Më 18 gusht kalendari kujton shën Helenën, perandoreshë
Vatican News
Sot përkujtojmë me mirënjohje Shën Elenën (Helën), një grua e shquar për fenë, bamirësinë dhe dashurinë e saj ndaj të varfërve e nevojtarëve.
Jeta e saj na kujton se kujtesa e fesë nuk ruhet vetëm duke nderuar vendet dhe shenjat e shenjta, por mbi të gjitha duke u përkulur me dashuri mbi plagët dhe vuajtjet e njerëzimit. Dëshmia e krishterë bëhet e besueshme kur kujdesi për trashëgiminë e fesë bashkohet me shërbimin ndaj atyre që vuajnë.
Flavia Julia Elena lindi në Bitini (Vithini) rreth viteve 248–250. Ajo u martua me Kostanc Klorin dhe pati një djalë, Kostandinin, i cili më vonë u bë perandor. Kur Kostandini mori pushtetin në vitin 306, Elena përdori pozitën e saj për të bërë vepra bamirësie dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Dëshmia e saj e fesë lidhet ngushtë edhe me kthimin e Kostandinit drejt krishterimit. Pas shpalljes së lirisë së kultit për të krishterët në vitin 313, në perandorinë romake, Elena ndërmori një shtegtim në Tokën e Shenjtë në vitin 326. Atje u përkushtua në kërkimin, ruajtjen dhe nderimin e vendeve të shenjta të lidhura me jetën, mundimet, vdekjen dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit.
Tradita e krishterë e lidh emrin e saj veçanërisht me gjetjen e Kryqit të Shenjtë. Ajo gjithashtu kontribuoi edhe në ndërtimin e Bazilikës së Lindjes së Krishtit dhe të Bazilikës së Ngjitjes së Zotit në Qiell.
Shën Elena, e cila vdiq rreth viteve 329–330, na mëson se të kujtosh do të thotë të dëshmosh, ndërsa të besosh do të thotë të shërbesh. Kujtesa e vendeve të shenjta, e Kryqit dhe e veprës së Krishtit merr kuptimin e saj të plotë kur na nxit të shohim dhe të prekim me dashuri plagët e vëllezërve tanë.
Lutje
O Zot,
nëpërmjet ndërmjetësimit të Shën Elenës,
na jep një zemër të ndjeshme ndaj nevojtarëve,
besim të qëndrueshëm përballë Kryqit
dhe dashuri të sinqertë për çdo njeri që vuan.
Na mëso të ruajmë me besnikëri kujtesën e fesë
dhe të bëhemi dëshmitarë të Ungjillit
përmes veprave të mëshirës dhe të dashurisë.
Në emër të Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Amen.