2025.02.07 Vetrate nelle Chiese

Shenjtorët e javës 11-18 janar

R.SH. - Vatikan

E diel, 11 janar, Kisha katolike romake kremton Pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan. Gjithnjë më 11 janar, kalendari kishtar përkujton shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare, shën Pjetrin nga Çezarea, martir dhe shën Paolonin nga Aquilea, ipeshkëv.

Pagëzimi i Jezusit, të cilin po e kujtojmë sot, është shprehje e logjikës së përvujtërisë e të solidaritetit: është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne e që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët; Ai, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi shpinë fajin e mbarë njerëzimit. Gjesti i Jezusit  paraprin Kryqit, pranimit të vdekjes, për mëkatet e njeriut, duke zbuluar përkimin e plotë të vullnetit e të ndjeteve të Vetjeve të Trinisë së Shenjtë

Tё hёnёn më 12 janar, kalendari kishtar përkujton shën Arkadin, martir, shën Cezarin, shën Ernestin dhe shën Antonin Maria Puçi, meshtar.

Tё martёn më 13 janar, kalendari kishtar përkujton shën Hilarin nga Puatje, ipeshkëv e dijetar i Kishës, shën Gofridin e shën Regjimin, ipeshkëv. 

Tё mёrkurёn më 14 janar, kalendari kishtar përkujton shën Feliksin nga Nola, shën Malakinë profet, shën Ninon dhe shenjtërit martirë të Malit Sinai e të Egjiptit, vranë për shkak të fesë në Jezu Krishtin.

Tё enjten më 15 janar, kalendari kishtar përkujton shën Palin, oshënarin e parë, shën Mauron, abat, shën Probon, shën Arnoldin Janssen, meshtar dhe mësues gjerman.

Të premten më 16 janar, kalendari kishtar përkujton shën Marcelin I, Papë, shën Prishilën, matronë romake, shën Oktonin, Pjetrin, Akursin e Adiutin, misionarët e parë të dërguar nga Shën Françesku i Asizit në trojet saracene. 

Të  shtunën mё 17 janar, kalendari kishtar përkujton shën Antonin, abat, njërin ndër oshënarët më të ndritur të historisë së Kishës.

Tё dielën e ardhshme mё 18 janar,  Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e Dytё gjatё vitit kishtar, ciklit të parë ‘A’, sipas kalendarit liturgjik. Gjithnjë mё 18 janar kalendari kishtar përkujton shën Priskën dhe shën Margeritën e Hungarisë. 

 

 

11 janar 2026, 09:44