Bazilika e Varrit të Shenjtë në Jerusalem Bazilika e Varrit të Shenjtë në Jerusalem

Valë reagimesh pas mohimit të hyrjes në Bazilikën e Varrit të Shenjtë

Të shumta dënimet e botës politike dhe institucionale për atë që ndodhi dje në mëngjes, më 29 mars, kur Kardinali Pizzaballa dhe Ati Ielpo u bllokuan nga policia izraelite në hyrje të Kishës, në Jeruzalem. Gjest - denoncojnë - që rrezikon lirinë e fesë e të kultit. E edhe zemërim, për masën e paarsyeshme: ky është qëndrimi i Kishës Italiane, e cila po kërkon armëpushim për Pashkët. Ndërsa Izraeli flet për masat e sigurisë së nevojshme, për shkak të sulmeve iraniane.

R.SH. / Vatikan

Shkaktoi trazira në mëngjesin e djeshëm, 29 mars, lajmi se Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, dhe Kujdestarit të Tokës Shenjte, Atë Francesco Ielpo, iu mohua hyrja në Bazilikën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem, për të kremtuar Meshën e së Dielës së Larit. Ky vendim u zbatua nga policia izraelite.

Dënimi i institucioneve

Shumë udhëheqës politikë folën për ta dënuar ngjarjen. Ministria e Jashtme palestineze, në platformën sociale X, e quajti incidentin "krim që prek si botën e krishterë, ashtu edhe atë islame" dhe "kërkoi ndërhyrje të ngutshme ndërkombëtare për shkelje flagrante të të drejtave themelore të popullit palestinez e, para së gjithash, lirinë e adhurimit", si edhe për  ofendimin kundër ndjeshmërive të atyre që ndajnë shenjtërinë e Jerusalemit me statusin e tij fetar. Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi vendimin e policisë izraelite në platformën sociale X. Në postimin e tij, u siguroi përfaqësuesve të krishterë mbështetjen e plotë dhe kujtoi "shtimin shqetësues të shkeljeve të statusit në viset shenjte, në Jerusalem".

Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, foli në mediat sociale për "ndërhyrje të tepërt", duke kujtuar limitin prej 50 personash brenda vendeve të shenjta - masë e qeverisë izraelite për të garantuar sigurinë – si dhe duke theksuar se delegacioni i udhëhequr nga Kardinali Pizzaballa dhe kujdestari Atë Ielpo përbëhej nga katër persona, "shumë nën atë limit". "Është e vështirë për t'u kuptuar ose për t’u justifikuar", shpjegoi diplomati.

Presidenti i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, Armin Laschet, nënvizoi në mediat sociale se "t’i mohosh kardinalit hyrjen në vendin më të shenjtë të krishterimit, është e papranueshme". "Ky, shtoi, është ngacmim i pastër, pa asnjë ndjeshmëri apo mirëkuptim".

"Mohimi, thuhet në profilin socila të Ministrisë së Jashtme Portugeze, meriton dënimin më të fortë". E më pas u bën thirrje autoriteteve izraelite "ta garantojnë dhe ta mbrojnë lirinë e fesë dhe të kultit".

Jehonë e përhapur në Itali

Jehonë e bujshme edhe në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu mbështetjen e qeverisë italiane për Kardinalin Pizzaballa dhe Atë Ielpo. "Varri i Shenjtë në Jerusalem është vend i paprekshëm i Krishterimit", theksoi ajo, "dhe si i tillë, duhet të ruhet dhe të mbrohet për kremtimin e riteve të shenjta. Mohimi i hyrjes përbën fyerje jo vetëm për besimtarët, por edhe për çdo bashkësi, që e njeh lirinë fetare". Ministri i Jashtëm Antonio Tajani i bëri jehonë ndjenjave të saj, pasi vendosi të thërriste Ambasadorin e Izraelit në Itali, Jonathan Peled. Në rrjetet sociale, shprehu solidaritetin me bashkësinë fetare dhe e quajti ndalimin e hyrjes në Bazilikën e Varrit të Shenjtë "të papranueshëm". Edhe udhëheqësit e opozitës shprehën solidaritetin e tyre me Patriarkun Pizzaballa dhe kujdestarin, Atë Ielpo.

Zëri i Kishës Italiane

Keqardhje për atë që ndodhi dhe solidaritet i plotë me bashkësitë e krishtera të Tokës së Shenjtë. Kështu u shpreh Kardinali Matteo Zuppi, president i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI), në një bisedë telefonike me Patriarkun Latin të Jerusalemit, Kardinalin Pierbattista Pizzaballa, në lidhje me ngjarjet e mëngjesit të djeshëm. "Në emër të Ipeshkvijve italianë - deklaroi Kardinali - shpreh zemërimin tim për 'këtë masë serioze dhe të paarsyeshme', duke rënë dakord me deklaratën e përbashkët të Patriarkanës dhe të Kujdestarisë. Kjo ishte ngjarje e dhimbshme për shumë të krishterë që, duke jetuar në ato toka, përfaqësojnë një dëshmi themelore shprese për mbarë popujt në kohë përçarjesh dhe konfliktesh".

Presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI) siguroi lutjet e tij për të krishterët e Tokës Shenjte dhe theksoi se "autoritetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare kanë detyrën e domosdoshme të garantojnë lirinë fetare në Tokën e Shenjtë, parakusht për çdo proces autentik paqeje". Ai bëri thirrje për krijimin e hapësirave të dialogut dhe arritjen e shpejtë të zgjidhjeve të arsyeshme. "Zotit të paqes - përfundoi Kardinali Zuppi - ia besojmë vuajtjet e atyre që po jetojnë tragjedinë e konfliktit dhe të luftës. U kërkojmë të gjitha qeverive një gjest pajtimi dhe një armëpushim për Pashkët e ardhshme".

Reagimi i Izraelit

Pas deklaratës së përbashkët të Patriarkanës Latine të Jeruzalemit dhe Kujdestarisë së Tokës Shenjte, e cila vuri në dukje rëndësinë e incidentit dhe e konsideroi vendimin "masë qartësisht e paarsyeshme dhe jashtëzakonisht joproporcionale", Presidenti izraelit Isaac Herzog shkroi një postim në platformën sociale X, duke shprehur "pikëllimin e tij të thellë për incidentin e pafat". Ai sqaroi se i kishte telefonuar Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, duke theksuar se vendimi ishte nxitur nga shqetësimet e sigurisë dhe kërcënimi i sulmeve me raketa nga Irani.

Fjalët e presidentit izraelit pasojnë ato të zyrës së Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që premtoi se do të krijonte një plan për t’i lejuar kremtimet në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, në Jeruzalem, duke respektuar gjithnjë masat e sigurisë. Siguroi edhe se "nuk kishte qëllim keqdashës", por ndalimi i hyrjes nga policia izraelite, siç ripohoi zyra e kryeministrit në platformën sociale X, u vendos "vetëm nga shqetësimi për sigurinë e tij dhe të shoqëruesve të tij".

30 mars 2026, 12:19