Me 21 korrik, kalendari kujton Shën Lorencin nga Brindisi

Shën Lorencinnga Brindisi u bë i njohur edhe si predikatar. E kjo sepse, përveç kulturës së jashtëzakonshme, kishte edhe zë të bukur e pamje madhështore. Predikonte me bindje, pajtonte armiqësitë. fFala e tij përkonte plotësisht me mënyrën si jetonte.

Vatican News

Kalendari kishtar sot përkujton Shën Lorencin nga Brindis, një shenjtor "evropian" dhe urë mes dy jetësh. Midis studimit dhe predikimit, midis spiritualitetit dhe angazhimit në histori: Shën Lorenci nga Brindizi është profili i një shenjtori "evropian", dëshmitar i një Ungjilli të mishëruar, urë midis jetës hyjnore dhe ngjarjeve të botës.

Doktor i Kishës, njeri i fesë dhe veprimit. Kultura biblike dhe teologjike ishte një thirrje e vërtetë për Shën Lorencin e Brindizit. Ky doktor i Kishës, megjithatë, nuk jetoi si letrar mes pluhurit të një biblioteke, por në zemrën e Evropës së kohës së tij, mes njerëzve, në oborre mbretërore por edhe në fushat e betejës.

Në pagëzim u quajt Jul Qesari. Lindi në Brindisi, në familjen fisnike, por tashmë të varfëruar, të Gulielm Russoit e Elizabeta Mazelës. Më 1559 i vdiq i ati, ndërsa e ëma e la vetëm 14 vjeç. Humbja e s’ ëmës i shkaktoi një dhimbje të thellë, të pangushëllueshme. Duke qenë tepër i vogël për jetë të pavarur, për të u kujdes një nga xhaxhallarët, i cili edhe e bëri bir në shpirt. Shkoi, kështu, të banonte në Venedik, ku u njoh me kapuçinët. Studioi në Veronë e në Padovë, më pas në Venedik.

Në vitin 1582 Juli u bë fra Lorenci nga Brindisi. Ishte njeri i librave, njohës i thellë i Biblës, të cilën e dinte përmendësh në gjuhën hebraike. Shumë shpejt u bë i njohur edhe si predikatar. E kjo sepse, përveç kulturës së jashtëzakonshme, kishte edhe zë të bukur e pamje madhështore.

Urdhri i Fretërve Kapuçin e dërgoi në vendet më të vështira, në Bohemi, për shembull, ku popullata ishte shkëputur nga Kisha. U prit me armiqësi, por nuk hoqi dorë nga misioni i tij pajtues: nisi të predikonte me zjarr, të pajtonte armiqësitë, të udhëhiqte veprën e kapuçinëve. Me që fjala e tij përkonte plotësisht me mënyrën si jetonte, nisën ta respektonin edhe kundërshtarët më autoritarë të cilët, duke e ndjekur kur kremtonte Meshën, panë me sytë e tyre se ai e rijetonte flijimin e Krishtit në Kryq, që përsëritej në elter. Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit rregulltarë aq, sa të zgjidhej në krye të Urdhrit Fretërve Kapuçi, si Epror i të gjithë fretërve, të cilët e mbiquajtën “ngushëllimi i vëllezërve”.

Papët e princat evropianë i besuan misione të vështira diplomatike. Për tri vjet Fra Lorenci përfaqësoi Kishën në Bavari. E napolitanët, që nuk mund ta duronin më dukën Osuna, e kërkuan atë si ambasador pranë Filipit të Spanjës.

Më 1619, pikërisht në sa drejtonte bisedimet e suksesshme me Filipin III në dobi të napolitanëve, u takua, papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori me vete në sa mbushte 60 vjeç. U shpall shenjt nën papninë e Leonit XIII në vitin 1881. Shkrimet e tij mbetën të panjohura deri në botimin e plotë në vitet 1925-1956. E pas këtij botimi, Papa Gjoni XXIII do ta shpallte Shën Lorencin doktor i Kishës, me cilësimin Doktor apostolik.

21 korrik 2026, 10:20