Shna Rroku – shtegtari që nuk kishte frikë nga të sëmurët ee murtajës

Shna Rroku, shenjti që e ktheu frikën e murtajës në dashuri, mëshirë dhe shpresë

Vatican News

Shën Rroku lindi në Montpellier të Francës rreth viteve 1345–1350. Bir i një familjeje të pasur dhe të devotshme, ai humbi prindërit ende i ri. Në vend që të mbante pasuritë për vete, i shiti të gjitha dhe zgjodhi rrugën e shtegtarit, duke u nisur drejt Romës për t’u lutur te varret e apostujve Pjetër dhe Pal.

Por rruga e tij nuk ishte vetëm një udhëtim drejt Romës. Ishte një udhëtim drejt njerëzve që vuanin. Kur murtaja përhapej dhe të gjithë iknin të tmerruar, Rroku afrohej. Në Acquapendente hyri në spital dhe u shërbeu të sëmurëve pa frikë, duke u sjellë atyre ngushëllim, lutje dhe shpresë. Sipas traditës, me shenjën e kryqit dhe lutjen e tij, shumë të sëmurë gjetën shërim.

Edhe në Romë vazhdoi misionin e tij. Thuhet se shëroi një kardinal të prekur nga murtaja dhe u paraqit para Papës. Më pas, duke kaluar nëpër qytetet e Italisë, vazhdoi të ndihmonte të sëmurët dhe të harruarit.

Por një ditë edhe Rroku u prek nga murtaja. I vetmuar dhe i rraskapitur, u tërhoq në një pyll pranë Sarmatos. Atje, kur dukej se gjithçka kishte marrë fund, një qen i sillte çdo ditë një copë bukë. Ishte një shenjë e vogël, por e mjaftueshme për t’i dhënë jetë dhe shpresë.

Në kthim drejt atdheut, Rroku u arrestua në Voghera. Nuk tregoi emrin e tij dhe u quajt vetëm “një shërbëtor i përvujatur i Jezu Krishtit”. Kaloi rreth pesë vjet në burg dhe aty, më 16 gusht, ndërroi jetë, ende shumë i ri.

Pas vdekjes, kujtimi i tij u përhap si një dritë mes njerëzve. Shën Rroku u bë mbrojtës qiellor i të sëmurëve, i të varfërve dhe i të gjithë atyre që përballeshin me epidemitë. Në vitin 1414, edhe Koncili kishtar i Konstancës iu lut atij për çlirimin nga murtaja.

Në ikonat e tij shfaqet si shtegtar, me shkopin dhe guaskën e udhëtarit, me kryqin mbi kraharor dhe me qenin besnik pranë këmbëve. 

Me kalimin e shekujve, nderimi për të mori edhe njohje zyrtare nga Kisha. Papa Gregori XIII e përfshiu emrin e Shën Rrokut në Martirologun Romak. Më vonë, gjatë papnisë së Urbanit VIII, u miratuan lutje dhe Meshë të posaçme për Kishat kushtuar atij. Në vitin 1694, Papa Inocenti XII urdhëroi që françeskanët ta kremtonin festën e tij me një rit të veçantë, duke u mbështetur edhe në përmendjen e Shën Rrokut nga Papa Pali IV, në vitin 1547, si anëtar i Urdhrit të Tretë të Shën Françeskut.

Kështu, nga një shtegtar që ecte pa pasuri dhe pa frikë mes të sëmurëve, Shën Rroku u shndërrua me kalimin e kohës në një nga figurat më të dashura të devotshmërisë popullore: shenjti që qëndronte pranë njeriut pikërisht atëherë kur sëmundja dhe frika i largonin të gjithë të tjerët. Kështu Shëna Rroku mbeti në kujtesën e popullit si shenjtori që nuk u largua kur të tjerët ikën; që hyri aty ku kishte frikë, dhimbje dhe vdekje, për t’u sjellë njerëzve dashuri, mëshirë dhe shpresë.

16 gusht 2026, 09:54