Alberti II kujton para Papa Leonit XIV "rrënjosjen katolike" 700-vjeçare të Monakos
R.SH. / Vatikan
Princi Albert II i Monakos vuri në dukje, gjatë vizitës historike të Papa Leonit XIV, "rrënjosjen katolike" të Monakos që zgjat prej më shumë se 700 vitesh dhe përmendi kërkimin e paqes si një nga betejat e përbashkëta mes Vatikanit dhe Principatës. "Historia që kremtojmë sot përfaqëson më shumë se 700 vjet besnikëri dhe fe, të cilat prania juaj (e Papës) i përforcon; kjo nuk është veçse një etapë në një rrugëtim edhe më të gjatë", deklaroi sovrani monégask nga ballkoni i Pallatit të Princit, pranë Papës Leoni XIV dhe Princeshës Charlene, përpara mijëra njerëzve të mbledhur.
Kjo vizitë apostolike e Papës, i cili mbërriti këtë të shtunë me helikopter në principatën e vogël katolike ku qëndroi rreth 9 orë, është historike sepse bëhet fjalë për vizitën e parë që një Papë bën në Monako që prej shekullit XVI, dhe është gjithashtu edhe udhëtimi i parë evropian i papnisë së Leonit XIV.
Alberti II kujtoi se Karta Magna e mikro-shtetit, i cili me rreth 40.000 banorë dhe dy kilometra katrorë sipërfaqe është një nga më të vegjlit në botë, lejon lirinë e kultit, ndonëse ka të mbrojtur katolicizmin si "fe shtetërore". "Në këto kohë kur bëjnë jehonë konfliktet e armatosura, ku forca duket se triumfon, ne e dimë se paqja mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse bazohet mbi drejtësinë dhe orientohet drejt pajtimit", pohoi monarku.
Monako, e themeluar nga dinastia e Grimaldi-ve në shekullin XIII dhe që sot është një nga shtetet strehë për disa multimiliarderë të planetit, ka kërkuar gjatë historisë së saj "dialogun për të gjetur zgjidhje, përpara armëve", shtoi Alberti II. "Është kjo arsyeja pse kjo betejë ka shënuar historinë tonë dhe mobilizon diplomacinë tonë. Sepse (...) ne e dimë gjithashtu se shtetet e vogla mund të kontribuojnë në përmirësimin e botës, me kushtin që të jenë besnikë ndaj vlerave të tyre dhe të palëkundur në vendosmërinë e tyre", shënoi ai.