Më 26 korrik Kisha kujton Shën Joakimin dhe Shën Anën, gjyshërit e Jezu Krishtit
Vatican News
Më 26 korrik, Kisha Katolike kremton kujtimin e Shën Joakimit dhe Shën Anës, prindërit e Virgjërës Mari, Nënës së Zotit dhe gjyshërit e Jezu Krishtit. Ata janë figura të dashura të traditës së krishterë dhe paraqiten si shembull i jetës familjare, i besimit të qëndrueshëm dhe i shpresës që nuk shuhet edhe në sprova.
Në mes të verës, kur shumë familje kërkojnë pushim e freski larg vapës së ditëve të nxehta, festa e Shën Anës dhe Shën Joakimit na kujton njëkohësisht edhe vlerën e të moshuarve, të gjyshërve dhe të rrënjëve familjare. Ata na ftojnë të mos harrojmë ata që na kanë dhënë jetën, dashurinë dhe trashëgiminë e besimit.
Sipas traditës së lashtë të Kishës, Joakimi ishte bari dhe jetonte në Jerusalem së bashku me gruan e tij, Anën. Ai shërbente edhe në tempull. Bashkëshortët ishin njerëz të drejtë dhe të devotshëm, por për shumë vite mbetën pa fëmijë. Në pleqëri, kur shpresa njerëzore dukej e humbur, Zoti ndërhyri në jetën e tyre.
Një ditë, ndërsa Joakimi punonte në arë, iu shfaq një engjëll dhe i dha lajmin e gëzuar se lutja e tij ishte dëgjuar dhe se së shpejti do të bëhej baba. Të njëjtin lajm mori edhe Ana. Engjëlli i Zotit i tha: “Ana, Ana, Zoti e ka dëgjuar lutjen tënde. Ti do të lindësh një fëmijë, për të cilin do të flasë mbarë bota”.
Premtimi i Zotit u përmbush dhe atyre u lindi një vajzë, të cilën e quajtën Mari, emër që tradita e lidh me kuptimin “e dashur nga Zoti”.
Maria u rrit në një familje të mbushur me besim dhe më pas, sipas traditës, u kushtua në tempull, ku u edukua në dashurinë ndaj Zotit dhe në dëgjimin e Fjalës së Tij. Ajo do të bëhej ajo që engjëlli do ta quante “e bekuar ndër të gjitha gratë”, Nëna e Shpëtimtarit Jezus.
Edhe pse emrat e Shën Anës dhe Shën Joakimit nuk përmenden në Ungjijtë kanonikë, kujtimi i tyre është ruajtur nga tradita e Kishës, nga shkrimet e Etërve të Kishës dhe veçanërisht nga ProtoUngjilli i Shën Jakobit, një tekst i hershëm i shekullit II.
Kulti i Shën Anës është përhapur shumë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Ajo nderohet si pajtore e nënave dhe e grave shtatzëna, të cilat i drejtohen me lutje për mbrojtje gjatë shtatzënisë, për një lindje të mbarë dhe për shëndetin e fëmijëve të tyre. Emri Ana, nga hebraishtja Hannah, do të thotë “hir”, një emër që përmbledh bukur misionin e saj në historinë e shëlbimit.
Në përshpirtërinë popullore, Shën Ana dhe Shën Joakimi nderohen gjithashtu edhe si mbrojtës qiellor të familjeve, të gjyshërve dhe të prodhimeve të tokës, sidomos të frutave dhe të vreshtave. Në shumë vende besohet se shiu që bie në festën e Shën Anës është një bekim nga Zoti përmes ndërmjetësimit të tyre.
Festa e Shën Joakimit dhe Shën Anës na kujton se familja është vendi ku lind dhe rritet besimi, ku ruhet kujtesa dhe ku dashuria bëhet trashëgimi. Ata na ftojnë të vlerësojmë prindërit dhe gjyshërit tanë, të falënderojmë për jetën e marrë dhe të besojmë se Zoti vepron edhe në heshtjen e pritjes dhe të provave.