2025.10.10 Padre Francesco Ielpo (Foto: Custodia di Terra Santa)

Toka Shenjte, atë Ielpo: "Mos na braktisni, tani është koha për të rindërtuar"

Rojtari françeskan i Tokës Shenjte flet për marrëveshjen ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, e cila hap shpresa të reja: nga Vendet e Shenjta, do të bashkohemi në lutje me Papën, në Rruzaren për Paqe, më 11 tetor

R.SH. – Vatikan

"Të vazhdojmë të lutemi për zgjidhje gjithnjë e më diplomatike dhe politike, që sjellin vërtet pajtim. Mos na braktisni, sepse pikërisht tani është koha më e vështirë për të rindërtuar, për të filluar të shërojmë zemrat, për t’i pajtuar zemrat dhe për të filluar punën në mënyrë që të kemi vërtet një mundësi të re për bashkëjetesë". Kjo është thirrja, që bën në mediat e Vatikanit, Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Ielpo, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Izraelit dhe Hamasit e pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza.

Shpresat e popullsisë vendase

Ky hap "ringjall shpresën", megjithëse e dimë se "duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm", pohon françeskani. Shpresa për banorët e Gazës është "që konflikti të përfundojë, të ketë armëpushim të qëndrueshëm, i cili të krijojë mundësinë e lirimit të pengjeve, por edhe të ndërhyrjeve humanitare në Rripin e Gazës", pohon ai. Shpresa, megjithatë, për pjesën tjetër të popullsisë është që "të kthehemi vërtet në një klimë jo më tensioni, por të ketë mundësinë të rifillojë punën", vëren atë Ielpo. "Mendoj veçanërisht për Bregun Perëndimor: të kthehen shtegtarët", "për t’i dhënë sërish jetë një ekonomie lokale, e cila është themelore për praninë e të krishterëve, por jo vetëm kjo".

Vendet e Shenjta "të shkreta"

Ndërkohë, pas dy vitesh lufte, "Vendet e Shenjta janë shkretuar trishtueshëm, pavarësisht se të gjallëruara nga fretërit françeskanë. "Puna e Rojtarisë", shpjegon atë Ielpo, "vazhdon t'i mbajë ato gjallë përmes pranisë, lutjeve, liturgjive tona dhe mikpritjes së atyre pak grupeve që vazhdojnë të vijnë”. Pra, nga njëra anë, "trishtimi kur i shohim këto vende të zbrazëta, të shkreta, por, njëkohësisht, edhe besnikëria ndaj misionit të parë që na është besuar: mbrojtja e këtyre vendeve dhe lutja nga këto vende për gjithë njerëzimin".

Të bashkuar me Papën në lutjen e Rruzares

Bashkësitë e Rojtarisë së Tokës Shenjte, jo vetëm në Izrael dhe Palestinë, por edhe në Jordani, Liban e Siri, janë ftuar nga atë Ielpo që "veçanërisht gjatë muajit tetor, të thonë çdo ditë rruzaren" për paqe. Kjo lutje do të intensifikohet nesër, më 11 tetor, ditë në të cilën Papa Leoni XIV u kërkon të gjithëve të bashkohen në lutje për paqe, në orën 18. Vetë Ati i Shenjtë do ta thotë Rruzaren nga Sheshi i Shën Pjetrit. "Ne e kemi pranuar me shumë dëshirë ftesën" e Atit të Shenjtë dhe "do ta bëjmë këtë nga Vendet e Shenjta. Unë besoj se ky është pikërisht misioni ynë", përfundon atë Ielpo.

10 tetor 2025, 17:21