Dita Botërore Rinisë në Seul: "Mbështetje e plotë për praninë e të rinjve nga vise të largëta"

"Dita Botërore e Rinisë në Seul 2027 do të jetë Dita e parë Botërore e Rinisë që do të mbahet në një vend me shumicë jo të krishterë dhe e dyta në Azi. Do t'u ofrojë të rinjve një takim të thellë me Zotin, duke u lejuar atyre të përjetojnë universalitetin e Kishës", tha Ati Fabiano Rebeggiani, një prift italian i Kryedioqezës së Seulit dhe zëvendësdrejtor i Komitetit Organizativ të Ditës Botërore të Rinisë 2027 në Seul.

R.SH. / Vatikan

Në një takim që më 4 shkurt mblodhi rreth 30 ambasadorë, konsuj dhe përfaqësues diplomatikë nga 25 vende të Amerikës Latine e të Evropës në kampusin e Universitetit Katolik të Koresë, meshtari tha: "Jemi të vetëdijshëm se procedurat e udhëtimit dhe të vizave paraqesin vështirësi, veçanërisht për të rinjtë nga rajone të largëta. Për këtë arsye, dëshirojmë të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë diplomatikë, për ta lehtësuar pjesëmarrjen e tyre.

"Ne synojmë t’i mbështesim të rinjtë, që tashmë po bëjnë përpjekje të mëdha për të marrë pjesë", vërejti ai, duke shpresuar për pjesëmarrjen sa më të gjerë të të rinjve nga të pesë kontinentet. "Dita Botërore e Rinisë e Seulit 2027 do t'u krijojë të rinjve hapësirë​​për të kërkuar të vërtetën, për t'u lutur për paqen dhe për të ndarë pajtimin e shpresën ndërmjet realiteteve të përçarjes", tha ai.

Ambasadorët, konsujt dhe zyrtarët nga vende të ndryshme po tregojnë interes të fortë për ngjarjen e Ditës Botërore të Rinisë Seul 2027 dhe janë zotuar ta lehtësojnë pjesëmarrjen e të rinjve nga vendet e tyre përkatëse.

Komiteti Organizues i Ditës Botërore të Rinisë Seul 2027 nënvizoi rëndësinë e koordinimit në kohë me konferencat kombëtare të ipeshkvijve, për të vlerësuar numrin e pritur të pjesëmarrësve, i cili më pas do të jetë themelor për finalizimin e rregullimeve për biletat e avionit dhe për strehimin. Për këtë qëllim, inkurajohet bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe komunikimi i ngushtë me misionet diplomatike.

Ndërkohë, në Korenë e Jugut, shtegtimi i gjatë kombëtar i Kryqit dhe figures së Virgjërës Mari, simbole të Ditës Botërore të Rinisë, nisi më 21 janar. Do të udhëtojnë në dioqeza në mbarë vendin, duke u takuar me të gjithë anëtarët e Kishës koreane.

Në etapën e parë, Dioqeza e Wonju-së, besimtarët vendas, veçanërisht të rinjtë, pranë Ipeshkvit Basil Cho Kyu-man, priftërinjve dhe rregulltarëve morën pjesë në një procesion me kryqin e Ditës Botërore të Rinisë dhe ikonën e Virgjëreshës Mari. Në predikimin gjatë Meshës së mirëseardhjes Ipeshkvi Cho Kyu-ma deklaroi: "Duke mirëpritur kryqin e Ditës Botërore të Rinisë dhe ikonën e Virgjërës Mari, po e nisim me zell udhëtimin dioqezan drejt Ditës Botërore të Rinisë, në Seul". Tha kështu, e vazhdoi: "Jezusi dhe dishepujt e tij, të cilët ishin të rinj, e ndryshuan botën, ndërsa paraardhësit e Kishës Koreane në fe, themeluan Kishën në këtë tokë me besimin e tyre rinor. Ju të rinjtë e sotëm mund ta ndryshoni këtë botë, këtë shoqëri e edhe Kishën".

Viviana Jin Min-kyung, udhëheqëse e të rinjve të famullisë së Wondong, në Dioqezën e Wonju-së, shtoi: "Shpresoj se shumë të rinj në dioqezë do të mund ta ndiejnë dashurinë e Jezusit përmes këtij kryqi, që përmban lutjet e njerëzve nga mbarë bota". Shtegtimi i simboleve të DBR-së (Ditës Botërore të Rinisë) do të vazhdojë në Dioqezën e Wonju-së për pesë javë, deri më 25 shkurt. Gjatë kësaj periudhe, ato do të vizitojnë famulli, kisha, shkolla, institucione mirëqenieje dhe qendra baritore. (Agenzia Fides, 7/2/2025).

09 shkurt 2026, 11:02