OKB: 144 migrantë të vdekur ose të zhdukur pranë Mauritanisë
Vatican News
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar se 144 migrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur pranë brigjeve të Mauritanisë, pas një tragjedie të rëndë në Oqeanin Atlantik. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), një pirogë, një mjet i thjeshë transporti ujor, ishte nisur nga Gambia me destinacion Ishujt Kanarie në Spanjë, një nga rrugët më të përdorura, por edhe më të rrezikshme të migrimit drejt Evropës.
Në bord ndodheshin 144 persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Vetëm 38 prej tyre arritën të mbijetojnë. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, motori i mjetit lundrues u prish vetëm pak ditë pas nisjes, duke e lënë pirogën në mëshirën e rrymave të forta të Atlantikut. Udhëtarët mbetën pa karburant, pa ushqime, pa ujë të pijshëm dhe pa pajisje navigimi.
Gjatë 25 ditëve në det, shumë prej migrantëve humbën jetën nga uria, dehidratimi dhe lodhja e skajshme. Për të mbijetuar, disa u detyruan të pinin ujë të kripur të oqeanit, gjë që përkeqësoi edhe më tej gjendjen e tyre shëndetësore. Dy persona vdiqën pak pasi arritën në tokë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhduan për pesë ditë.
UNHCR thekson se rruga detare nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie mbetet një nga korridoret më vdekjeprurëse të migrimit në botë. Distancat e gjata, kushtet e paparashikueshme të oqeanit, mjetet e mbingarkuara dhe të pasigurta të trasportit, si dhe vështirësitë për të ndërhyrë shpejt në raste emergjente, e bëjnë këtë itinerar jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Gjatë muajit korrik, roja bregdetare e Mauritanisë ka shpëtuar rreth 390 migrantë në disa operacione të ndryshme, ndërsa që nga fillimi i vitit autoritetet kanë nxjerrë në breg mbi 2.100 persona. Megjithatë, OKB-ja paralajmëron se tragjedi të tilla do të vazhdojnë nëse nuk krijohen korridore humanitare të sigurta dhe rrugë ligjore migrimi.
Edhe pse numri i mbërritjeve në Ishujt Kanarie ka rënë me 61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, trafikantët po përdorin pika nisjeje gjithnjë e më të largëta në Senegal dhe Gambia, duke detyruar migrantët të përshkojnë më shumë se 2.000 kilometra në det me mjete të vjetra dhe të papërshtatshme trasporti, duke e kthyer udhëtimin në një rrezik të vazhdueshëm për jetën.