Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës

Më 17 mars kalendari kujton Shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës

Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës, u bë një me shpirtin irlandez, shpjegoi pse predikimi i fesë së re të krishterë ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre. Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Ne një lutje ai na mëson: “Krishti brenda meje, Krishti pas meje, Krishti përkrah meje, Krishti nën mua, Krishti mbi mua”

R.SH. - Vatikan

Më 17 mars kalendari kishtar përkujton Shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës.

Drita e vërtetë na arrin në skllavëritë tona

Është pikërisht atëherë kur ndihemi të burgosur e të shtypur nga skllavëritë që shpesh takojmë dritën: aty, në “qelitë tona ekzistenciale”, Zoti na arrin, na prek, na ngushëllon, na transformon jetën tonë dhe na tregon shtigje të reja. Pikërisht kjo ishte përvoja e Shën Patrikut, i cili u bë ungjillëzuesi i tokës ku jetoi si skllav.

«Pasi mbërrita në Irlandë, çdo ditë dërgoja bagëtinë në kullotë dhe lutesha shpesh gjatë ditës – tregon ai vetë –; ishte atëherë kur dashuria dhe frika ndaj Zotit pushtuan gjithnjë e më shumë zemrën time dhe feja ime u rrit».

Patriku lindi rreth vitit 385 në Britani nga një familje e krishterë, por në moshën 16-vjeçare u bë skllav dhe u dërgua në Irlandë: gjatë kësaj periudhe ai thelloi fenë e tij dhe rizbuloi jetën shpirtërore e lutjen. Pasi u arratis nga gjendja e skllavërisë, u kthye te prindërit, u bë prift dhe shkoi në Francë, ku jetoi një përvojë të jetës murgare.

Rreth moshës 40-vjeçare, Patriku vendosi të kthehej në tokën që e kishte mbajtur skllav. Kështu, në vitin 432 ishte sërish në "ishullin e gjelbër", kësaj radhe si bartës i Ungjillit. Vepra e tij misionare, e përbërë nga predikimi, kremtimi i sakramenteve dhe kujdesi për komunitetet murgare, pikërisht për shkak të suksesit të arritur, u ndesh me pengesa të ndryshme, përfshirë edhe ligësitë e disa të krishterëve. Për t'u mbrojtur, ai shkroi veprën e tij «Rrëfimet». Vdiq rreth vitit 461.

Shën Patriku është i famshëm për mënyrën e tij të thjeshtë dhe gjeniale se si e shpjegonte Trininë Shenjte, një nga misteret më të thella të fesë së krishterë.

Simboli i Trifletës (Shamrock)

Sipas traditës, kur Shën Patriku po përpiqej t'u shpjegonte popujve keltë në Irlandë konceptin e një Hyji të vetëm në tre Persona të dallueshëm, ai këputi nga toka një trifletë (një lloj tërfili me tri fletë).

Ai e përdori këtë bimë të thjeshtë si ilustrim:

  • Ashtu si trifleta është një bimë e vetme, por ka tri fletë të dallueshme,

  • Ashtu edhe Hyji është një i vetëm, por në tre Persona: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt.

Kjo metaforë i ndihmoi njerëzit e thjeshtë të kuptonin se si uniteti dhe shumësia mund të bashkëjetonin pa e kundërshtuar njëra-tjetrën. Edhe sot, trifleta mbetet simboli kombëtar i Irlandës dhe një simbol botëror i Shën Patrikut.

Shën Patriku dhe "lutja e mburojës"

Në lidhje me Trininë Shenjte, Shën Patrikut i mvishet edhe një lutje shumë e fuqishme e quajtur "Mburoja e Shën Patrikut" (Lorica). Një pjesë e saj thotë:

"Ngrihem sot përmes një force të fuqishme, thirrjes së Trinisë, besimit në të Tretin, pohimit të Njëshmërisë së Krijuesit të krijimit."

Domethënia zhpirtërore

Për Patrikun, Trinia nuk ishte thjesht një formulë matematike (1+1+1=1), por një marrëdhënie dashurie. Ai predikonte se drita e Trinisë na rrethon dhe na mbron në çdo hap të jetës, ashtu siç e pamë edhe në tekstin e mësipërm, ku drita e Hyjit e gjeti atë edhe në skllavëri.

Për ta mbyllur këtë bisedë rreth tij, po të sjell pjesën më të famshme të "Mburojës së Shën Patrikut", një lutje që tregon se si ai e ndiente praninë e Trinisë Shenjte dhe të Krishtit në çdo moment:

Krishti me mua,

Krishti para meje,

Krishti pas meje,

Krishti brenda meje,

Krishti poshtë meje,

Krishti mbi mua,

Krishti në të djathtën time,

Krishti në të majtën time...

Krishti në zemrën e çdo njeriu që mendon për mua,

Krishti në gojën e çdo njeriu që flet për mua,

Krishti në çdo sy që më sheh,

Krishti në çdo vesh që më dëgjon. Amen.


Një rrëfim i shkurtër për Pajtorin Qiellor e Irlandës
 
Patriku sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh mirë. Kur ishte 16 vjeç, djaloshi anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në tokën e tyre, ku jetoi si i burgosur për gjashtë vjet me radhë. Sot Patriku nuk është më i burgosur: kthehet në këto troje të egra me dëshirën e vet. Një natë Jezusi iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të niset për t’ia kumtuar Ungjillin irlandezëve. E kështu Patriku u bë prift e u nis me anijen e parë drejt e në Irlandë…

E di se misioni i tij nuk është aspak i lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha fenomenet e natyrës: drurët, burimet, stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur të ishullit të blertë, rrethuar me kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet të luftojë kundër krerëve fetarë, druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të përdorin të gjitha forcat e tyre magjike kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë Fjalën e Krishtit ndërmjet irlandezëve. Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari të dërguar nga vetë Zoti? Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve pa frikë e u tregon qartë se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve në Ishull, meshtari i krishterë ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën, për të kremtuar kështu ngjalljen e Krishtit. Po kjo është e ndaluar.

Dy hapa më tutje kremtohet një festë për nder të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën valavitëse të flakëve, tërbohen. Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia është e kotë. Njëri pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse krerët e tyre e shohin qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka ende shumë për të bërë: ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten të egër. Nuk ngurrojnë fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë beteja të tilla gjakatare, Patriku zemërohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër të kërkojnë falje, në se duan të mbeten të krishterë.

E vetmja rrugë për të fituar respektin, është të mbash qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve. Por Patriku di të jetë edhe i ëmbël e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi. Është mësues tejet i mirë. Gjen gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar fenë e krishterë. Mësimi i tij është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim vetëm një shembull: për të shpjeguar ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron në të katër anët e ishullit. Trinia – shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri fletë, por është një bimë e vetme. Trinia përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, por është një Hyj i vetëm”. Kjo mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë aq e famshme, sa edhe sot tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj qiellor.

17 mars 2026, 09:58