Imzot András Veres, ipeshkëv i Győr, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Hungareze, në Kongresin Eukaristik Imzot András Veres, ipeshkëv i Győr, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Hungareze, në Kongresin Eukaristik

Imzot Veres: Kongresi Eukaristik, përvojë e frytshme bashkimi

Po vjen dita kur Papa Françesku do të jetë në Budapest për të kremtuar përfundimin e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar. Që nga 5 shtatori, në të po përjetohet një atmosferë lutjeje dhe dialogu. Në mikrofonin e Vatican News, kryetari i ipeshkvijve hungarezë, imzot András Veres, përshkruan ç’po ndodh këto ditë, duke shpresuar që Kongresi të sjellë fryte të mira për Hungarinë e për gjithë Kishën

R.SH. - Vatikan

Disa ditë para udhëtimit të Papës Françesku për në Budapest, ku, në përfundim të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, do të kryesojë meshën në Sheshin e Heronjve të kryeqytetit të Hungarisë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Hungareze, imzot András Veres, ipeshkëv i Győr, flet në mikrofonin e Vatican News, për temat më të rëndësishme për Kishën lokale, si: pjesëmarrja e madhe dhe çastet e përshpirtërisë së thellë, përjetuar në Kongresin Eukaristik; pritja e Papës, ditën e diel; mesazhi i paqes dhe i solidaritetit, që Kongresi dëshiron t’i japë botës; rëndësia e ngjarjes për njohjen më të mirë të vendit të tij, si edhe impenjimi i Kishës së Hungarisë në mbrojtje të vlerave të krishtera, të fëmijëve, familjes dhe martesës. Së pari, të dëgjojmë si po zhvillohet Kongresi Eukaristik…

         Falë Zotit jemi mbledhur një numër i madh njerëzish. Nuk mendoja se gjatë ditëve të javës, mund të mblidheshin kaq njerëz, por falë Zotit, jemi shumë. Siç më thanë edhe ipeshkvijtë nga vendet e tjera, ndihet atmosfera e lutjes dhe e heshtjes. Gjë e bukur kur lutemi së bashku e sigurisht, për një takim si ky, për një Kongres Eukaristik, është më e rëndësishme të kemi këto çaste lutjeje dhe jo vetëm ato të konferencave apo të ngjarjeve kulturore: pikërisht për këtë arsye, ishte përvojë e bukur që nga fillimi.

        A mund të flitet që tani për fryte shpirtërore të Kongresit, pas kësaj që keni përjetuar?

         Kemi shpresa, nuk mund ta dimë se ç’fryte do të kemi. Megjithatë, sipas mendimit tim, në këto kohë, që po kalon Evropa dhe gjithë bota, ky takim mund të japë një mesazh paqeje dhe pajtimi. Hungaria ndodhet në qendër të Evropës, këtu kemi mundësinë e takimit ndërmjet Kishës Ortodokse dhe Kishës Perëndimore. Në fakt, kjo arrihet, sepse këtu kanë ardhur shumë ipeshkvij dhe kardinaj nga Lindja e Mesme, që po japin dëshmi për vuajtjet dhe persekutimet në vendin e tyre. Dëshmia e tyre është prekëse, të gjithë u duartrokitën fuqishëm, të pranishmit donin t’u shprehnin solidaritetin, t’u siguronin lutjen, bashkimin me ta në lutje.

         Ç’rëndësi ka për Kishën në Hungari ky Kongres Eukaristik, që do të mbyllet nga Ati i Shenjtë?

         Më duhet të them një dëshirë timen. Sigurisht që Hungaria, madje edhe Kisha në Hungari, po kalojnë një çast tejet të vështirë, po të kemi parasysh edhe politikën dhe gjendjen shoqërore në Evropë. Shpesh dëgjojmë kritika të ashpra, jo të vërteta. Prandaj, ata që kanë pasur mundësinë të jenë të pranishëm, të dëgjojnë dhe të shohin se ç’po ndodh në Hungari, në Kishë, në qytetin e Budapestit, mund ta kuptojnë vetë se e vërteta është shumë e ndryshme. Mjetet e komunikimit masiv nuk japin informacion të saktë e të vërtetë për Hungarinë dhe për jetën kishtare në Hungari. Shpresojmë që dëshmia jonë për t’iu përmbajtur fort vlerave të krishtera, atyre që kanë të bëjnë me fëmijët, familjen, martesën, - konkretisht e jo vetëm me fjalë – ta bëjë të qartë se ne e mbrojmë edhe sot Kishën, vlerat ungjillore, prandaj, shpresojmë që të gjithë të jenë të paktën disi në favor të Kishës dhe të popullit hungarez. Ne dëshmojmë se, pas kaq shumë vitesh ateizmi dhe komunizmi, Kisha është gjallë, madje, po rritet pavarësisht nga vështirësitë - sepse kemi shumë probleme shekullarizimi, ose probleme të tjera të pranishme edhe në vendet perëndimore - por ka një farë, një bërthamë të popullsisë, që dëshiron ta jetojë krishterimin, fenë. Shpresojmë që me këtë dëshmi t’i bëjmë të tjerët t’i shohin këto vlera dhe dëshirën tonë.

         Me ç’frymë po e presin besimtarët Papën Françesku në Budapest?

         Pavarësisht se këto janë ditë pune, shumë janë të pranishëm. E dimë nga prenotimet se për meshën e Atit të Shenjtë do të vijnë edhe më shumë. Shpresojmë që të gjithë ta përjetojnë mirë kremtimin e përbashkët me krejt botën, përmes Papës. Gjyshërit e mi flisnin gjithmonë për Kongresin Eukaristik të vitit 1938. Shpresojmë që njerëzit e pranishëm në kremtimin e kësaj radhe t’u tregojnë fëmijëve dhe nipërve e mbesave për këtë përvojë të bukur të takimit me Atin e Shenjtë.

09 shtator 2021, 12:12