Nigeria mbytet në gjak. Sulmohen shtatë fshatra. Kisha në vijën e parë për paqe dhe bamirësi

Të paktën 30 civilë u vranë nga grupet xhihadiste në një sulm të ri në veriperëndim të vendit afrikan. Rrëmbimet dhe grabitjet nga bandat kriminale janë gjithashtu në rritje. Ipeshkvi Anselm Pendo Lawani, i dioqezës së Ilorin, tha: "Ata që janë përgjegjës për krimet po veprojnë lirshëm sepse qeveria po reagon shumë ngadalë dhe nuk po i ndëshkon".

R.Sh. Vatikan

Dhimbja e pafundme e Nigerisë u zgjua prap dje në shtatë fshatra në shtetin Kebbi, në veriperëndim të shtetit afrikan. Një grup i armatosur xhihadistësh sulmoi banorët e fshatrave Mamunu, Awasaka, Tungan Tsoho, Makangara, Kanzo, Gorun Naidal dhe Dan Mai Ago, të cilët ishin përpjekur të bënin qëndresë sulmuesve. Ishte një plojë. Të paktën 30 civilë u vranë, por disa që kanë shpëtuar tregojnë se mungojnë shumë njerëz.

Gjendje dramatike

Kjo ngjarje tragjike është pjesë e një skenari vrasjesh që tashmë është parë në pjesë të tjera të Nigerisë, shtet që po përballet, sikur të mos mjaftonte kjo, me rritje të rrëmbimeve dhe vrasjeve nga bandat kriminale që luftojnë për tokë dhe burime natyrore. "Gjendja e tashme e rrëmbimeve dhe dhunës po përkeqësohet, ndërsa ata që janë përgjegjës po veprojnë pa u ndëshkuar për shkak të veprimit të ngadaltë të qeverisë", paralajmëron imzot Anselm Pendo Lawani, ipeshkëv i dioqezës së Ilorin, e cila përfshin pjesën më të madhe të shtetit perëndimor të Kwara.

Zonat më të prekura

Duke parë zonat më të prekura në një hartë të Nigerisë krijohet përshtypja se asnjë qytet nuk është kursyer: veriperëndimi dhe verilindja; veriu; juglindja dhe jugperëndimi.

Më tej, në një intervistë me mediat e Vatikanit, ipeshkvi theksoi se edhe “zona të tjera si «Territori Federal i Kryeqytetit» dhe vende të tjera si Benue, Oyo, Ogun dhe Ekiti” janë sulmuar. Lista përfshin gjithashtu dioqezën e tij, ndoshta një nga më të përgjakurat. "Më 3 shkurt, grupe të armatosura sulmuan fshatrat Woro dhe Nuku, ku vranë 200 persona. Po ashtu, i vunë flakën shtëpive dhe dyqaneve. Popullsia, nga frika, u fsheh në fushat me shkurre përreth. Ishte sulmi më vdekjeprurës i regjistruar ndonjëherë në Nigeri."

Shkaqe të ndryshme

Shkaqet e dhunës janë të ndryshme. Kryeipeshkvi Lawani përpiqet të nxjerrë në pah disa prej tyre, më themeloret. Nga njëra anë, "ekzistojnë grupe të ndryshme ekstremiste islamike militante, të tilla si Boko Haram dhe Shteti Islamik i Provincës së Afrikës Perëndimore (ISWAP), të cilat janë përhapur shumë në veri të vendit, i cili është kryesisht mysliman". Nga ana tjetër, në qendër të Nigerisë, ku mbizotërojnë zonat e mëdha të krishtera dhe kryesisht katolike, "anëtarë të radikalizuar dhe të armatosur të grupit etnik Fulani po shkaktojnë kaos". Ky kaos përfshin gjithashtu rrëmbime për shpagim dhe sulme të kryera me qëllim grabitjen e viktimave, vepra kriminale që shpesh përfundojnë me tragjedi.

Edhe dioqeza e prekur nga sulmet

Ipeshkvi Lawani shpjegon se dioqeza e tij është në vijën e parë të kësaj situate, në dukje, të dëshpëruar: "Ne përpiqemi t'i ndihmojmë ata që janë prekur duke i strehuar kur nuk kanë ku të fusin kokën; u shpërndajmë ushqim dhe veshje. Për shembull, një grup myslimanësh dhe të krishterësh u mirëpritën në njërën nga famullitë tona pasi ikën për të shpëtuar jetën e tyre."

Popullsia është e frikësuar

Por përsëritja e sulmeve dhe rrëmbimeve është aq e frikshme sa shumë besimtarë madje nuk po shkojnë në Meshë të dielave: "Ata parapëlqejnë të rrinë në shtëpi me familjet e tyre për arsye sigurie. Shumë familje të tjera madje kanë zgjedhur të largohen nga dioqeza. Kështu, ne po dëshmojmë jo vetëm një rënie të pjesëmarrjes në kremtimet eukaristike, por edhe në veprimtari të tjera të kishës."

Të angazhuar për bamirësi

E gjithë Kisha nigeriane është e përkushtuar për të promovuar paqen dhe dialogun përmes projekteve që synojnë reduktimin e konflikteve midis të krishterëve dhe myslimanëve.

"Në Dioqezën e Ilorinit," shpjegon Imzot Lawani, "ne i nxisim famullitarët të marrin pjesë në veprimtaritë e Shoqatës së Krishterë të Nigerisë (CAN), një organizatë që bashkon të krishterët dhe i lidh ata me besime të tjera të krishtera dhe ata që ende praktikojnë fenë tradicionale. Megjithatë, këto përpjekje përballen me disa sfida: çështje doktrinare, rivalitete të brendshme besimesh dhe, në disa raste, keqpërdorim të ndjenjave fetare nga politikanët."

19 shkurt 2026, 19:02