Kardinali Pizzaballa: marrëveshja për Gazën është një hap i parë drejt paqes
R.SH. – Vatikan
"Më në fund një lajm i mirë pas dy vitesh mundimi për të gjithë, është një lehtësim dhe jemi të gjithë shumë të lumtur". Patriarku latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, shpreh për mediat e Vatikanit gjithë mbështetjen e tij për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza të arritur mes Hamasit dhe Izraelit, megjithëse nuk fsheh se "do të ketë shumë pengesa dhe nuk do të jetë e thjeshtë".
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza të arritur mes Hamasit dhe Izraelit “padyshim është një lajm i mirë. Rruga drejt paqes është e gjatë, por duhet filluar disi. Këto gjeste, sidomos lirimi i pengjeve dhe i të burgosurve, tërheqja e pjesshme, të paktën fillestare, e ushtrisë izraelite, japin atë besim të nevojshëm për të vazhduar”.Megjithatë, thekson ai, bëhet fjalë për "një hap të parë të nevojshëm që sjell një atmosferë besimi e gjithashtu edhe një buzëqeshje në shumë familje, si në Izrael ashtu edhe në Palestinë, sidomos në Gaza".
Patriarkana Jeruzalemit në mbështetje të rindërtimit
Tani gjithçka varet nga vullneti i palëve në fushë, nga menaxhimi i pas-luftës, nga kush do të menaxhojë. "Kjo – shpjegon kardinali Pizzaballa – do të jetë një temë ku ndoshta do të ketë pak vështirësi, por nëse është kapërcyer gjithë pjesa tjetër, do të kapërcehen edhe ato". Edhe pse në këtë moment nuk është e mundur të flitet për paqe në të gjitha aspektet, dhe duke marrë parasysh pengesat që mund të lindin, prandaj tani duhet punuar "për fundin e armiqësive ushtarake dhe të fillohet të hartohet një perspektivë jo vetëm për Gazën, por për të gjithë popullsinë palestineze". Puna që duhet bërë është ende shumë, nuk e fsheh patriarku i Jeruzalemit, i cili megjithatë nuk mungon të shprehë gjithë besimin e tij: "Nuk dua të jem pesimist, jemi të kënaqur me atë që është arritur". Patriarkana e Jeruzalemit, siguron ai, do të vazhdojë të punojë siç ka bërë gjithmonë, në "mbështetjen e komunitetit tonë, duke ndihmuar dhe lehtësuar gjithçka që mund të sjellë një qetësi më të madhe për popullsinë e Gazës, palestinezët dhe izraelitët, gjithashtu, dhe mbi të gjitha, në përpjekjen për të ndihmuar në rindërtimin jo vetëm të infrastrukturës, por edhe të shkatërrimit njerëzor që ka krijuar kjo luftë".
Ndihmë e menjëhershme humanitare
Kardinali Pizzaballa, në një deklaratë të lëshuar dje, kishte shprehur gëzimin që të gjithë ishin përballë "diçkaje të re dhe të ndryshme", një "atmosfere të re për vazhdimin e negociatave", duke theksuar megjithatë se "jeta brenda Gazës do të mbetet e tmerrshme për një kohë të gjatë". Ky hap i parë është pra "fillimi i një faze të re" që mund të çojë në të menduar "jo më për luftën, por si të rindërtojmë pas luftës". Në tekstin e Patriarkatit të Jeruzalemit lexohet shpresa që marrëveshja "të zbatohet plotësisht e me besnikëri" dhe theksohet urgjenca "e një ndihme të menjëhershme humanitare dhe e hyrjes së pakushtëzuar të ndihmave të mjaftueshme për popullsinë e vuajtur të Gazës". Mbi të gjitha, theksohet nevoja që marrëveshja e arritur "të hapë një rrugë shërimi dhe pajtimi si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët". Duke shprehur vlerësim për "përpjekjet e palodhshme" të atyre që bënë të mundur arritjen e marrëveshjes, Patriarkati i Jeruzalemit fton të gjithë "të bashkohen në Ditën e Lutjes për Paqe të shpallur nga Papa Leoni XIV më 11 tetor".