VENEZUELA-POLITICS-DIPLOMACY-ALBA-SUMMIT

Nikaragua, Ortega blindon pushtetin: "Kurrë më zgjedhje"

Presidenti i vendit të Amerikës Qendrore, në 47-vjetorin e revolucionit sandinist të vitit 1979, njoftoi se nuk do të ketë më zgjedhje, që do t'u jepnin mundësinë kundërshtarëve të tij të marrin pushtetin

Vatican News

Shenjat e para u dukën që vitin e kaluar kur presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, paraqiti një sërë reformash kushtetuese që, ndër të tjera, do të emëronin gruan e tij, Rosario Murillo, "bashkëpresidente" dhe do ta zgjasnin mandatin e tij në gjashtë vjet. Tani, qëllimi i tij për ta mbajtur pushtetin vetëm për vete u konfirmua me njoftimin e së dielës së kaluar, në 47-vjetorin e revolucionit sandinist të vitit 1979, sipas të cilit nuk do të ketë më zgjedhje të asnjë lloji në vend, sepse ato do t’u jepnin mundësinë kundërshtarëve të tij të merrnin pushtetin.

Shtypja pas zgjedhjeve të vitit 2021

Vendimi i presidentit 80-vjeçar, i cili nuk është shkulur nga karrigia e tij e pushtetit që nga viti 2007, pasi pati marrë një mandat presidencial në vitet ‘80, do të mbyllë përfundimisht çdo hapësirë ​​për opozitën, megjithëse Ortega nuk shpjegoi hollësitë e shfuqizimit zyrtar e ligjor të votimeve. Deklarata u bë pikërisht përpara zgjedhjeve të ardhshme,  të planifikuara për nëntorin e vitit 2027. Zgjedhjet e fundit, të mbajtura në vitin 2021, u shoqëruanme protesta të mëdha, pasi Ortega arrestoi kundërshtarët dhe eksponentët e botës së sipërmarrësve, duke shtypur gjithçka me dhunë. Organizatat e të drejtave të njeriut reaguan ashpër. Sipas Juan Sebastián Chamorro, njëri nga kandidatët në zgjedhjet e vitit 2021, i cili mbeti në burg deri në lirimin e tij për t’u përjashtuar nga vendi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2023, së bashku me mbi 200 të burgosur të tjerë politikë, ky vendim i Ortegës konfirmon planin e tij të hershëm për ta përqendruar pushtetin në duart e partisë sandiniste.

Të burgosurit politikë

Sipas të dhënave të organizatës “Mekanizmi për Njohjen e të Burgosurve Politikë”, e cila vepron kryesisht nga mërgimi dhe dokumenton rastet e arrestimeve politike në Nikaragua, të paktën 46 persona mbahen aktualisht në burg për arsye politike. Megjithatë, pas operacionit amerikan në Venezuelë, i cili çoi në kapjen e Nicolás Maduro në janar, qeveria e Nikaraguas njoftoi se do të lironte disa disidentë. Që nga viti 2018, Nikaragua ka mbyllur mbi 5.000 organizata, kryesisht fetare, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga vendi. Në fillim të korrikut, qeveria Ortega-Murillo u hoqi lejet profesionale një numri të madh avokatësh, në një fushatë, që ekspertët e OKB-së e kanë quajtur spastrim të vërtetë të profesionistëve të ligjit.

21 korrik 2026, 15:06