Shën Kristofor Magallanes Jara Shën Kristofor Magallanes Jara

Martirët Meksikanë: Ungjilli është “i rrezikshëm” për regjimet autoritare

Kristofor Magallanes Jara (Totatiche, Meksikë, 30 korrik 1869 - Colotlán, Meksikë, 25 maj 1927) ishte famullitar dhe misionar mes indigjenëve. Në situatën e ndërlikuar lokale – midis përndjekjes së Shtetit kundër Kishës Katolike dhe reagimeve popullore pasuese, herë pas herë edhe të dhunshme – ai dëshmoi me flijimin e jetës parësinë e mbretërisë së Zotit. Me figurën e tij është bashkuar kujtimi i njëzet e katër martirëve të tjerë, meshtarë dhe laikë, të vrarë midis viteve 1915 dhe 1937.

R.SH. / Vatikan

Më 21 maj kalendari kishtar përkujton shën Kristofor Magallanes Jara (Totatiche, Meksikë, 30 korrik 1869 - Colotlán, Meksikë, 25 maj 1927), famullitar dhe misionar mes indigjenëve, martir. Në situatën e ndërlikuar lokale në Meksikë – midis përndjekjes së Shtetit kundër Kishës Katolike dhe reagimeve popullore pasuese, herë pas herë edhe të dhunshme – ai dëshmoi me flijimin e jetës parësinë e mbretërisë së Zotit. Me figurën e tij është bashkuar kujtimi i njëzet e katër martirëve të tjerë, meshtarë dhe laikë, të vrarë midis viteve 1915 dhe 1937. Të gjithë këta martirë u shpallën të lumtur nga Shën Gjon Pali II më 22 nëntor 1992 dhe së fundi u shpallën shenjtë po nga ai vetë më 21 maj 2000.

Ungjilli është “i rrezikshëm” për regjimet autoritare

 
Martirët Meksikanë dëshmojnë se Ungjilli është “i rrezikshëm” për regjimet autoritare.

Ungjilli, si një flamur lirie, ka qenë gjithmonë “i rrezikshëm” për të gjitha regjimet dhe për çdo formë autoritare të qeverisjes. Kështu ndodhi edhe në Meksikë, ku pas hyrjes në fuqi të një Kushtetute antiklerikale në vitin 1917, komuniteti i krishterë u mor në shënjestër dhe pagoi një haraç të përgjakshëm për dëshminë e vet për Krishtin dhe Ungjillin.

Sot liturgjia e Kishës katolike përkujton një grup martirësh të vrarë nga ajo egërsi, të shpallur shenjtë në vitin 2000. Në krye të tyre është Shën Kristofor Magallanes Jara, i lindur në Totiçe në vitin 1869 dhe, si meshtar, ishte famullitar i fshatit të tij të lindjes. Gjatë shërbimit të tij, ai u kujdes për ungjillëzimin e vendasve indigjenë, duke hapur një mision në Azqueltán midis Huicholes, si dhe themeloi disa shkolla, një jetimore për jetimët dhe një shtëpi të moshuarish.

Shën Kristofor Magallanes Jara u angazhua, gjithashtu, në përhapjen e devocionit ndaj Rruzares Shenjte dhe në promovimin e thirrjeve shenjte. Kur u mbyll Seminari i Guadalajarës, ai hapi një qendër të vogël për formimin e meshtarëve të ardhshëm në famullinë e tij. Edhe pse refuzoi gjithmonë të merrte pjesë në “lëvizjen cristero” – e cila bënte thirrje për një kundërshtim të rreptë ndaj përndjekjes dhe nuk e shmante përdorimin e armëve – të gjitha angazhimet e Magallanes Jara-s e bënë atë të padëshirueshëm për regjimin: në fakt, qëndresa e tij paqësore ishte akoma më “e rrezikshme”. Ai u rrëmbye nga ushtria dhe u pushkatua më 25 maj 1927 në Colotlán, së bashku me 24 shokë të tjerë.

21 maj 2026, 11:08