dënim të gjatë me burg.
Në qershor të vitit 2024, ajo çka kishte tepruar nga biblioteka e Ernest Koliqit, rreth 500 tituj, iu dhurua bibliotekës së qytetit të Shkodrës «Marin Barleti». Këtu i është kushtuar edhe një sallë e posaçme leximi. Po ashtu, edhe biblioteka e Kishës Katolike në Prishtinë mban emrin e tij.
Ndonëse kanë kaluar shumë vite, veprat e Ernest Koliqit botohen prap dhe gjejnë gjithnjë lexues të shumtë.