Kalendari kishtar kujton Shën Rupertin
R.SH. - Vatikan
Etër dhe mësues për shpirtin e qyteteve dhe të kombeve
Qyteti i njeriut nuk është kurrë vetëm një hapësirë gjeografike, por edhe një dimension i banuar nga histori, përvoja dhe shpirtra; një "shtëpi e përbashkët" që gjen arsye në jetët e shumta që e kanë ndërtuar atë. Ja pse mund të thuhet se mbarë Evropa është e themeluar mbi Ungjillin: janë dëshmitarët e të Krishtit të Ngjallur, përgjatë shekujve, ata që kanë themeluar dhe rithemeluar komunitete, qytete dhe shtete të tëra.
Sot liturgjia na propozon kujtimin e një prej këtyre apostujve të Kontinentit të Vjetër, Evropës, Shën Rupertin, i konsideruar si "rithemeluesi" i Salzburgu, qytetit të kripës, në Austri. Shën Ruperti jetoi në shekullin VIII, ishte me origjinë fisnike dhe u formua në Worms, duke u rritur në dritën e përvojës murgare me origjinë irlandeze. Rreth vitit 700, ai u nis si misionar drejt Bavarisë, duke vjelë frytet e angazhimit të tij sidomos në Ratisbonë dhe Lorch.
Me mbështetjen dhe mbrojtjen e dukës Teodoni II të Bavarisë, Ruperti fillimisht themeloi një Kishë buzë liqenit Waller kushtuar Shën Pjetrit dhe më pas një manastir mbi lumin Salzach, pranë qytetit romak të Juvavum, që asokohe ishte në dekadencë. Nga ajo bërthamë lindi Salzburgu i ri, i cili e njeh atë si ipeshkvin e parë dhe pajtorin e tij qiellor.
Ruperti vdiq në ditën e Pashkëve të vitit 718. Ai zakonisht paraqitet me një enë të mbushur me kripë, në referencë të qytetit të cilit i dha jetë