Më 24 korrik kalendari kujton Shën Sharbel Makhluf
Vatican News
Më 24 korrik kalendari kishtar kremton kujtimin e Shën Sharbel Makhluf (1828–1898), meshtar dhe oshënar maronit nga Libani, një nga shenjtorët më të dashur të Lindjes së Krishterë. Shën Sharbel është oshënari që e gjeti thesarin e jetës në zemrën e Zotin.
Që në rini, Sharbeli iu përgjigj thirrjes së Zotit duke hyrë në Urdhrin Libanez Maronit. Pas shugurimit meshtarak, ai zgjodhi jetën oshënare, duke kaluar 23 vitet e fundit të jetës në lutje, heshtje, agjërim dhe adhurim të vazhdueshëm të Zotit. Në vetminë e maleve të Libanit Sharbel kërkoi vetëm një gjë: të jetonte plotësisht në praninë e Zotit.
Pas vdekjes së tij, ndërmjetësimit të Shën Sharbelit pranë Zotit iu atribuuan shumë mrekulli dhe shërime, duke e bërë atë një shenjë shprese për miliona besimtarë në mbarë botën. Papa Pali VI e shpalli të lum në vitin 1965 dhe shenjt në vitin 1977, duke e paraqitur si një dëshmi të gjallë se shenjtëria lulëzon në heshtje, përvujtëri dhe besnikëri ndaj Ungjillit.
Në zemrën e Zotit zbulojmë atë që na mungon
Jeta e Shën Sharbelit na kujton se takimi më i thellë me Zotin lind në lutje dhe në heshtjen e zemrës. Ai na fton të mos kemi frikë nga vetmia e jetuar me Zotin, sepse pikërisht aty njeriu zbulon paqen e vërtetë dhe thesarin që nuk shuhet kurrë.
Është në vetmitë tona, në largësitë dhe ndarjet tona, që Zoti nuk na braktis kurrë. Përkundrazi, në shkretëtirat tona, aty ku mbetemi vetëm ne dhe Ai, e gjejmë veten edhe më të zhytur në përqafimin e Tij të dashurisë, në vetë qendrën e jetës hyjnore. Pikërisht aty kuptojmë se çfarë na mungon dhe ku gjendet "thesari" ynë i vërtetë, aty ku është edhe zemra jonë. Në këtë dritë duhet lexuar përvoja njerëzore dhe shpirtërore e Shën Sharbelit (me emrin e lindjes Jusuf Antun, ose Jozef Antoni, Makhluf). Rruga e këtij shenjti të Libanit ishte, në të vërtetë, një udhëtim drejt zemrës së Zotit.