FILE PHOTO: Sudanese refugee from Darfur at the Touloum refugee camp in the eastern Chad

Konventa e OKB-së për Refugjatët, një premtim 75-vjeçar

Në 75-vjetorin e Konventës së Gjenevës të vitit 1951, UNHCR-ja i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vijojë impenjimin e filluar pas Luftës II Botërore, duke ofruar mbrojtje për ata, që janë detyruar të largohen nga lufta, persekutimi dhe dhuna. Në një kuadër të karakterizuar nga konflikte, sisteme të tensionuara azili politik dhe burime gjithnjë e më të kufizuara, agjencia e OKB-së bën thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kujton fushatën globale "Premtimi"

Vatican News

         Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, bota zgjodhi ta shndërronte një nga kapitujt më dramatikë në histori në një angazhim të përbashkët. Konventa e Kombeve të Bashkuara lidhur me Statusin e Refugjatëve, e hapur për nënshkrim më 28 korrik 1951, hodhi themelet për sistemin modern ndërkombëtar të mbrojtjes për azilkërkuesit, duke afirmuar një parim të destinuar të bëhet universal: ata që ikin nga persekutimi, konflikti dhe dhuna duhet të jenë në gjendje të gjejnë një vend të sigurt për të rifilluar jetën.

Ripërtëritja e një premtimi

"Ky përvjetor është mundësi për të ripërtërirë një premtim të rëndësishëm, bërë 75 vjet më parë, pas Luftës II Botërore, me qëllim mbrojtjen e atyre, që u detyruan të largoheshin nga konflikti. Përgjegjësia jonë sot është ta mbajmë gjallë këtë premtim për të gjithë brezat që do të vijnë", thekson Federico Fossi, i Zyrës së Komunikimit të UNHCR-së në Itali. "Kjo është arsyeja pse, në këtë përvjetor të rëndësishëm, po fillojmë fushatën Premtimi, një deklaratë publike solidariteti global me refugjatët, që bashkon krerë fetarë, laureatë të Çmimit Nobel, artistë, sipërmarrës, refugjatë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut për të riafirmuar parimet themelore të Konventës së Gjenevës".

Konventa e vitit 1951

E themeluar pas Luftës II Botërore, Konventa ka shoqëruar krizat e mëdha humanitare të dekadave të fundit, duke ofruar mbrojtje për miliona njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Sot, 149 shtete bëjnë pjesë në Konventë, në Protokollin e vitit 1967, ose në të dyja, duke njohur parimin e mos-kthimit mbrapsht, i cili ndalon kthimin e një personi në një vend ku ai mund të persekutohet, të torturohet, ose të pësojë shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut.

28 korrik 2026, 12:07