Dielli në lindje Dielli në lindje

Don Robert Kola: Shtegu i agimit

R.SH. / Vatikan

Ky shkrim i Dom Robert Kolës, “Shtegu i agimit”, është një reflektim poetik dhe teologjik mbi misterin e dëshirës dhe dashurisë, i ndërtuar mbi simbolikën e agimit dhe metaforës nusërore. Autori ndërthur gjuhën biblike, veçanërisht frymëzimin nga “Kënga e këngëve”, me një mendim të thellë shpirtëror mbi marrëdhënien mes njeriut, dhuratës dhe Hyjit.

Në këtë tekst, agimi paraqitet si shenjë e lindjes së dritës dhe e tejfigurimit të errësirës, ndërsa dëshira shihet si forca që e çon njeriun drejt përmbushjes dhe bashkimit në dashuri. Prirja drejt dritës, pritja e zbulesës që sjell Agimi. Përmes një gjuhe të pasur me figura dhe imazhe, autori fton lexuesin të hyjë në një përjetim të brendshëm, shpirtëror, ku dëshira nuk është thjesht nevojë, por një udhëtim drejt plotësisë dhe dhuratës së jetës. Agu paraprin këngën që shpërthen dhe hap në mënyrë vendimtare shtegun drejt Amshimit. “Shtegu i agimit” hap kështu një horizont meditimi mbi bukurinë e krijimit, misterin e dashurisë dhe thirrjen e njeriut për t’u përmbushur në dritën e një Takimi që e tejkalon vetveten.

DËSHIRA PAJA NUSËRORE E KËNGËS

( nga Dom Robert Kola)

Shtegu i agimit

Dëshira është preludi dhe maja e kurorës së metaforës nusërore. Vrushkujt e dëshirës janë rrëmbyese si vetë akti virgjëror i shpërthimit të agimit. Shpërthimi i agimit është përflakje e tejfigurimit të errësirës së natës dhe premtimi i lindjes së ditës së re. Pra, gji i përflakjes është agimi. Aty kullohet errësira e natës dhe kuqërrohet në flakërim të rrezeve butësore. “Përflakja e agimit në qiell duket sikur të ishte një gjë e vetme me tokën: si një trëndafil që për dëlirësinë e tij dhe përflakjen e tij, mbërrin cakun ku toka dhe qielli hapen dhe përqafohen; përqafim i pa shoq, në mes qiellit e tokës, që nuk shkëputet lehtë. Nuk është një miklim, por një veprim, ose, thënë me saktë, një akt i vetëm, një qenie. Një qenie, që po në atë akt jetojnë së bashku – në të njëjtin çast – të lindjes së tyre dhe të tejfigurimit të tyre. Flaka e ndezur dhe përflakja butësore e ngjizjes, thuajse qiellorja shkrihet, pa lënë gjurmën e saj, jo nostalgji, por shfaqet si një përmbushje e premtimit, ku për deri sa jemi këtu përmbi këtë tokë, kthehet që të kryet në kthimin e përjetshëm.” 1

Agimi është shtegu i përflakur edhe i dritës: “Po flaka e ndezur (e agimit) ngrihet dhe bie pa u fikur, s’ka fikje, por vetëm dukshmëri të përflakjes së saj, pasi njëherë e dhuruar si vizion ndriçues, i bën vend mëngjesit të bardhë dhe flaka, duke e përndezur e rilind, pastaj duke e lënë ashtu të bardhë, por të ndezur, përflaket në bardhësi. Kjo nuk do të arrihej pa flakën e kulluar dhe mëngjesi i bardhë do mbetej thjesht ashtu i vetëm, si një nuse e braktisur e caktuar të harrohet, dhe gjithnjë i ftohtë.” 2

Përflakja e dritës në agimin e kuqërruar, është si thekja zanafillore e Shpirtit mbi ujëra që përgatit mbarë krijesën në dasmë të dritës: “Bardhësia e ndezur e agimit, bën të hetosh se ajo është e përbërë nga një ujë që bëhet i dukshëm vetëm në çaste, si në krye të herës, kur mbi ujërat zanafillorë qëndronte Shpirti, duke e thekur krijesën për dasmë. Shenjë e përnjëmend e ftesës dasmore, qysh prej zanafillës, nga e cila vjen mbarë krijesa.

Ky, Agimin që shohim, duke u shtrirë në këtë botë, na ngrit në dashurinë që lind dhe frytëzon, dashurinë e parë nga e cila vjen mbarë universi që na rrethon, e që mund të bëhet – kanosje e rrezikut e ngritur prej rrethanave të dyshimit, ku jemi përplasur, pas errësimit zanafillor – gojë e një përjetësie pa dalje, gojë prej ferri, ku drita mbetet pa pushtet dhe një errësirë pa shfaqje. E Agimi besnik, duke përshkuar me krahët e tij të shtrirë, të gjitha shndërrimet dhe ndërrimet e nevojshme, pa u tërhequr kurrë nga hija e Shpirtit të Shenjtë, ky Agim bart me vete dritën që i shëlbon errësirat: dritën e papërfytyrueshme, dritën e vetme të gjakimit të zemrës së shqetësuar të çdo krijese, e vetmja që fal paqen.” 3 Agimi është thekje e dritës virgjërore për bukurinë nusërore: “qartësia e përsosur e pamjes së amshuar.” 4

Kurora e dëshirës

Sikurse përmes antifonës që përmblidhet gjithë burimi dhe maja e hirit të kremtimit në liturgji, po ashtu përmes dëshirës përmblidhet gjithë burimi dhe maja e kurorës së metaforës nusërore. Paja e dëshirës së metaforës nusërore e Këngës së këngëve është e endur dhe e qëndisur me rrezet e shfaqjes së agimit zanafillor dhe zërit që fërgëllon. Përflakja e agimit dhe fërgëllima e zërit janë rrathët e vargjeve të dëshirës në mes të fejuarit dhe të fejuarës. Duvaku nusëror i dëshirës shtrihet me shfaqjen e agimit zanafillor dhe me dritën e përkryerjes dasmore të zbulesës. Vargëzim i dallgëve të stuhishme janë vargjet e misterit të saj. Si dallgët e krijimit në zanafillë dhe si dallgët e përsosjes dasmore në mbarim. Dallgë stuhie. Si vetë dallga e dashurisë.

Thekja e dëshirës së dashurisë, siç vjen e kënduar në Këngën e këngëve, është rrëmbyese: si shpërthimi i agimit, si shtroja e vesës, si zëri tingëllues, si shfaqja e fytyrës, si mbresa e puthjes, si vraga e vulosjes, si ushtima e ujërave të mëdha, si vala përvëluese e shkretëtirës, si balsami i nardit, si shkëlqimi i safirit, si lili që lulëzon, si cedri e qiparisi që lëshojnë shtat, si ëmbëlsia e hojes së mjaltit, si sorkadhja e dreri që kërkon burimet, si pëllumbesha në plasat e shkëmbit, si thekja e rropullive të lindjes.

Dëshira është sythi virgjëror i hapjes ndaj dhuratës dhe është e ngjeshur me hirin e saj. Thellësia e dëshirës është tërheqja e mishërimit të dhuratës. Hapja ndaj dhuratës thur këngën e pranimit të saj. Hiri i dhuratës flakëron thelbin e dëshirës dhe “zbulon telos-in (përkryerjen) e saj”. 5

Shkarja në mes hirit të dhuratës dhe tërheqjes së dëshirës mbaron në sajesë. Sajesa si shkulmi shkumues duke u përhapur veç sa vjen e shpërbëhet dhe tërheqja e lojës e shtrirjes së pambarueshme e dhurimit kërcënohet të mbarojë në plojën e kthetrave të nënshtrimit. Kur tërheqja e dëshirës nga shtrirja e kuptimit të shfaqjes së lojës së pambarueshme të saj, kalon në plojën e nënshtrimit të qëllimit, atëherë dhurimi mbaron në dhunim dhe kafshata e tërheqjes së saj, nuk bëhet kungim, por mbetet si një kafshim.

Falë dëshirës të qenit, njeriu lartësohet në zbulesën e dhurimit. Hiri i dhuratës është stratagjemë e metaforës nusërore e pa përmbysur. “Dëshira është një lëvizje ndaj tjetrit (...) Ajo priret kah plotësia e jetës dhe nuk mbaron si nevojë, por si takimi”. 6 Në dhurimin e butësisë së takimit me tjetrin të qenit e njeriut tejfigurohet në ikonën e “mirësisë”. 7 Tërheqja e dëshirës priret sidomos kah: “e veçanta e vetme dhe e reja” 8 . Përmes tyre nuk ngulmohet të shprehet epërsia, por është: “topos-i gjuhës së dashurisë.” 9 Përkryerja e dëshirës lind gjithmonë përtëritjen e re: “Objekti i vërtetë i dëshirës është e reja. Ajo është novum-i që përkryerja e lind.” 10 Përtëritja e dëshirës shkrihet në këngë të re: Canticum novum. Dëshira si vetë kënga përtëritet duke kënduar. Përmes përkryerjes dëshira bëhet këngë e përmbushjes.

 

1 M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, Marietti, Bologna 2020, f. 148.

2 M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, f. 148t.

3 M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, f. 149.

4 SHËN GREGORI I MADH, Nga komentimi i librit të Jobit, në Liturgjia e Orëve III, Qendra

Don Bosko Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 253.

5 X. LACROIX, Il corpo di carne, EDB, Bologna 2016, f. 154.

6 X. LACROIX, Il corpo di carne, f. 215.

7 E. LEVINAS, Totalità e infinito, Jaca Book, Milano 1971, f. 61.

8 P. BEAUCHAMP, L’uno e l’altro Testamento. Compiere le Scritture 2, Glossa, Milano 2013, f.

41.

9 F. MANNS, Mosè tra storia e midrash, Chirico 2017, f. 142.

10 P. BEAUCHAMP, L’uno e l’altro Testamento. Compiere le Scritture 2, f. 18.

31 mars 2026, 16:01