Martirët e parë të Kishës së Romës

Plaga në histori nga e cila depërton drita e Zotit. Të nesërmen e kremtes së Shën Pjetrit dhe Shën Palit, Kalendari i ri liturgjik i Kishës përkujton Protomartirët Romakë, domethënë martirët e parë që u vranë në Romë gjatë përndjekjeve të para të të krishterëve, emrat e të cilëve nuk kanë mbërritur deri te ne.

Vatican News

«Rreth këtyre burrave që jetuan në shenjtëri [Pjetrit dhe Palit] u mblodh një turmë e madhe të zgjedhurish, të cilët, pasi duruan shumë fyerje dhe mundime për shkak të smirës, u bënë një shembull i shkëlqyer për ne.» (Letra e Shën Klementit drejtuar Korintasve)

Ky përkujtim i kushtohet të gjithë Protomartirëve të Kishës së Romës, të cilët pësuan martirizimin gjatë së njëjtës përndjekje në të cilën u vranë edhe Shën Pjetri dhe Shën Pali. Që nga viti 1969, ky përkujtim liturgjik kremtohet me vend ditën pas solemnitetit të dy Apostujve.

Të kujtosh martirët do të thotë të kujtosh një plagë që e ka shoqëruar Ungjillin gjatë gjithë historisë. Një plagë nga e cila, megjithatë, depërton drita e jetës hyjnore që arrin te çdo njeri. Kështu, dëshmia e të krishterëve të Kishës së Romës, të vrarë në vitin 64 p.K. pasi u akuzuan padrejtësisht nga Neroni për zjarrin që përfshiu qytetin, na kujton edhe sot se shpesh zëri i Ungjillit përpiqet të shuhet nga të pushtetshmit, por vazhdon të dëgjohet falë fesë së popullit të Zotit.

Kishin kaluar vetëm pak vite nga vdekja dhe Ngjallja e Jezusit në Jerusalem, por mesazhi i Tij ishte përhapur tashmë edhe në kryeqytetin e Perandorisë Romake. Kriza ishte e pashmangshme dhe duhej gjetur një fajtor. U vendos që rreziku vinte nga të krishterët, për shkak të fesë së tyre revolucionare. Prandaj, Neroni i shpalli ata fajtorë për zjarrin e madh që shkatërroi Romën. Kjo akuzë nxiti një përndjekje të egër.

Historiani romak Taciti, në veprën e tij Analet, duke përshkruar martirizimin e të krishterëve, shkruan: «Disa, të mbështjellë me lëkurë kafshësh, u lanë të shqyheshin nga qentë; të tjerë u kryqëzuan; të tjerëve, në mbarim të ditës, u vihej zjarri që të shërbenin si ndriçim gjatë natës». Përndjekja kundër të krishterëve vazhdoi deri në vitin 67 p. K..



30 qershor 2026, 10:26