Flamujt e BE-së jashtë selisë së Komisionit në Bruksel (REUTERS) Flamujt e BE-së jashtë selisë së Komisionit në Bruksel (REUTERS)

Ukrainë, BE bllokon importin e gazit rus

Miratohet rregullorja me shumicë të cilësuar. Hungaria dhe Sllovakia votojnë kundër dhe kërcënojnë me padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelensky shtyn për të paraprirë raundin e ri të bisedave trilaterale me SHBA-së dhe Rusinë në Abu Dhabi.

R.SH. - Vatikan

Bashkimi Evropian ka miratuar përfundimisht rregulloren që do t'u japë fund importit të gazit dhe gazit të lëngshëm (LNG) nga Federata Ruse. Ky hap vendimtar i Brukselit për të goditur arkat e Kremlinit parashikon një ndalim total të gazit të lëngshëm deri në fund të vitit 2026 dhe të gazit përmes tubacioneve nga vjeshta e vitit 2027. Para se të autorizojnë hyrjen e gazit në tregjet e tyre, shtetet e BE-së duhet të verifikojnë vendin e prodhimit. Në rast shkeljeje, rregullorja parashikon gjoba mjaft të larta.

Opozita e Hungarisë dhe Sllovakisë

Votimi pro nuk ishte i sigurt deri para pak muajsh, por çështja mbetet e hapur pasi Hungaria dhe Sllovakia, përveç votës kundër (Bullgaria abstenoi), kanë njoftuar një ankimim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Drita jeshile nga BE u përshëndet nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ndërkohë po rrit presionin mbi procesin e negociatave me Moskën dhe Uashingtonin.

Zelensky kërkon të parashpejtojë takimin e ri trilateral të parashikuar në Abu Dhabi për 1 shkurt, pas atij të 25 janarit. Edhe pse samiti i fundit u cilësua si konstruktiv, çështja e Donbasit mbetet ende e pazgjidhur.

Nyja territoriale në lindje të Ukrainës

Mbi territoret, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shpjegoi se "vendos Kievi". Por Zelensky, për momentin, u reziston atyre që (edhe në Uashington) kërkojnë prej kohësh që Ukraina të bëjë lëshime të rëndësishme territoriale. Shumëçka mund të varet nga ecuria e bisedimeve në frontet e tjera. Mbi garancitë e sigurisë, Rutte nënvizoi se "marrëveshja është afër". Në të njëjtën kohë, ish-kryeministri holandez ka përjashtuar sërish mundësinë e hyrjes së Ukrainës në Aleancë. Më e mundshme është që të bëhen përparime ndaj Zelenskis duke parashikuar një përshpejtim të vendosur të anëtarësimit të Kievit në BE. «Në vitin 2027 jemi gati», ka siguruar lideri ukrainas..

Humbjet ekonomike për Moskën

I takon pastaj Donald Trump-it të ushtrojë ndikimin e tij mbi Viktor Orbán-in e Hungarisë dhe Robert Fico-n e Sllovakisë që të mos vendosin veton. Kundërshtimi i tyre ndaj strategjisë së BE-së për gazin doli i parëndësishëm, pasi miratimi kërkonte vetëm shumicë të cilësuar dhe jo unanimitet.

Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, kritikoi zgjedhjen e BE-së për ta paraqitur vendimin si një manovër ekonomike dhe jo si sanksion (i cili do të kërkonte votë unanime). Për Moskën, humbjet ekonomike mund të jenë të konsiderueshme. Reagimi i Kremlinit ishte i menjëhershëm: zëdhënësja Maria Zakharova deklaroi se me këtë vendim "vendet e BE-së kanë hequr dorë nga liria". Ndërkohë, bombardimet ruse kundër Ukrainës vazhdojnë; gjatë natës, raketa ruse goditën Odesën, duke shkaktuar të plagosur.

27 janar 2026, 12:30