Kockat e Shën Françeskut të Asizit

Pamja e kockave të Shën Françeskut të Asizit, veçanërisht kur shihen ndër celularë, ngjall një ndjenjë të fortë shqetësimi: jo për reliket, por për një ndjenjë dhunimi. Prej aty, lind një frikë më e thellë, ajo e vetmisë së Shenjtit dhe natyrës radikale të vetë-dhurimit të tij.

R.SH. / Vatikan

Pamja e kockave të Shën Françeskut të Asizit, veçanërisht kur shihen ndër celularë, ngjall një ndjenjë të fortë shqetësimi: jo për reliket, por për një ndjenjë dhunimi. Prej aty, lind një frikë më e thellë, ajo e vetmisë së Shenjtit dhe natyrës radikale të vetë-dhurimit të tij.

Mua, personalisht, kockat e ekspozuara të Shenjtit më trembin. M’u desht shumë kohë për të kuptuar se çfarë ndjenje po më ngjallnin. Sot e di me siguri: frikë! Po e sqaroj menjëherë se nuk jam kundër relikeve. I kryqëzoj duart në kraharor dhe kujtoj... E di mirë se për shumë njerëz, lutja para relikeve të trupit të Shenjtit, ishte çast i pastër hiri.

Nuk po kritikoj, pra, një formë përkushtimi, të cilën e kuptoj dhe e respektoj. Ajo që dëshiroj të shpreh me ju, është arsyeja e frikës që më ngjallën ato kocka kur u pasqyruan në syrin tim.

E para nga një seri pamjesh të eshtrave të Shenjtit, u pasqyrua në celularin tim më 21 shkurt. Nuk isha përgatitur! Nuk e prisja. Dikush më kishte dërguar foton: më zuri, pra, në befasi. E mbylla menjëherë telefonin, i tronditur thellë. M’u duk sikur dikush po më detyronte të shikoja diçka, që nuk dëshiroja ta shihja, a që nuk duhej ta kisha parë! M’u duk si të kisha kapërcyer kufirin, duke hyrë në një lloj pornografie të shenjtë. Besoj se kjo ndodhte për shkak të mjeteve teknologjike. Jo vetëm që Françesku i Asizit ishte nxjerrë nga arkivoli i tij prej guri, jo vetëm ishte ekspozuar për t’u soditur nga të pranishmit, por riprodhimi i eshtrave të tij tashmë po shumëfishohej me shpejtësi të pakontrolluar në çdo cep të botës. Një lloj fragmentimi  pa kontroll. Për sytë e atyre që qenë ngulur mbi atë grumbull kockash të dala pas qindra vjetësh nga dheu, të shkapërndara, apo të shpërbëra.

Nuk iu përgjigja kurrë atij njeriu; duhej të kisha përshkruar dridhjen time, neverinë time, ta kisha pyetur pse ishte kaq i pacipë! Si mund të kishte pasur dëshirën, përballë atyre kockave të vendosura brenda një kutie anonime e të akullt, si mund t’i mungonte dinjiteti për të nxjerrë celularin e tij e për ta bërë atë foto? Për ta shpërndarë e për ta dërguar! Domethënë,  për t'ia dhënë kujtdo...

E edhe për të qenë i pari që e bëri këtë. Më shumë sesa ekspozimi ndër sy, ishte ekspozimi në ekran ai që më shqetësoi. Sigurisht, ai ishte njeriu i parë që e dërgoi foton, i pari nga shumë të tjerë. Të tjerët vijuan e vijojnë ta shumëzojnë çka para syve të mi mbetet akt dhune: a nuk e ndjenin se Françesku ishte i pafaj e i prekshëm? A nuk e shikonin duke u lutur ta linin në vetmi?

U zemërova, u indinjova keqas, por këto nuk ishin ndjenjat më të thella; ishte diçka tjetër. Ishte pikërisht frika. E këtë e kuptova vetëm shumë ditë më vonë, kur një mik, duke folur për fenë dhe shenjtët, më tha: "Është vetmia e Krishtit". Në atë çast reagimi im ndaj relikes së Françeskut të Asizit u bë i qartë: vetmia e tij e amshuar ndërmjet njerëzve. Kjo më frikësoi tmerrësisht. Françesku, i lënë të përpihet nga shikimi që i ngulet presë, që ruan, që shumëfishohet; Françesku, i përdorur nga ata që duan të thonë se ishte atje, se ishte i pari  pra, që dëshmoi, që metaforikisht vuri duart mbi të shenjtën. Françesku vetëm, si në jetë, kur është ndërmjet njerëzve dhe jo i tërhequr në lutje me Zotin e tij.

Françesku, që është vetëm kur keqkuptohet nga fretërit e tij, kur braktiset e tradhtohet prej tyre, kur trupi i tij kërkohet për t’u përdoruar; Françesku i Asizit i vetëm në amshim, edhe sot, tetëqind vjet më vonë. Françesku dhe vetmia e tij e dhunuar, kjo më frikësoi tmerrësisht! Jo se nuk e dija tashmë, por ishte pyetja që më tmerroi: a duhet ta lëmë vërtet veten të tretemi deri në palcë, e të tradhtohemi si Krishti? A duhet të vdesim jo vetëm si fara ungjillore, por të vazhdojmë të vdesim, edhe pas vdekjes, për të dhënë fryt? A nuk ka kufi, jo vetëm për mediokritetin kurioz dhe të pangopur të fesë së turmës, por edhe për detyrën për t'u shembur në vetmi radikale e braktisje dramatike, për të dëshmuar se i përkasim vetëm Zotit? A duhet të bëhemi  kufomë, duke e lënë veten për t'u ngrënë deri në kockë edhe më tej, për të dëshmuar me forcë të pabesueshme fitoren përfundimtare të ringjalljes së mishit?

nga Avvenire,16 marzo 2026,

17 mars 2026, 08:47