UNRWA, Lazzarini: Gaza është një grumbull rrënojash, të rivendoset ligjin ndërkombëtar
R.SH. - Vatikan
Më 11 maj 2023, Philippe Lazzarini qe pritur në audiencë nga Papa Françesku në Vatikan. Për mikrofonat tanë, komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-s, agjencia e Kombeve të Bashkuara për palestinezët, pati kujtuar tse sa shumë konflikti izraelito-palestinez ishte “konflikti më i vjetër në botë” dhe pati dënuar ashpër faktin që komuniteti ndërkombëtar kishte larguar vështrimin nga refugjatët palestinezë.
Dy vjet e gjysmë më vonë, diplomati zviceran u rikthye në Vatikan, ku sot, më 12 janar, u prit në audiencë private nga Papa Leoni XIV. Mes këtyre dy takimeve duket se ka kaluar një shekull: që nga sulmi terrorist i 7 tetorit, Rripi i Gazës është rrafshuar pothuajse tërësisht nga bombardimet izraelite dhe e drejta ndërkombëtare humanitare është shkelur me këmbë. Një shkelje e multilateralizmit që nxiti indinjatën e Leonit XIV javën e kaluar, të shprehur në fjalimin e tij drejtuar diplomatëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Edhe pse intensiteti i luftës në Gazë ka rënë pas marrëveshjes së arritur në fund të tetorit mes Izraelit dhe Hamamasit, situata humanitare mbetet dramatike. Pa llogaritur këtu punën e UNRWA-s në Bregun Perëndimor, e bërë çdo ditë e më e vështirë nga qeveria izraelite që ushtron presion për dëbimin e agjencisë së Kombeve të Bashkuara.
Pas takimit me Papën, Lazzarini, i ftuar në studiot e Radio Vatikanit – Vatican News, tregoi emocionet e para që pati në këtë audiencë të parë me Papën amerikan, si dhe bëri një përmbledhje të situatës së palestinezëve sot, ndërkohë që Gaza është gjithnjë e më pak e pranishme në faqet dhe titujt e gazetave.
Cilat ishin temat në qendër të audiencës me Papën?
"Me Atin e Shenjtë folëm për situatën e refugjatëve palestinezë në Lindjen e Mesme dhe për situatën e palestinezëve në Bregun Perëndimor, por edhe në Rripin e Gazës. Përshkrova mjerimin që mbizotëron, shkatërrimin pavarësisht faktit se lufta është pezulluar prej gati tre muajsh. Në realitet, gjatë kësaj periudhe kemi parë se konflikti vazhdon çdo ditë, se ka ende njerëz që vriten nga bombardimet dhe se ndihmat humanitare, pavarësisht premtimeve, nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e popullsisë së Gazës. U fol gjithashtu edhe për zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, për pandëshkueshmërinë e kolonëve përgjegjës për dhunë, si dhe për klimën e ankthit dhe frikës në të cilën janë të detyruara të jetojnë gratë palestineze në Bregun Perëndimor".
Ndonëse armëpushimi në Gazë në fund të tetorit 2025 duket se ka sjellë disa përmirësime, situata humanitare mbetet gjithsesi jashtëzakonisht e rëndë në Rripin e Gazës. Çfarë mund të na thoni për kushtet aktuale të jetesës?
"Kushtet e jetesës janë absolutisht të mjerueshme. Popullsia e Gazës është e përqendruar në më pak se 50% të Rripit, i cili tani duket i ndarë më dysh. Është një pjesë nën kontrollin e ushtrisë izraelite ku praktikisht nuk ka njerëz, dhe pastaj pjesa që është ende nën kontrollin e Hamasit, ku është përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë. Gaza për momentin është vetëm një grumbull rrënojash, gjithçka duhet rindërtuar dhe njerëzit shqetësohen çdo ditë për të gjetur asistencën minimale për familjet e tyre. Prej disa javësh, ata janë të shqetësuar për kushtet e dimrit, të cilat i kanë shtuar një dozë të mëtejshme vuajtjeje popullsisë.
Tani, në bisedën që patëm me Atin e Shenjtë, ngrita çështjen e rolit të UNRWA-s. UNRWA është një agjenci që ofron kryesisht shërbime publike për popullsinë, domethënë arsim fillor dhe të mesëm, por edhe shëndetësi dhe ndihmë humanitare. Aktualisht, agjencia po pëson presione të jashtëzakonshme politike që të ndërpresë aktivitetet e saj në Rripin e Gazës. Dhe unë vura në dukje se, nëse kjo do të ndodhte, në mungesë të institucioneve palestineze, do të krijohej një vakum i madh dhe një brez i humbur në fushën e arsimit. Arsimi është e vetmja gjë që nuk u është hequr kurrë palestinezëve. Nëse e humbim këtë brez, do të thotë se po hedhim themelet për një ekstremizëm më të madh në të ardhmen".
Që nga 7 tetori dhe lufta që pasoi, çështja e arsimit ka qenë një aspekt që është trajtuar më pak nga mediat. Arsimi është thelbësor për qindra mijëra fëmijë palestinezë, si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor. Si ka ndikuar kjo luftë në çështjen e arsimit? Pse arsimi i të gjithë këtyre të rinjve palestinezë mbetet thelbësor?
Së pari, arsimi është e vetmja gjë që nuk u është marrë kurrë palestinezëve. Palestinezët kanë humbur tokat e tyre, kanë humbur shtëpitë e tyre, por nuk e kanë humbur arsimin, përkundrazi. Arsimi është një sektor ku të gjithë ishin krenarë të investonin për fëmijët ose nipërit e tyre. Sot, në Rripin e Gazës, të gjitha universitetet janë shkatërruar, 80% e shkollave tona janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht. Për më tepër, kemi më shumë se 600.000 fëmijë të moshës shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm që aktualisht jetojnë mes rrënojave, në pluhur, thellësisht të traumatizuar nga kjo luftë, dhe nëse nuk arrijmë t’i rikthejmë në një mjedis arsimor sa më shpejt të jetë e mundur, rrezikojmë të humbasim një brez. Nëse humbasim këtë brez, do të thotë se po hedhim gjithashtu themelet për një ekstremizëm më të madh në të ardhmen.
Edhe Bregu Perëndimor është padyshim shqetësues, siç kemi parë edhe në muajt e fundit. Disa ambiente të UNRWA-s janë vënë nën sekuestrim. Si është situata në territoret palestineze të pushtuara, ku presioni izraelit është veçanërisht i fortë? Si arrini ta vazhdoni punën tuaj pavarësisht vështirësive?
Në fakt, duhet bërë dallimi mes aktiviteteve në pjesën e pushtuar të Jerusalemit Lindor dhe pjesës tjetër të Bregut Perëndimor. Aktualisht në Izrael janë në fuqi tre ligje kundër UNRWA-s që interesojnë agjencinë tonë: i pari ndalon çdo komunikim mes autoriteteve izraelite dhe drejtuesve tanë. I dyti ndalon çdo prani të agjencisë në territorin sovran të Shtetit të Izraelit, i cili e konsideron Jerusalemin Lindor të pushtuar si pjesë të territorit të vet. Pra, në këtë rast, aty ne nuk kemi më asnjë prani. Ligji i tretë lidhet gjithashtu me Jerusalemin Lindor dhe u ndalon autoriteteve të furnizojnë me energji elektrike dhe ujë, si dhe i ngarkon qeverisë detyrën për të sekuestruar selinë qendrore dhe shkollën profesionale të UNRWA-s në Jerusalemin Lindor. Në Bregun Perëndimor, përkundër gjithë dhunës, përkundër zgjerimit të vendbanimeve dhe përkundër operacioneve ushtarake që kanë ndodhur në kampe, veçanërisht në veri, përkundër faktit se është shënuar zhvendosja më e madhe e palestinezëve që nga viti 1967, agjencia vazhdon të operojë përmes shkollave dhe qendrave të saj shëndetësore. Në Bregun Perëndimor kemi vetëm 6.000 punonjës.
Disa ditë më parë, përpara ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa shprehu shqetësimin e tij për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare humanitare. E imagjinoj se bëhet fjalë për deklarata që janë veçanërisht të rëndësishme për ju…
Po, absolutisht. Ne jemi mobilizuar që nga fillimi i luftës, kur u kam kujtuar shteteve anëtare (të OKB-së, shën. red.) se edhe luftërat duhet të respektojnë disa rregulla. E drejta ndërkombëtare është shkelur vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit, deri në atë pikë sa ka krijuar një çarje në perceptimin mes popullsive të Jugut dhe Veriut të botës. Në Jug ekziston përshtypja se konventat për të drejtat e njeriut ose e drejta ndërkombëtare humanitare e kanë humbur universalitetin e tyre për shkak të zbatimit të tyre të ndryshueshëm dhe të fragmentuar. Është e vërtetë se në kontekstin e Gazës dhe Palestinës kjo e drejtë është shkelur vazhdimisht. Edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sot kundërshtohen nga autoritetet izraelite. Unë vazhdoj të përsëris se, nëse pranohet që kjo e drejtë ndërkombëtare të mos zbatohet në mënyrë rigoroze në kontekstin e Gazës, kjo do të krijojë një precedent dhe do ta dobësojë atë edhe gjetiu.
Por si mundet, kur je përgjegjës i një agjencie të Kombeve të Bashkuara si e juaja, të mbrosh idenë se e drejta ndërkombëtare duhet të mbetet gjithsesi një nga shtyllat e veprimit diplomatik ndërkombëtar?
Nuk është diçka e re që e drejta ndërkombëtare të shkelet. E reja është pretendimi për ta shkelur atë në mënyrë sistematike, kaq hapur, pa u përpjekur as ta mohojë. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në kontekstin e Gazës. Është e vërtetë se po asistojmë në një dobësim të sistemit multilateral, një dobësim të sistemit të rendit botëror që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, por mendoj se është ende koha për t’u kujtuar vazhdimisht, pa u lodhur, shteteve anëtare të Evropës se kjo e drejtë ndërkombëtare nuk është me “gjeometri të ndryshueshme” dhe nuk mund të zbatohet “à la carte”. Duhet të kërkojmë zbatimin e saj në të njëjtën mënyrë në një situatë në kontinentin afrikan, në Lindjen e Mesme, në Evropë. Dhe nëse nuk e bëjmë këtë, do të humbasim shumë aleatë që për një kohë të gjatë kanë besuar se kjo e drejtë ndërkombëtare ishte universale. Sot e drejta ndërkombëtare është e sëmurë dhe ne duhet të rrimë pranë shtratit të saj. Por nuk duhet ta braktisim, sepse alternativa, nëse nuk do të kishim më rregulla ku të mbështeteshim, do të ishte një barbarizëm. Dhe kjo duhet shmangur patjetër.
Një pyetje e fundit mbi mbështetjen e Papës dhe të Kishës ndaj vuajtjeve të popullit palestinez. Si i pret popullsia këto shenja mbështetjeje?
Është një mbështetje jashtëzakonisht e rëndësishme, gjithmonë. Popullsia palestineze ka përshtypjen se, në njëfarë mënyre, komuniteti ndërkombëtar i ka kthyer shpinën. Dhe mendoj se ky mesazh dhembshurie dhe solidariteti nga Ati i Shenjtë shtrihet shumë përtej popullsive të krishtera të rajonit. Ai shtrihet tek të gjitha pakicat, sepse çdo herë janë mesazhe paqeje që përcillen.