Liban, vikari latin i Bejrutit: Leoni XIV do të sjellë shpresë për gjithë rajonin
R.SH. – Vatikan
Libanezët e prisnin, por njoftimi zyrtar i Selisë së Shenjtë, të martën, më 7 tetor, për udhëtimin e Papës Leoni XIV në Liban, nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor, shkaktoi gjithsesi një gëzim të jashtëzakonshëm në vend. Ashtu si shumë nga paraardhësit e tij, Ati i Shenjtë do të prekë tokën e këtij vendi - që gjithmonë ka mishëruar mesazhin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve - gjysmë shekulli pas shpërthimit të luftës civile, ndërsa vuan nga tensionet rajonale, veçanërisht në kufirin jugor, ku vazhdojnë problemet me Izraelin.
"Gjatë kësaj periudhe, në këtë situatë tejet të paqëndrueshme me të cilën përballet rajoni, vizita e Papës Leoni XIV është shenjë shprese të madhe gjatë Jubileut", pohon për mediat e Vatikanit, vikari apostolik i katolikëve të ritit latin në Bejrut, imzot Cesar Essayan. "Një shpresë, që po e jetojmë për Libanin dhe, besoj, për gjithë rajonin. Papa Leoni XIV e ka deklaruar edhe më parë nevojën për një 'kohë paqeje', prandaj, shpresojmë vërtet që vizita e tij të sjellë një puhizë paqeje dhe të jetë çast ripërtëritjeje për ne të gjithë. Të na ndihmojë të kuptojmë se nuk ka rrugë tjetër për njerëzimin, përveç asaj të paqes përmes dialogut, drejtësisë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu".
Si po përgatiten katolikët dhe libanezët në përgjithësi për këtë vizitë?
Po flitej prej kohësh për këtë, në prapaskenë, por edhe në rrjetet sociale e në mass media. Ka shumë komitete që po përgatiten. Të rinjtë, në veçanti, kanë shpresa të mëdha. Shtatëqind vajza e djem libanezë morën pjesë në Jubileun e Rinisë (korrikun dhe gushtin e kaluar në Romë). I kanë përveshur me të vërtetë mëngët që të përgatiten për takimin, që pritet ta kenë me të. Ka një dëshirë të madhe për takim nga ana e të krishterëve dhe myslimanëve, një dëshirë për ta dëgjuar të thotë fjalë që nuk dëgjohen më diku tjetër, ato të një figure që është ajo e një bariu, e një ati, i cili dëshiron që qeniet njerëzore ta shohin njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra, pra, që të ketë një gjuhë tjetër përtej asaj të luftës.
Çfarë domethënie ka vizita e Papës për vendin tuaj, ku ekziston problemi i unitetit kombëtar dhe ku lufta është gjithmonë në prag të derës?
Shpresojmë që Papa të konfirmojë atë që paraardhësit e tij kanë bërë për Libanin dhe, edhe një herë, ta paraqesë vendin si model për botën, Lindjen e Mesme dhe vendet fqinje. Papa Françesku, edhe pse nuk erdhi, nuk hezitoi ta rikthente Libanin në skenën ndërkombëtare. Ishte sikur dikush të thoshte: "Nuk preket". Domethënë, nuk preket Libani, nuk preket kjo shoqëri e bashkëjetesës paqësore. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se Papa Leoni XIV do të vijë me të njëjtin synim për ta ringjallur këtë flakë bashkimi dhe uniteti ndërmjet nesh. Është në lojë mbijetesa jo vetëm e Libanit, por e gjithë Lindjes së Mesme dhe e gjithë rajonit. Për ne, kjo është vërtet themelore.