Personat e zhvendosur evakuojnë shtëpitë e tyre në Nanning, Provinca Guangxi Personat e zhvendosur evakuojnë shtëpitë e tyre në Nanning, Provinca Guangxi

Kinë, të paktën 15 të vdekur dhe 48 mijë të evakuuar nga reshjet dhe përmbytjet

Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi një mobilizim "të plotë" të operacioneve të shpëtimit, duke u bërë thirrje autoriteteve të bëjnë "çdo gjë të mundur" për t'u ardhur në ndihmë të plagosurve, për të siguruar popullsinë dhe për të parandaluar fatkeqësi të tjera. Në Guangksi (Guangxi) alarmimi për përmbytjet është ngritur në nivelin maksimal, pasi reshjet e rrëmbyeshme dëmtuan disa diga.

Vatican News

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën, qindra të tjerë janë plagosur dhe mbi 50.000 janë zhvendosur si pasojë e stuhive të dhunshme dhe reshjeve të rrëmbyeshme që kanë përfshirë disa zona të Kinës.

Mes Hubeit dhe Guangksisë

Fenomene ekstreme në Ezhou, Provinca Hubei
Fenomene ekstreme në Ezhou, Provinca Hubei

Konkretisht, në provincën qendrore të Hubeit, një fenomen i fortë i konveksionit atmosferik shkaktoi 11 viktima, 331 të plagosur dhe dëme në mijëra banesa. Në Guangxi, në jug të vendit, përmbytjet e shkaktuara nga tajfuni Maysak lanë të paktën katër të vdekur dhe detyruan mbi 50.000 njerëz të evakuonin shtëpitë e tyre. Tetë persona rezultojnë të zhdukur. Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, kërkoi një mobilizim "të plotë" të operacioneve të shpëtimit, duke u bërë thirrje autoriteteve të bëjnë "çdo gjë të mundur" për t'u ardhur në ndihmë të plagosurve, për të siguruar popullsinë dhe për të parandaluar fatkeqësi të tjera. Në Guangxi, alarmi për përmbytjet është ngritur në nivelin maksimal, pasi reshjet e rrëmbyeshme kanë dëmtuar disa diga. Po ashtu edhe gjatë orëve të fundit, një rrëshqitje dheu në provincën veriperëndimore të Gansu zuri poshtë 33 persona: 17 prej tyre u shpëtuan, ndërsa vijojnë kërkimet për të zhdukurit e tjerë.

Fenomene gjithnjë e më ekstreme

Këto ngjarje vijnë në kuadër të një sezoni veror të karakterizuar nga fenomene meteorologjike ekstreme, që po godasin me një shpeshtësi gjithnjë e më të madhe rajone të ndryshme të Kinës. Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale e lidhur me emetimet e gazeve serrë ndikon direkt në rritjen e intensitetit dhe shpeshtësisë së këtyre dukurive. Kina është emetuesi kryesor në botë i gazeve serrë, ndonëse mban vendin e parë edhe si investitori më i madh në energjitë e rinovueshme, siç dëshmohet nga synimi i saj për të arritur neutralitetin e karbonit brenda vitit 2060.

07 korrik 2026, 12:08