Messori, kërkues i apasionuar i arsyeve të fesë
R.SH. / Vatikan
nga Andrea Tornielli
Zemra iu ndal të Premten e Madhe në shtëpinë e tij të Desenzano del Garda, Itali, në orën 21.45, pas kujtimit të Mundimeve të Jezu Krishtit që ai i kishte studiuar me ndershmëri të madhe intelektuale në librin e tij, titulluar "Ata thonë se u ringjall". Vittorio Messori, shkrimtar dhe autor i librave më të kërkuar kushtuar fesë, me ndikim në botën kulturore italiane dhe ndërkombëtare, ndërroi jetë! Pas pak ditësh do të mbushte 85 vjeç. Katër vjet më parë humbi gruan e tij të dashur, Rosanna.
Emiliano di Sassuolo lindi në një familje antiklerikale, të zhvendosur në zonën e Brescias e, më pas, në Torino menjëherë pas luftës. Vittorio kishte qenë student i Firpo dhe Bobbio- në universitet, ku u diplomua në Shkencat Politike me Galante Garronen e me një tezë mbi Risorgimenton.
Pasioni për Ungjillin
Në vitin 1964, jeta e tij, e cila deri atëherë kishte qenë larg fesë, ndryshoi rrënjësisht, e ndihmuar nga leximi i Ungjijve. Ato tekste të shkurtra e me vlera të papërshkrueshme, të shkruara pothuajse dy mijë vjet më parë, ia prekën zemrën, duke e shndërruar që në atë çast në kërkues të palodhur të arsyeve të fesë. U regjistrua në Institutin e Kristologjisë të Pro Civitate Christiana, në Asizi, ku kaloi një vit duke studiuar e ku takoi edhe vajzën, që më vonë do të bëhej gruaja e tij. Pasi u kthye në Torino, nisi të punonte në Società Editrice Internazionale dhe të bashkëpunojë me disa gazeta e revista. Në vitin 1970, u bashkua me Stampa Sera, ndërsa më pas do të punonte si redaktor i Tuttolibri.
I tërhequr nga historiciteti i Jezusit
Në vitin 1976 doli eseja e tij e parë e themelore "Hipoteza mbi Jezusin", fryt i dymbëdhjetë viteve studimi. Libër, që eksploron historicitetin e Nazareasit, duke e bërë të arritshme për të gjithë përmbajtjen që zakonisht kufizohet në rrethin e ngushtë të ekspertëve. Ai, pa e dashur e pa e planifikuar, u bë nismëtar i një apologjetike të re dhe moderne, krijuar me rigorozitet ekstrem. Në vitin 1978 u transferua në Milano, ku krijoi revistën e re mujore të Paulinëve “Jesus”, ku do të punonte për disa vjet, e ku më pas do të vazhdonte të kontribuonte, megjithëse jashtë vendit. Në vitin 1982 botoi "Scommessa sulla morte", duke denoncuar krizën e marksizmit. Por ishte kryesisht historiciteti i Ungjijve, që e tërhoqi veçanërisht: ai libër i parë themelor kushtuar Jezusit, u pasua nga të tjerë që sistematizuan kërkimin, të cilit ai do të vazhdonte t'i përkushtohej me pasion gjatë gjithë jetës së tij: "Inchiesta sul cristianesimo" (1987), një udhëtim në dialog me të krishterët, besimtarët e feve të tjera, ateistët dhe agnostikët; "Patì sotto Ponzio Pilato" (1992), "Dicono che è risorto" (2000) dhe "Ipotesi su Maria" (2005).
Libra kushtuar Kardinalit Ratzinger dhe Gjon Palit II
Por libri që kujtohet në mënyrë të veçantë, është një tjetër, i shkruar nga Messori në vitin 1984 pas disa ditë bisedash me Kardinalin Joseph Ratzinger gjatë pushimeve të tij në seminarin Bressanone. Titullohet "Raport mbi Fenë", e mbahet mend veçanërisht për reagimin e jashtëzakonshëm që pati pas publikimit. Ky libër e paraqet publikun e gjerë me mendimin e kardinalit Ratzinger, të cilin Gjon Pali II e kishte emëruar disa vite më parë për të udhëhequr Kongregatën për Doktrinën e Fesë, dhe paralajmëron kundër devijimit ideologjik të një progresivizmi të caktuar. Autor shumë i vlerësuar nga Papët, e edhe nga Papët e ardhshëm, në vitin 1994 iu kërkua të intervistonte Gjon Palin II. Prej këndej lindi libri "Të kalosh pragun e shpresës", në të cilin Papa u përgjigjet 35 pyetjeve të bëra nga Messori. Ndërkaq nisi bashkëpunimin me Corriere della Sera dhe u zgjodh për të njoftuar, përmes një editoriali, vendimin e marrë nga Karol Wojtyla në fillim të viteve 2000: pavarësisht përparimit të sëmundjes, ai nuk do të hiqte dorë nga papnia.
Prioriteti i fesë mbi moralin
Gjatë gjithë jetës së tij, shpallja e fesë dhe arsyet për të besuar, argumente që mbështesnin historicitetin e Ungjijve, ishin qendrore në interesat e tij. Për shkak të jetës para kthesës në fe dhe përparësisë së kerygmës, nuk ishte i interesuar kurrë veçanërisht në çështjet morale. "Pa gozhdën e fesë - dëshironte të përsëriste - varsja e rrobave të moralit nuk mund të qëndrojë lart". Synonte, kështu, të theksonte se në kontekstin e sotëm të shekullarizuar, ishte themelore të shpallej vdekja dhe ngjallja e Krishtit, duke dëshmuar thelbin e fesë.
Studimi i mrekullive dhe i dukjeve mariane
Studiues i madh i dukjeve dhe mrekullive të Zojës Mari në Lurdë, në vitet e fundit përkushtimi i tij Marian u thellua më tej, me përpjekje të konsiderueshme, duke investuar burimet e tij personale në ndërtimin e kapelës së Zojës së Ullirit në kopshtet përreth Abacisë Benediktine të Maguzzano, pranë Liqenit Garda, aktualisht e banuar nga Shërbëtorët e Varfër të Provanisë Hyjnore.
E habitshme që një autor, i cili e shkriu gjithë energjinë e tij për ta rindërtuar figurën e Jezusit, e përfundoi jetën në ditën kur besimtarët e botës kujtojnë vdekjen e Nazareasit në Kalvar.