Kisha e Lindjes së Krishtit në Betlehem (Reuters) Kisha e Lindjes së Krishtit në Betlehem (Reuters)

Toka Shenjte, Atë Ielpo: ringjallja e shpresës për bashkësinë e krishterë dhe vullnetarët tanë

Në Universitetin Papnor Antonianum, në Romë, Dita e 18-të e Shoqatave të Tokës së Shenjtë. Kujdestarët: "Takimi së bashku është domosdoshmëri, veçanërisht në këtë kohë kur vullnetarët tanë kanë pasur vështirësi të mëdha për t'u kthyer dhe për të vazhduar punën e tyre".

R.SH. / Vatikan

"Jemi gjithnjë shtegtarë, pa qenë të tillë fizikisht. Edhe kështu jemi këtu pikërisht për të ndihmuar njëri-tjetrin për t’u rikthyer në rrugën, që është kryesisht udhëtim i brendshëm". Kujdestari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Ielpo, e përshkruan kështu kuptimin e Ditës së 18-të të Shoqatave të Tokës së Shenjtë, organizuar nga Fondacioni Terra Santa në Universitetin Papnor Antonianum të Romës. Ngjarja, që u zhvillua dje, e shtunë, 18 tetor, bashkon disa organizata të përfshira në kapacitete të ndryshme, në tokën e Jezusit, që reflektojnë mbi temën "Shtegtarët e shpresës në Tokën e Shenjtë".

Angazhim i përbashkët

Të takohemi një herë në vit "për të diskutuar përvoja të ndryshme të vullnetarizmit, të shërbimit ndaj Ruajtjes së Tokës së Shenjtë dhe të gjithë Kishës së Tokës së Shenjtë". Është "domosdoshmëri", pohon Atë Ielpo, "e edhe çast që rigjallëron angazhimin e shpresën, veçanërisht në këtë kohë kur vullnetarët tanë kanë pasur vështirësi më të mëdha edhe për t'u kthyer e për të vazhduar punën e tyre".

Tema e Ditës është një referencë e qartë për Jubileun, përjetuar në Tokën e Shenjtë" në një mënyrë të veçantë, sepse është Jubile pa shtegtarë". "Mungesa e shtegtarëve", vëren Atë Ielpo, "krijon gjithashtu klimë trishtimi: është vërtet tronditëse t’i shohësh Vendet e Shenjta të shkreta. E kështu bëhet edhe më e rëndësishme të ndalemi tek tema e shpresës, përmes pranisë sonë e bashkësisë së krishterë vendase si dhe përmes afërsisë sonë me vullnetarët, që janë gati të nisen - të kthehen nga rruga - e të nisen përsëri".

Kthimi në zanafillë

Viti 2025 shënon përfundimin e tetëqindvjetorit të Këngës së Krijesave dhe fillimin e 800-vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Këto janë ngjarje veçanërisht të rëndësishme, siç shpjegon Atë Ielpo Rojtar i Tokës së Shenjtë: "Jemi këtu, sepse shën Françesku i Asizit e pati këtë intuitë më shumë se para 800 vjetësh, për të dërguar fretërit e parë dhe më pas për të udhëtuar personalisht si shtegtarë në Tokën Shenjte. Kremtimi i këtyre përvjetorëve është një mundësi për ne që të kthehemi në origjinë, në intuitën e themeluesit tonë, që të riafirmojmë dashurinë tonë për ato vende, të cilat nënkuptojnë dashurinë për mishërimin e Krishtit, për ato vende gjeografike ku Ai u mishërua, jetoi, vuajti, duroi, vdiq dhe u ringjall. Pasioni ynë për ato vende, është pasion për njerëzit që banojnë ndër to".

Mbështetje për Gazën

Ndërmjet organizatave të pranishme në Romë ishte edhe Shoqata Për Tokën Shenjte, një Ojq e lidhur me punën e Etërve françeskanë e edhe më gjerë. "Ne e kemi ndihmuar Gazën që nga viti 2009" - shpjegon Andrea Avveduto, menaxher i komunikimit për Pro Terra Sancta, "dhe që nga 7 tetori 2023, kemi ndërhyrë në mënyrë më efektive për t'i ofruar ndihmë popullit të Gazës. Nuk ishte detyrë e lehtë. Natyrisht, na u desh të mbështetemi te Caritasi, në bashkëpunim me Patriarkatin Latin të Jeruzalemit". Kjo punë ndonjëherë u bë e mundur vetëm me ndërprerje, dhe Pro Terra Sancta gjithashtu bashkëpunoi me OJQ-të lokale në fushën e arsimit. "Ky është viti i tretë që fëmijët në Gaza kanë qenë jashtë shkollës" - thotë Avveduto - kështuqë ndërhyrja në këto dy vjet ka qenë themelore për t'i ndihmuar ata të mësojnë për të lexuar dhe për të shkruar. Fëmijët që janë jashtë shkollës për tre vjet do të bëhen punëtorët e terrorizmit të ardhshëm. Pra, është themelore të ndërhyhet edhe në këtë drejtim".

Për këtë arsye, pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit të Izraelit me Hamasin, qëllimi i OJQ-së është të vazhdojë në këtë drejtim: "Nga njëra anë, ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë popullsinë që vuan nga uria, pa ilaçe dhe pa sigurimin e nevojave themelore,  nga ana tjetër,  duhet të investojmë edhe më shumë në arsimimin e të krishterëve të Gazës".

Investimi në Bregun Perëndimor

Pro Terra Sancta vepron edhe në Bregun Perëndimor, veçanërisht në Betlehem. "Jemi thellësisht të shqetësuar," rrëfen Avveduto, "sepse e konsiderojmë Bregun Perëndimor teatër të mundshëm lufte në të ardhmen. Prandaj, investimi në Bregun Perëndimor është themelor sot. Edhe atje përballemi me shumë kufizime: janë ngritur 900 pika kontrolli. Ndërtimi i vendbanimeve natyrisht na shqetëson, por ne duhet të vazhdojmë të investojmë, në mënyrë që komunitetet të mos largohen nga Toka e Shenjtë, të mos largohet nga Betlehemi një qytet me 60,000 banorë, ku kohët e fundit ka nisur të përhapet uria".

Zbulimi i hidhur i OJQ-së është se shumë nuk e ndiejnë më se kanë garanci për një të ardhme, sepse nuk ndihen më të sigurt. "Pra - përfundon drejtuesi i bashkësisë - ‘Për Tokën Shenjte’ investojmë në formim profesional dhe në edukim, duke u kujdesur edhe për shkollat e rojtarisë të Tokës Shenjte. Investojmë edhe në emergjencën e akullit e të rindërtimit si dhe në rindërtimin e shtëpive, në kushte shumë të domosdoshme, që njerëzit të mund të mbeten aty!”.

19 tetor 2025, 16:43