COMECE: solidaritet me Gazën, Ukrainën dhe Sudanin

Në notën përfundimtare të asamblesë plenare vjeshtore të ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (COMECE), që u mbajt në Bruksel nga 1 deri më 3 tetor, kryetari i organizmit, imzot Mariano Crociata, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të angazhohet me të gjitha mjetet për një zgjidhje të shpejtë në Gazë, me lirimin e të gjitha pengjeve, mundësinë që të gjithë të marrin ndihmën e nevojshme humanitare, si edhe arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme

R.SH. – Vatikan

Situata dramatike në Rripin e Gazës, në Ukrainë, Sudan dhe në rajone të tjera të prekura nga lufta, në qendër të notës përfundimtare të asamblesë plenare vjeshtore të ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (COMECE), që u mbajt në Bruksel nga 1 deri më 3 tetor.

E nënshkruar nga kryetari i COMECE-së, imzot Mariano Crociata, në të nënvizohet shqetësimi i ipeshkvijve evropianë për vuajtjet e popujve në luftë. “Dëgjuam dëshminë e sivëllezërve tanë, vëzhgues të përhershëm ukrainas dhe po ndjekim me shqetësim dhe pikëllim situatën në Rripin e Gazës. Vuajtjet e popullit palestinez na thyejnë zemrat. Pamjet, që na mbërrijnë, me viktima civile, fëmijë të uritur, familje të detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre dhe qytete të shkatërruara, na lëndojnë dhe e trondisin ndjenjën e humanizmit tonë”.

Thirrja e COMECE-së

Më pas thirrja e COMECE-së: “Bashkohemi me thirrjet e shumta të Papës Leoni XIV dhe i bëjmë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Evropian, që të angazhohet me të gjitha mjetet për një zgjidhje të shpejtë, e cila duhet të përfshijë lirimin e të gjitha pengjeve, mundësinë që të gjithë të marrin ndihmën e nevojshme humanitare, si edhe arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Së fundi, të gjitha Kishat e Evropës zotohen të luten për paqen, të shprehin vazhdimisht afërsinë dhe solidaritetin me popullsitë që vuajnë, veçanërisht me ato të Gazës e Tokës së Shenjtë, me ato të Ukrainës e Sudanit.

Imzot Crociata: Evropa të kultivojë paqen

Në hapje të asamblesë, imzot Mariano Crociata, kryetar i Komisionit të Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkimit Evropian (COMECE), përshkroi një Evropë "të lodhur", "të pamjaftueshme", e cila duket se po përjeton një "proces të rrezikshëm shpërbërjeje". Në fjalimin e tij, ai theksoi vlerën e pjesëmarrjes aktive në jetën e kontinentit, duke rizbuluar e përforcuar mendësinë dhe idetë, që çuan në formimin e Bashkimit Evropian. Është "hapi i parë" që duhet ndërmarrë, kontributi kryesor që të krishterët mund të japin sot në Kontinentin e Vjetër, ku parimet origjinale "tani duken pashmangshmërisht" të lëna në të kaluarën.

"Ndjenja e nevojës për të kultivuar paqen, për të mbikëqyrur shkaqet që mund të çojnë në kthimin e luftës, është zbehur", deklaroi haptazi imzot Crociata, duke folur për krizën aktuale. Ai kritikoi prirjen për të zhdukur kujtesën historike, si edhe mungesën e një vizioni të përbashkët mbi rreziqet e mbi masat që duhen marrë për t’i kapërcyer, gjë që sjell plane si “Rearm Europe” (Riarmatosja e Evropës), duke investuar në armë atë, që mund të shërbejë më mirë për diçka tjetër. Që këtej, thirrja drejtuar të krishterëve që të ndikojnë në proceset e edukimit e të formacionit, na planet kulturore, në debatin publik, me opinione dhe vizone, që frymëzohen nga e mira e përbashkët evropiane.

03 tetor 2025, 15:10