Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, në përvjetorin e lindjes
Vatican News
Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Gjon Françesk Albani, Klementi XI, me orgjinë shqiptare, ishte Papa i 243-të i Kishës Katolike nga viti 1700 deri në vitin 1721. Teolog, jurist, intelektual, mecenat dhe njeri me besim të thellë, ai e udhëhoqi Kishën përmes sfidave të ndërlikuara të Luftës së Trashëgimisë Spanjolle, duke u përpjekur më kot të ruante neutralitetin dhe territoret papnore.
Pra si sot, më 23 korrik të vitit 1649, në qytetin piktoresk të Urbinos, në Itali, erdhi në jetë një fëmijë që do të shënjonte përgjithmonë historinë e Kishës e të kontinentit europian, por veçanërisht historinë e Shqipërisë. U pagëzua me emrin Gjon Françesk Albani – një emër që mbartte me krenari rrënjët e thella të të parëve të tij.
I pajisur me një mendje të mprehtë dhe një arsimim të shkëlqyer, në Romë, rioshi nga familja Albani ngjiti me hapa të shpejtë shkallët e shërbimit kishtar. Aftësitë e tij si teolog dhe jurist e bënë së pari sekretar të kanonikëve e më pas kardinal, derisa më 23 nëntor të vitit 1700, Konklava e zgjodhi në krye të Kishës Universale si pasardhësin e 261-të të Shën Pjetrit, me emrin Klementi XI.
Gjatë njëzet viteve të pontifikatit të tij, Papa Klementi XI lundroi nëpër ujëra mjaft të trazuara. Europa po përçahej nga lufta shkatërruese për Trashëgiminë Spanjolle dhe konflikti mes Francës e Perandorisë minonte vetë sigurinë e Romës. Me një urtësi të rrallë diplomatike, ai ditë të menaxhonte tensionet e traktateve paqësore që po ritvizatonin hartën e kontinentit, ndërkohë që në lindje rikthehej hija e kërcënimit turk. Por mendja e tij nuk u ndal vetëm te politika e ditës: ai reformoi liturgjinë, mbrojti doktrinën teologjike nga herezitë e kohës dhe i dha një hov të paprecedentë misioneve në vende të largëta si Persia, India e Kina.
Megjithatë, përse i ulej në fronin më të lartë të botës katolike, zemra e Gjon Françesk Albanit nuk e harroi kurrë Dheun e të Parëve. Nën pushtimin e egër osman, Shqipëria po lëngonte në errësirë e në rrezikun e asimilimit. I prekur nga fati i tokës së origjinës, Papa Klementi XI dërgoi një rreze shprese që do të ndezte shkëndijën e parë të Rilindjes sonë kombëtare e shpirtërore.
Në vitin 1703, me nxitjen dhe mbështetjen e tij të drejtpërdrejtë, u mblodh i famshmi Kuvendi i Arbënit. Me urdhër të Papës, Akteve të këtij kuvendi u botuan si në latinisht ashtu edhe në gjuhën shqipe – një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe gjuhësore, që mbajti gjallë frymën, kulturën dhe fjalën e shkruar shqipe në ditët më të errëta të vendit.
Përveç vizionit shtetëror e teologjik, Klementi XI la pas edhe një nga perlat më të bukura të shpirtërore që njihet si "Lutja Universale", një testament besimi e thjeshtësie që buronte nga thellësia e shpirtit të tij:
“O Zoti im, besoj në Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty, ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë; pendohem para Teje, ma shto pendesën.
Të adhuroj si fillesën e parë, të dëshiroj si qëllimin e fundit, të lavdoj si bamirësin tim të përhershëm; të thërras në ndihmë si mbrojtësin tim sovran. Të lutem, më drejto me urtinë tënde, më gjyko me drejtësinë tënde, më ngushëllo me mëshirën tënde, më mbro me fuqinë tënde.
Ty t’i kushtoj, o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia, veprat e mia, vuajtjet e mia. Që sot e tutje do të mendoj veç për Ty, do të flas për Ty, do të veproj si të më thuash Ti, do të vuaj për Ty. Dua atë që do Ti, siç e do Ti, sepse e do Ti!
Të lutem o Zot, ma jep urtinë, ma kalit vullnetin, ma pastro trupin, ma shenjtëro shpirtin. Më ndihmo të pendohem për mëkatet, të fitoj mbi tundimet, të praktiko virtytet. Ma mbush zemrën me dashurinë e mirësinë tënde, me mërinë për hipokrizinë, me zellin për të afërmin, me neverinë për vesin.
Më ndihmo ta mund koprracinë me lëmoshë, zemërimin me ëmbëlsi, përtacinë me vetëmohim. Më ndihmo të jem i pjekur në këshilla, i qëndrueshëm në rreziqe, durimtar në prova, i thjeshtë në sukses. Bëj, o Zot, të jem i përkushtuar në lutje, i përmbajtur në të ngrënë, i zellshëm në punë, i qëndrueshëm në vendime.
Më mëso ta kem zemrën të pastër, veshjen të thjeshtë, bisedën bindëse, sjelljen të rregullt. Më ndihmo ta sundoj natyrën, të jetoj sipas urdhërimeve tuaja, të meritoj shëlbimin. Bëj që të jem gati për të vdekur, t’i druhem gjykimit tënd, të shpëtoj nga ferri, të fitoj parajsën. Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen!”
Kështu, mes diplomacisë europiane, lutjes me përulësi dhe dashurisë për rrënjët e tij, Gjon Françesk Albani mbetet një nga figurat më ndritura të historisë, duke dëshmuar se si nga Froni i Shën Pjetrit mund të ndriçohej edhe shtegu i lirisë për popullin e tij.