2026.03.20 scuola ucraina suor anna

Ukrainë, shkolla nën bombardime në Institutin Gjon Pali II

Çfarë do të thotë të studiosh në një vend të shkatërruar nga katër vjet lufte. Dëshmia e Motrës Anna Zainchkovska, drejtoreshë e shkollës fillore saleziane në Kiev, flet për përvojën e saj: "Pavarësisht luftës dhe pasigurisë për të ardhmen, fëmijët ndihen të sigurt. Ata e dinë se Zoti është me ta. Edhe ne përpiqemi ta transmetojmë pikërisht këtë"

R.SH. - Vatikan

Në Ukrainë më shumë se 60% e popullsisë pohon se i beson Kishës. Së pari është  vetëm ushtria, më pas shërbimet e emergjencës dhe vullnetarët. Kjo statistikë flet shumë më tepër sesa një hierarki institucionesh: flet për gjendjen mendore të një popullsie të tërë të shkatërruar nga konflikti dhe të një vendi që vazhdon të kërkojë një pikë referimi për komunitetin. Edhe kur gjithçka përreth tij po shkatërrohet.

Roli i edukimit

Kjo pikë referimi kalon edhe nga strukturat shkollore. Motër Anna Zainchkovska, drejtoreshë e shkollës fillore saleziane Gjon Pali II në Kiev, tregon: “E hapëm shkollën rreth gjashtë muaj para luftës. Në fillim, nuk​​ na njihnin shumë njerëz, madje as katolikët e Kievit. Si rezultat, kishte pak besim tek ne: ata nuk besonin se murgeshat mund të drejtonin një shkollë. Para se të fillonte lufta, kishim vetëm gjashtë nxënës. Pastaj, megjithatë, me shpërthimin e konfliktit, regjistrimi ynë u rrit. Shumë shkolla nuk ishin të përgatitura për luftë. Ne, megjithatë, duke qenë shkollë e vogël me më pak se 40 nxënës, arritëm të ngrinim një strehë. Kështu, pak nga pak, edhe nxënës nga shkollat ​​shtetërore, që mësuan për ne përmes famullive, filluan të ndiqnin shkollën tonë. Para së gjithash, për arsye sigurie.

Rëndësia e marrëdhënieve

Një nevojë e qartë, sepse në katër vjet konflikti, një në pesë fëmijë  humbi një të afërm ose mik, mbi gjysma panë ose dëgjuan luftime, gati një e treta qenë dëshmitarë të lëndimeve ose vdekjeve, e shumica dërrmuese panë ushtarë të armatosur para syve të tyre. Këto shifra pasqyrojnë një fëmijëri që u rrit brenda luftës, jo thjesht jashtë saj. Por ka një aspekt që prindërit dhe fëmijët tanë e vlerësojnë më shumë: marrëdhëniet. "Të rriturit," vazhdon Motra Ana, "ndjejnë afërsinë dhe mirëkuptimin tonë. Në shumë shkolla, kur bie alarmi para se të fillojnë mësimet, dyert mbyllen dhe prindërit që vijnë vonë duhet ta përballojnë situatën. Ne, megjithatë, mbetemi gjithnjë të gatshëm për nxënësit tanë. Edhe kur është e vështirë. Mendoj për këtë dimër, i cili ishte veçanërisht i ashpër, i ftohtë, me reshje të dendura dëbore dhe, njëkohësisht, me bombardime që prekën pothuajse të gjithë infrastrukturën elektrike të vendit. Në Kiev, shpesh kishim energji elektrike vetëm për dy ose tri orë në ditë. E, kur kishte dritë, nuk kishte ngrohje. E gjithë kjo pati ndikim të thellë tek të rriturit e fëmijët. Fëmijët ishin më agresivë. Kjo është arsyeja pse ne mësuesit duhej të tregonim edhe më shumë durim dhe mirëkuptim, duke u përpjekur të ruanim marrëdhënie pozitive dhe të ndihmonim njëri-tjetrin".

Ndër vështirësitë sociale

Dhe kështu, Motra Ana sot ka një perspektivë unike për shoqërinë ukrainase. Një shoqëri që, ndërsa reziston ushtarakisht, përjeton brishtësi demografike dhe ekonomike. Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, popullsia ka rënë nën 37 milionë, ndërsa shkalla e lindjeve është ndër më të ulëtat në botë, rreth një fëmijë për grua. Tetë nga dhjetë familje flasin për përkeqësimin e kushteve të tyre ekonomike. E nëse baballarët mbeten, shpesh në ballë, nënat largohen me fëmijët e tyre. Familjet ndahen, ribashkohen nga distanca dhe mësohen me një normalitet mungese. Kjo është gjithashtu arsyeja pse po lindin më pak fëmijë. Dhe ata që rriten sot, tashmë kanë plagët e konfliktit: ndërmjet adoleshentëve, një në katër thotë se ka humbur besimin në të ardhmen, e një në tre ndjehet aq i trishtuar, sa nuk i vijon më aktivitetet e përditshme. Hulumtimet tregojnë shqetësim të përhapur: afërsisht një e treta vuajnë nga depresioni, pothuajse një në pesë vuan nga ankthi klinik dhe mbi një e treta shfaq simptoma të traumës psikologjike.

Besimi në të ardhmen

"Është e vërtetë - vëren Motër Ana - nuk ka shumë besim në të ardhmen, sepse nuk e dimë se kur dhe si do të përfundojë lufta. Megjithatë, unë njoh familje me tre ose katër fëmijë. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të ligjit: nëse ka tre fëmijë të mitur, babai është i përjashtuar nga shërbimi ushtarak. Megjithatë, shumë të rinj kanë frikë të krijojnë familje, për arsye ekonomike dhe për rrezikun që burri i tyre mund të dërgohet në front". Në veçanti, shton drejtoresha e institutit, "jemi shumë të shqetësuar për nivelin e arsimit, i cili është i ulët për shkak të mësimdhënies online. Pa energji elektrike, fëmijët shpesh nuk mund të lidhen as me klasat. Gjatë situatave emergjente, shumë shkolla nuk janë në gjendje të vazhdojnë: nxënësit mbeten në strehimore, shpesh pa bërë asgjë". Është interesante të theksohet në këtë drejtim se, nga një perspektivë arsimore, "kurrikulat shkollore nuk kanë ndryshuar shumë. Mësimi online është rritur dhe historia e letërsia ruse nuk kanë më rëndësi, pasi janë ndaluar. Edhe librat në gjuhën ruse u hoqën nga shkollat. Fatkeqësisht, është zhvilluar edhe një formë e edukimit të mbijetesës: të mësuarit për të jetuar me sirenat e sulmeve ajrore dhe nevojat për të gjetur strehim". Megjithatë, përfundon Motër Ana, kjo na jep gëzim: na jep forcë të jemi në gjendje për ta ndihmuar këtë tufë të vogël. Ne duam t'u ofrojmë fëmijëve një vend ku ata mund të ndihen mirë, të studiojnë, të luajnë dhe të bëjnë miq. Pavarësisht luftës dhe pasigurisë për të ardhmen, fëmijët ndihen të sigurt. Ata e dinë se Zoti është me ta. E ne  përpiqemi ta transmetojmë pikërisht këtë!”.

21 mars 2026, 15:00