Çelësi i fjalëve të Kishës: puna e njeriut, vlera e “Rerum Novarum”
R.SH. – Vatikan
Ndërsa përfunduam javën e kaluar reflektimin tonë mbi familjen, duke vijuar ciklin kushtuar doktrinës shoqërore të Kishës, fillojmë sot t’ju flasim për punën e njeriut dhe për rëndësinë, që i jep asaj krishtërimi. Kjo rëndësi fillon që me detyrën, që Hyji i besoi njeriut për ta punuar e për ta ruajtur tokën.
Detyra për ta punuar dhe për ta ruajtur tokën
Siç shkruhet në Besëlidhjen e Vjetër, çiftit të parë të njerëzve Hyji u beson detyrën për ta sunduar tokën dhe për të zotëruar mbi çdo qenie të gjallë (shih Zan 1, 28), por ky dominim nuk duhet të jetë despotik dhe i pamend. Përkundrazi, njeriu duhet “t’i kultivojë dhe t’i ruajë” (shih Zan 2,15) të mirat e krijuara nga Hyji, që i ka marrë dhuratë prej Tij. Pikërisht kjo detyrë s’është tjetër, veçse puna, e cila i paraprin rënies së njeriut nga Kopshti i Edenit, prandaj, nuk është as dënim e as mallkim. Ajo kthehet në mund dhe lodhje, për shkak të mëkatit të Adamit dhe të Evës, nga tundimi: “do të bëheni porsi Hyji” (Zan 3, 5). Ata deshën t’i zotëronin në mënyrë absolute të gjitha gjërat, pa iu nënshtruar vullnesës së Krijuesit. Qysh atëherë, toka u bë koprrace, mosmirënjohëse, armike (krh. Zan 4, 12); vetëm me djersën e ballit njeriu do të ketë mundësi të marrë prodhim nga toka (krh. Zan 3, 17.19).
Por, plani fillestar i Hyjit për krijesat e veta mbetet po ai: njeriu është i thirrur për të punuar dhe për ta ruajtur krijimin. Për këtë arsye, puna duhet të nderohet dhe bëhet burim për t’i siguruar njeriut kushtet e jetesës. Megjithatë, na mëson Kisha, puna nuk duhet kthyer në kult, pasi është Hyji dhe jo puna, burimi i jetës dhe qëllimi i njeriut. Kulmi i mësimit biblik për punën është urdhri për pushimin e së shtunës, që përveçse mundëson pjesëmarrjen në kultin e Hyjit, mbron njeriun nga skllavërimi. Ky pushim, që mund të zgjasë edhe një vit, mbart edhe kujdesin për të varfrin. Vërtet, Zoti urdhëron: “Gjashtë vjet mbille tokën tënde e mblidhi frytet, kurse të shtatin vit lëre djerr të pushojë që ta shfrytëzojnë të varfrit e popullit tënd dhe çfarë të teprojë le ta hanë kafshët e egra. Po kështu vepro edhe me vreshtin e ullishtën tënde” (Dal 23, 10-11). Ky zakon i përgjigjet një intuite të thellë: grumbullimi i të mirave nga disa njerëz mund të bëhet përvetësim dhe grabitje e të mirave të të tjerëve.
Jezusi njeri i punës
Punës i kushtohet rëndësi edhe në Besëlidhjen e Re. Në predikimin e Vet Jezusi na mëson ta vlerësojmë punën e ai vetë punoi si zdrukthëtar në punishten e Jozefit (shih Mt 13, 55; Mk 6, 3). Jezusi dënon sjelljen e shërbëtorit dembel, që fsheh nën tokë talentin (shih Mt 25, 14-30) dhe lavdëron shërbëtorin besnik dhe të kujdesshëm, që zotëria e gjen të përqendruar në detyrat e besuara (shih Mt 24, 46). Ai i përshkruan dishepujt si punëtorë në vreshtin e Zotit e nënvizon se “punëtori ka tagër në rrogën e vet” (Lk 10, 7); ata janë të autorizuar të flenë në shtëpinë ku i presin, të hanë dhe të pinë atë që të tjerët u vënë përpara.
Gjithashtu, Jezu Krishti vë theksin të mos punohet për thesaret e kësaj bote, pra, të mos e lëmë punën të na skllavërojë edhe shpirtin. E shtuna, jo si ditë e përcaktuar thjesht për pushim, por si ditë kushtuar Hyjit, u konfirmua prej Tij si ditë lirimi nga e keqja, ditë vëllazërimi e bashkëndarjeje, duke i kthyer punës domethënien e vet më të fisme, atë që i mundëson njerëzimit të ecë drejt së Shtunës së amshuar. Kush duron lodhjen e mundimshme të punës në bashkim me Jezusin, në njëfarë kuptimi, bashkëpunon me Birin e Hyjit në veprën e Tij shëlbuese dhe tregohet nxënës i Krishtit duke mbartur Kryqin, çdo ditë, në veprimtarinë që është thirrur të bëjë. Në këtë perspektivë, puna mund të konsiderohet si mjet shenjtërimi.
Vlera profetike e enciklikës “Rerum Novarum”
Rrjedha e historisë është shënuar nga shndërrime të thella dhe nga fitore të rëndësishme të punës, por edhe nga shfrytëzimi i shumë punëtorëve dhe nga fyerja e dinjitetit të tyre. Revolucioni industrial që një sfidë e madhe për Kishën e magjisteri papnor nuk mungoi t’i përgjigjet. Brenda këtij horizonti historik hyjnë reflektimet dhe mësimet e enciklikës “Rerum novarum” të Papës Leoni XIII.
Enciklika është mbrojtje e zjarrtë e dinjitetit të patjetërsueshëm të punëtorëve, me të cilin lidh rëndësinë e së drejtës për pronë, parimin e bashkëpunimit mes klasave, të drejtat e të varfërve, detyrimet e punëtorëve dhe të punëdhënësve, të drejtën për t’u organizuar. Orientimet e shprehura në enciklikë synojnë gjallërimin e jetës shoqërore përmes ideve të krishtera, gjë që çoi në lindjen dhe në konsolidimin e nismave të shumta me profil të lartë civil: bashkime dhe qendra studimi shoqërore, shoqata, shoqëri punëtore, sindikata, kooperativa, banka rurale, sigurime, vepra shërbimi, duke i dhënë një shtysë të fuqishme legjislacionit të punës për mbrojtjen e punëtorëve, sidomos të fëmijëve dhe të grave; arsimimit dhe përmirësimit të pagave e të higjienës.
Më pas, dokumente të tjera të Kishës, sidomos enciklika “Laborem exercens” e Papës shenjt Gjon Pali II pasuron vizionin personalist të punës, duke treguar nevojën e thellimit të kuptimit e të detyrave, që mbart puna, pasi “dalin gjithnjë pikëpyetje dhe probleme të reja, lindin gjithnjë shpresa të reja, por edhe frika e kërcënime lidhur me këtë përmasë themelore të jetës njerëzore, me të cilën është e mbushur jeta e përditshme e njeriut, nga e cila ajo merr dinjitetin e vet të veçantë” (Laborem exercens, 1). Puna, në fakt, “çelës thelbësor” për të kuptuar krejt çështjen shoqërore, kushtëzon zhvillimin jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e moral të njerëzve, të familjeve, të shoqërisë dhe të krejt gjinisë njerëzore.