Shën Gjoni Eudesi, apostull i dashurisë së Jezusit dhe Marisë

Jeta e Shën Gjon Eudesit mbetet dëshmi e një besimi që nuk qëndron vetëm në fjalë. Ai e predikoi dashurinë e Zotit, por edhe e bëri atë të dukshme: duke u afruar me të sëmurët kur të tjerët kishin frikë, duke u dhënë një të ardhme grave të braktisura dhe duke punuar për një kler më të përgatitur dhe më të përkushtuar. Për të, zemra e krishterë duhej të ishte një zemër që lutet, dashuron dhe shërben.

Vatican News

Më 19 gusht, kalendri kishtar përkujton Shën Gjon Eudesin, meshtarin francez që ia kushtoi gjithë jetën predikimit të Ungjillit, formimit të meshtarëve dhe kujdesit për njerëzit më të brishtë. Ai lindi në Normandi në vitin 1601 dhe vdiq në Caen më 19 gusht 1680.

Që në rininë e tij, Gjoni ndjeu thirrjen për t’iu kushtuar Zotit. Pas studimeve në Paris, ai u bashkua me Kongregatën e Oratorit, e themeluar për formimin e predikuesve të mirë. Në vitin 1625 u shugurua meshtar dhe u kthye në Normandi. Ishte pikërisht aty ku u përball me një nga provat më të mëdha të jetës së tij.

Në Caen kishte shpërthyer murtaja dhe shumë njerëz jetonin nën frikën e sëmundjes dhe të vdekjes. Gjoni nuk qëndroi larg. Ai iu afrua të sëmurëve, u shërbeu si infermier dhe u qëndroi pranë atyre që po përgatiteshin të vdisnin. Për të mos rrezikuar të tjerët, vendosi të izolohej dhe jetoi edhe në një kasolle të improvizuar. Edhe vetë u prek nga murtaja, por arriti të shërohej.

Pas kësaj përvoje, nisi një tjetër udhëtim, këtë herë nëpër rrugët e Francës. Gjoni Eudesi u bë një predikues i palodhur dhe zhvilloi “misionet popullore”, duke shkuar nga një fshat në tjetrin dhe nga një qytet në tjetrin. Predikimet e tij tërhiqnin shumë njerëz dhe nxisnin kthime të shumta në jetën e krishterë.

Por me kalimin e viteve, ai kuptoi se kthimi i njerëzve nuk mund të mbështetej vetëm te predikimi. Kisha kishte nevojë për meshtarë të përgatitur mirë, të aftë për t’i shërbyer popullit jo vetëm me njohuri, por edhe me një jetë të thellë shpirtërore. Në atë kohë, shumë meshtarë në Francë nuk kishin formimin e nevojshëm dhe seminaret e kërkuara nga Koncili kishtar i Trentit ende nuk ishin zhvilluar sa duhej.

Përballë kësaj nevoje, Gjoni vendosi të veprojë. Në vitin 1643 themeloi Kongregatën e Jezusit dhe Marisë, e njohur më vonë si Kongregata e Eudistëve. Misioni i saj ishte të predikonte, por mbi të gjitha të formonte meshtarë të rinj dhe të drejtonte seminare. Në të njëjtin vit, në Caen, Gjoni themeloi seminarin e parë të Normandisë. Më pas, veprimtaria e tij u shtri edhe në qytete të tjera të Francës.

Zemra e tij nuk u kufizua vetëm te formimi i klerit. Ai pa edhe plagët e shoqërisë së kohës, veçanërisht dramën e grave të braktisura dhe të shfrytëzuara. Për t’u dhënë atyre një mundësi për të nisur një jetë të re, themeloi në Caen Urdhrin e Zojës së Bamirësisë së Strehimit. Kjo vepër do të bëhej më vonë një pikë referimi për përkujdesjen dhe rehabilitimin e grave në vështirësi.

Në qendër të gjithë veprimtarisë së tij ishte dashuria për Zemrën e Jezusit dhe Zemrën e Marisë. Gjoni Eudesi ishte ndër figurat që më shumë kontribuuan në përhapjen e këtij devocioni në Kishë. Për të, Zemra e Jezusit nuk ishte thjesht një simbol, por shprehja e vetë personit të Krishtit dhe e dashurisë së tij për njerëzimin. Në të njëjtën mënyrë, Zemra e Marisë ishte shenjë e një zemre tërësisht të dorëzuar në duar të Zotit.

Gjoni Eudesi i kushtoi shumë kohë edhe shkrimit. Ndër veprat e tij më të njohura është “Zemra e admirueshme e Nënës së Zotit”, një vepër që pasqyron thellësinë e përshpirtërisë së tij ndaj Marisë dhe Krishtit.

Ai u nda nga jeta në Caen më 19 gusht 1680, pas një jete të shënuar nga predikimi, shërbimi ndaj të sëmurëve, kujdesi për të braktisurit dhe formimi i meshtarëve. U shpall i lumë nga Papa Piu X në vitin 1909 dhe shenjt nga Papa Piu XI në vitin 1925.

Jeta e Shën Gjon Eudesit mbetet dëshmi e një besimi që nuk qëndron vetëm në fjalë. Ai e predikoi dashurinë e Zotit, por edhe e bëri atë të dukshme: duke u afruar me të sëmurët kur të tjerët kishin frikë, duke u dhënë një të ardhme grave të braktisura dhe duke punuar për një kler më të përgatitur dhe më të përkushtuar. Për të, zemra e krishterë duhej të ishte një zemër që lutet, dashuron dhe shërben.

19 gusht 2026, 14:08