2023.05.30 Famiglia adottiva Patto Globale Family Global Compact

Çelësi i fjalëve të Kishës: familja, protagoniste e jetës shoqërore

Familjet nuk janë vetëm objekt i veprimit politik, por mund dhe duhet të bëhen subjekt i tij, duke bërë ç’është e mundur «që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin e t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes. Në këtë drejtim familjet duhet të kenë vetëdijen se janë “protagoniste” të së ashtuquajturës “politikë familjare” dhe të marrin përsipër përgjegjësinë që ta shndërrojnë shoqërinë» (Gjon Pali II, Familiaris consortio)

R.SH. – Vatikan

Në kuadrin e ciklit tonë kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, sot do t’ju flasim për protagonizmin e familjes në jetën shoqërore. Ky protagonizëm i ka rrënjët në vetë familjen e në solidaritetin ndërmjet anëtarëve të saj, ndërmjet familjeve të ndryshme, por edhe nëpërmjet formave të ndryshme të pjesëmarrjes në jetën shoqërore e politike. Është rrjedhojë e realitetit familjar, bazuar në dashuri.

Solidariteti e familja

Solidariteti mund të marrë pamjen e shërbimit dhe të vëmendjes ndaj atyre që jetojnë në varfëri e në mjerim, ndaj jetimëve, ndaj personave me aftësi të kufizuara, ndaj të sëmurëve, ndaj të moshuarve, edhe ndaj atyre që janë në zi, ndaj atyre që janë në dyshim, në vetmi apo të braktisur; është solidaritet që i hapet mirëpritjes, marrjes në besim apo birësimit; që di të bëhet zëri i çdo situate vështirësie pranë institucioneve, me qëllim që të ndërhyjnë sipas qëllimeve të tyre specifike.

Familjet nuk janë vetëm objekt i veprimit politik, por mund dhe duhet të bëhen subjekt i kësaj veprimtarie, duke bërë ç’është e mundur «që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin e t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes. Në këtë drejtim familjet duhet të kenë vetëdijen se janë “protagoniste” të së ashtuquajturës “politikë familjare” dhe të marrin përsipër përgjegjësinë që ta shndërrojnë shoqërinë», siç shkruan Shën Gjon Pali II në Nxitjen Apostolike “Familiaris consortio” (44). Për këtë qëllim, duhet të forcohet asociacionizmi familjar: «Familjet kanë të drejtën të formojnë shoqata me familje dhe institucione të tjera, për ta realizuar rolin e familjes në mënyrë të përshtatshme dhe efektive, si edhe për të mbrojtur të drejtat, për të nxitur të mirën dhe për të përfaqësuar interesat familjare. Në planin ekonomik, shoqëror, juridik e kulturor, duhet të njihet roli i ligjshëm i familjeve dhe i shoqatave familjare në hartimin dhe në zbatimin e programeve, që kanë lidhje me jetën e familjes», thuhet në Kartën e Selisë së Shenjtë për të Drejtat e Familjes.

Familja, jeta ekonomike dhe puna

Për ushtrimin e solidaritetit brenda dhe jashtë familjes, kanë rëndësi marrëdhëniet ndërmjet saj dhe jetës ekonomike. Në të vërtetë, nga njëra anë «eko-nomia» ka lindur nga puna shtëpiake: shtëpia ka qenë për një kohë të gjatë, ashtu si vazhdon të jetë në shumë vende, njësi e prodhimit dhe qendër e jetës. Dinamizmi i jetës ekonomike, nga ana tjetër, realizohet me nismën e personave dhe realizohet duke u nisur nga familja e duke u përhapur, sipas rrathëve bashkëqendrorë, në rrjete gjithnjë e më të gjera për prodhimin dhe shkëmbimin e të mirave materiale dhe të shërbimeve. Prandaj, familja duhet konsideruar, me plot të drejtë, si një protagoniste themelore e jetës ekonomike, e orientuar jo nga logjika e tregut, por nga ajo e bashkëndarjes dhe e solidaritetit mes brezave.

Një marrëdhënie krejtësisht e veçantë e lidh familjen me punën. Kjo marrëdhënie i ka rrënjët e veta në lidhjen ndërmjet njeriut e së drejtës së tij për të pasur frytin e punës së vet dhe i përket jo vetëm individit si i tillë, por edhe si anëtar i një familjeje, e kuptuar kjo si «shoqëri shtëpiake», siç e quante Papa Leoni XIII në enciklikën “Rerum Novarum”. Puna është thelbësore pasi përfaqëson kushtin, që e bën të mundshëm formimin e një familjeje, mjetet e jetesës së të cilës fitohen nëpërmjet punës. Puna kushtëzon edhe procesin e zhvillimit të anëtarëve të saj, pasi një familje e goditur nga papunësia rrezikon të mos i realizojë plotësisht qëllimet e veta.

Sigurimi i një pagese të mjaftueshme

Ndihmesa që familja mund t’i japë realitetit të punës është e çmuar dhe, në shumë drejtime, e pazëvendësueshme. Bëhet fjalë për një ndihmesë, që shprehet qoftë në terma ekonomikë, qoftë nëpërmjet solidaritetit, i cili përbën një mbështetje të rëndësishme për atë që, brenda saj, është pa punë, ose është në kërkim të saj. Sidomos, është ndihmesë që realizohet me edukimin për punë, përmes orientimeve e mbështetjeve para vendimeve për profesionin.

Për t’i mbrojtur marrëdhëniet ndërmjet familjes e punës, elementi kryesor është sigurimi i një pagese të mjaftueshme për të mbajtur e për ta bërë familjen të jetojë me dinjitet (Piu XI, enciklika “Quadragesimo anno”, 200). Rroga duhet t’i japë mundësinë familjes të kursejë, gjë që favorizon blerjen e një prone të caktuar, si garanci lirie: e drejta për pronësi është e lidhur ngushtë me ekzistencën e vetë familjeve, prandaj – na mëson Kisha - rrogës i duhet dhënë fuqi blerëse me anë të disa masave të rëndësishme shoqërore, si subvencionet familjare dhe kontributet e tjera për personat në ngarkim.

Në marrëdhëniet ndërmjet familjes dhe punës, një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar punës së gruas në familje, në të cilën përfshihet edhe përgjegjësia e burrit si bashkëshort dhe si babë. Kur gratë rrinë në shtëpi, puna e përkujdesjes, duke filluar nga ajo e nënës, pikërisht për faktin se i kushtohet shërbimit për cilësinë e jetës, përbën një lloj veprimtarie që duhet të njihet e të vlerësohet nga shoqëria, edhe nëpërmjet një shpërblimi ekonomik të paktën njëlloj me atë të punëve të tjera, siç kërkonte shën Gjon Pali II në Letrën drejtuar familjeve “Gratissimam sane” (17). Njëkohësisht, duhet të zhduken të gjitha pengesat, që nuk i mundësojnë bashkëshortët ta ushtrojnë lirisht përgjegjësinë e tyre për lindjen e fëmijëve.

Shoqëria në shërbim të familjes

Mënyra si sillet shoqëria ndaj punës së familjes është pikënisja për marrëdhënie të drejta e konstruktive me të. «Shoqëria nuk duhet t’i bëjë kurrë bisht detyrës së vet themelore për ta respektuar e për ta nxitur vetë familjen» (Gjon Pali II, Nxitja apostolike ‘Familiaris consortio’, 45). Shoqëria dhe, në veçanti, institucionet shtetërore, janë të thirrura të garantojnë dhe të favorizojnë natyrën e jetës familjare dhe të shmangin e të luftojnë gjithçka, që e tjetërson dhe e plagos atë. Kjo kërkon që veprimi politik dhe legjislativ t’i mbrojë vlerat e familjes, nga nxitja e intimitetit dhe e bashkëjetesës familjare, te respektimi i jetës që po lind, te liria e edukimit të fëmijëve.

Shoqëria dhe shteti nuk mund as ta përvetësojnë, as ta zëvendësojnë dhe as ta kufizojnë përmasën shoqërore të vetë familjes; përkundrazi, duhet ta nderojnë, ta pranojnë, ta respektojnë e ta nxisin sipas parimit të subsidiaritetit. Në këtë kuptim, është e nevojshme cilësia, thelbësore dhe e domosdoshme, e njohjes që bashkëmbart mbrojtjen, përforcimin dhe nxitjen e identitetit të familjes, shoqëri natyrore e bazuar në martesë. Kjo njohje vendos një linjë ndarëse të pastër mes familjes në kuptimin e mirëfilltë të saj dhe bashkëjetesave të tjera, që  për nga natyra e tyre  nuk mund të kenë as emrin dhe as statutin e familjes. Kjo perspektivë bën të mundur që të hartohen kritere normative të drejta për zgjidhjen e problemeve të ndryshme shoqërore, pasi njerëzit nuk duhet të konsiderohen vetëm individualisht, por edhe në marrëdhënie me bërthamat familjare ku përfshihen, vlerat specifike dhe nevojat e të cilave duhet të mbahen mirë parasysh.

02 tetor 2025, 09:21