Jezusi, Marta e Maria Jezusi, Marta e Maria

Më 29 korrik kalendari kujton shenjtorët Marta, Maria dhe Lazri, miq të Jezusit

Ungjilli na e paraqet Martën si zonjë shtëpie, e përkushtuar dhe e zënë aq, sa të qortohej nga Jezusi, që ndodhej nën strehën e saj si mik. Pajtorja e amvisave dhe e shërbëtorëve, ajo i kërkon Krishtit mrekullinë e ringjalljes së vëllait të saj, Lazrit (i cili kujtohet më 29 korrik, së bashku me motrat: Martën e Marinë)

Vatican News

Marta është grua e gjithanshme që, së bashku me motrën e saj, Marinë pritën Zotin Jezus në shtëpinë e tyre në Betani, pranë Jeruzalemit dhe, pas vdekjes së vëllait, Lazrit, ringjallur nga Krishti, deklaruan: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë, ai që vjen në botë”. Emri Martë do të thotë "zonjë". E Marta është pajtore e amvisave, shërbëtoreve, hotelierëve, bujtinarëve dhe kuzhinierëve. Të parët, që i kushtuan festën liturgjike, ishin françeskanët në vitin e largët 1262.

"Zot, thuaji motrës sime të më ndihmojë"

Marta është motra e Marisë dhe e Lazrit nga Betania, fshat rreth tri kilometra larg Jeruzalemit. Jezusit i pëlqente të strehohej në shtëpinë e tyre mikpritëse, ndërsa predikonte në Jude. Marta duket për herë të parë pikërisht me rastin e njërës prej këtyre vizitave. Ungjilli na e paraqet atë si shtëpijake e mirë, e vëmendshme, gjithnjë e zënë në pritje të denjë të mysafirit, ndërsa motrës së saj Marisë, i kënda të rrijë në heshtje duke dëgjuar fjalët e Mjeshtrit. Prandaj nuk habitemi nga qortimi që Marta i bën Marisë, në sy të Krishtit: «Zotëri, a nuk të vjen keq që motra ime më lë të shërbej vetëm? Thuaji, të lutem, të më ndihmojë”.

Përgjigja e Jezusit mund të tingëllojë si qortim për amvisen aktive: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar për shumë gjëra; por vetëm një është e nevojshme: Maria zgjodhi pjesën më të mirë, e cila nuk do t'i hiqet kurrë." Por ky nuk është qortim - komenton Shën Agustini - «Martë, ti nuk ke zgjedhur të keqen; Megjithatë, Maria zgjodhi më mirë se ti”. Maria konsiderohet si model ungjillor i shpirtrave soditës nga Shën Vasili dhe Shën Gregori i Madh.

Jezusi, Marta e Maria
Jezusi, Marta e Maria

Besojma

Marta rishfaqet në Ungjill në episodin dramatik të ringjalljes së Lazrit, ku kërkon mrekullinë me një pohim të thjeshtë dhe mahnitës të besimit në gjithëpushtetin e Shëlbuesit, në ringjalljen e të vdekurve dhe në hyjninë e Krishtit, e edhe gjatë një gostie, në të cilën merr pjesë vetë Lazri, i ringjallur pak më parë, e edhe këtë herë paraqitet si zonjë shtëpie, që di të bëjë gjithçka.

Mësimi që i dha asaj nga Mjeshtri Jezus, me sa duket nuk kishte të bënte me punën e saj të lavdërueshme, por me shqetësimin e saj të tepruar për gjërat materiale, në dëm të jetës së saj shpirtërore. Nuk kemi asnjë informacion të njohur historikisht për vitet e mëvonshme të Shenjtores, megjithëse rrëfimet legjendare rreth saj janë të shumta. 

Ringjallja e Lazrit
Ringjallja e Lazrit

Më 29 korrik kujtohen të tre: Marta, Maria dhe Lazri

Që nga viti 2021, më 29 korrik në Kalendarin e Përgjithshëm Romak  gjejmë edhe kujtimin e shenjtorëve Marta, Maria dhe Lazri. Vendimin e mori Papa Françesku, duke pranuar propozimin e Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e cila publikoi dekretin përkatës. Deri atëherë, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak kujtohej vetëm Marta. Duke përligjur vendimin, dekreti, i nënshkruar nga prefekti i atëhershëm i Dikasterit, kardinali Robert Sarah, dhe sekretari, kryeipeshkvi Arthur Roche, nënvizon "dëshminë e rëndësishme ungjillore" ofruar nga tre bijtë e asaj dere "në pritjen e Zotit Jezus, duke e dëgjuar atë përzemërsisht e duke besuar se ai është ringjallja dhe jeta”.

“Në shtëpinë e Betanisë - pohohet - Zoti Jezus jetoi shpirtin familjar dhe miqësinë e Martës, Marisë e Lazrit ndaj, për këtë arsye, Ungjilli i Gjonit kujton sa i donte. Marta i ofroi bujarisht mikpritjen, Maria ia dëgjoi përvujtërisht fjalët, ndërsa Lazri doli pa vonesë nga varri, me urdhër të Atij, që e poshtëroi vdekjen”.

29 korrik 2026, 09:22