Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit

Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit, dëshmitar i Krishtit, profet e martir

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit e atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Shën Gjon Pagëzuesi, njeri, që jetonte në shkretëtirë, predikonte e pagëzonte. Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës dhe kthimin e njerëzve tek Hyji. Është profeti i mbramë i Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësi i Krishtit. Gjon Pagëzori shënon pikërisht vijën ndarëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së Re, pra e përuron epokën mesianike

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike romake përkujton sot, 24 qershor, lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të fundit të Besëlidhjes së Vjetër e apostullit të parë të Jezu Krishtit. Kujtojmë se ai quhet “Pagëzuesi” pikërisht sepse pagëzonte me zhytjen në lumin Jordan, të gjithë ata që pendoheshin për mëkatet e bëra e dëshironin të fillonin një jetë të re në Zotin. Është shenjti i vetëm, të cilit sëbashku me Shën Marinë, liturgjia i kujton edhe lindjen, përveç vdekjes.

Nderimi ndaj Shën Gjon Pagëzuesi është përhapur jashtëzakonisht si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në Ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë.

Ungjilltarët e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”.

Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”.

Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar nga Hyji për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit e atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që merr falë e shlyen mëkatet e botës dhe nga populli kërkonte përgatitje shpirtërore për ta përgatitur e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës e të kthimit të njerëzve tek Hyji.

Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet si lindja, ashtu edhe vdekja), por gjithsesi ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Isenhaim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grunevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendosi Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet. Ndërsa piktori i famshëm italian, Karavaxho, me porosinë e Kalorësve të Maltës, që e kanë zgjedhur Shenjtin si pajtor, realizoi kompozimin e njohur në mbarë botën, ‘Kokëprerja e Shën Gjonit’.

24 qershor 2026, 09:53