WhatsApp-Image-2025-09-19-at-16.17.02AEMJ.jpg

Dialogu ndërfetar: modeli shqiptar në Ballkan e në botë

Paraqitet në Romë, libri “Dialogu Ndërfetar: kontributi i Shqipërisë në Ballkan”, me autorë profesorin italian Ambrogio Bongiovanni dhe meshtarin orionin shqiptar, dom Dorian Mjeshtri. Në të përmblidhen relacionet e konferencës së 28 dhe 29 shtatorit 2023, në Gregoriana, ku studiues shqiptarë dhe italianë, diskutuan për këtë, me pjesëmarrjen e Qendrës për Bashkëpunimin Ndërfetar të Elbasanit, të Universitetit të këtij qyteti, të përfaqësuesve të Kishës Katolike dhe të të gjitha bashkësive fetare

R.SH. - Vatikan

U paraqit të enjten, më 18 shtator, në selinë prestigjoze të ambasadës italiane në Selinë e Shenjtë, në Romë, libri “Dialogu Ndërfetar: kontributi i Shqipërisë në Ballkan”, me autorë profesorin italian Ambrogio Bongiovanni dhe meshtarin orionin shqiptar, dom Dorian Mjeshtri.

Siç nënvizoi prof. Bongiovanni, drejtor i Qendrës Studimore për Dialogun Ndërfetar në Universitetin Papnor Gregorian, libri “është një ushtrim akademik” për të reflektuar mbi dialogun ndërfetar në Shqipëri dhe mbi rëndësinë, që ka pasur dhe mund të ketë ai në Ballkan, por edhe më gjerë, në botë. Në të përmblidhen relacionet e konferencës së 28 dhe 29 shtatorit 2023, në Gregoriana, ku studiues shqiptarë dhe italianë, diskutuan e shkëmbyen mendime mbi të njëjtën temë, me pjesëmarrjen e Qendrës për Bashkëpunimin Ndërfetar të Elbasanit, të Universitetit të këtij qyteti, të përfaqësuesve të Kishës Katolike dhe të të gjitha bashkësive fetare shqiptare. Për t’u përmendur, kontributi i jezuitit italian, që shërbeu për 20 vjet në Shqipëri, atë Lello Lanzilli, i cili ndërroi jetë vetëm pak muaj pas sesionit studimor, duke lënë, ndoshta shkrimin e tij të fundit që ka parë dritën e botimit, kushtuar kontributit të jezuitëve në Shqipëri në edukimin e brezave të rinj.

Takimi i 18 shtatorit – nëpërmjet relatorëve si vetë prof. Bongiovani e don Dorian Mjeshtri, por edhe Sekretari i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar, imzot Indunil Janakaratne Kodithuwakku Kankanamalage, si edhe profesori shqiptar i historisë dhe i filozofisë moderne në Universitetin Papnor Gregorian, Ardian Ndreca - vuri në dukje aspekte të ndryshme të dialogut ndërfetar në Shqipëri, duke përvijuar me shembuj e ngjarje modelin, që Papa Françesku e pati quajtur “jo tolerancë, por vëllazërim”, gjatë udhëtimit të tij në Tiranë, më 21 shtator 2014.

Të pranishmit që kishin mbushur plot sallën e mrekullueshme të Pallatit Borromeo, ndërtimi i të cilit daton në vitin 1561, u përshëndetën nga ambasadori i Italisë në Selinë e Shenjtë, Sh.T. Francesco Di Nitto, nga ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Sh.S. Majlinda Frangaj, si edhe nga rektori i Universitetit Papnor Gregorian, atë Mark Andrew Lewis, jezuit.

Don Dorian Mjeshtri, orionin
Don Dorian Mjeshtri, orionin

Ia drejtuam mikrofonin koordinatorit të departamentit mbi dialogun ndërfetar në Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar të Elbasanit, don Dorian Mjeshtri, për të na shpjeguar cilat janë shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet libri i paraqitur më 18 shtator, botuar në kolanën “Studium” të Gregorianës, në dy gjuhë: italisht dhe shqip. Ta dëgjojmë…

Dëgjo don Dorian Mjeshtrin...
19 shtator 2025, 15:21