2024.09.20 lavoratori in ufficio

Çelësi i fjalëve të Kishës: të drejtat e punëtorëve

Magjisteri shoqëror i Kishës mbron të drejtën për një pagë të drejtë; të drejtën për pushim; të drejtën për ambiente pune dhe për procese prodhuese, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe moralin e punëtorëve; të drejtën që të mbrohet ndërgjegjja e dinjiteti i tyre; të drejtën për subvencione për të papunët e familjet e tyre; të drejtën për pension, për sigurimin e pagesës gjatë sëmundjeve dhe aksidenteve në punë; të drejtën për masa në favor të amësisë; të drejtën për t’u mbledhur dhe për t’u organizuar

R.SH. - Vatikan

Në vazhdim të ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, vijojmë t’ju flasim për punën. Sot, do të shohim, në veçanti, të drejtat e punëtorëve, të cilat, ashtu si të gjitha të drejtat e tjera, bazohen në natyrën e njeriut dhe në dinjitetin e tij transhendental. Magjisteri shoqëror i Kishës i ka nxjerrë në pah disa prej tyre, duke ia sugjeruar edhe sistemit juridik për t’i njohur: të drejtën për një pagë të drejtë; të drejtën për pushim; të drejtën “për ambiente pune dhe për procese prodhuese, që nuk dëmtojnë shëndetin fizik të punëtorëve dhe që nuk cënojnë integritetin e tyre moral”; të drejtën që të mbrohet personaliteti i tyre në vendin e punës, “pa u dhunuar në asnjë mënyrë ndërgjegjja apo dinjiteti i tyre”; të drejtën për subvencione të arsyeshme, të domosdoshme për jetesën e të papunëve dhe të familjeve të tyre; të drejtën për pension, si edhe për sigurimin e pleqërisë, kujdesin gjatë sëmundjeve dhe në rastin e aksidenteve në punë; të drejtën për masa shoqërore që kanë lidhje me amësinë; të drejtën për t’u mbledhur dhe për t’u organizuar. Këto të drejta – të renditura në enciklikën “Laborem exercens” nga Papa shenjt Gjon Pali II - shpesh shkelen, siç pohojnë dukuritë e trishtueshme të punës së nënpaguar, pa mbrojtje ligjore apo që nuk përfaqësohet si duhet aty ku merren vendimet. Ndodh shpesh që kushtet e punës së burrave, të grave dhe të fëmijëve, sidomos në vendet në zhvillim, janë kaq çnjerëzore sa cënojnë dinjitetin dhe dëmtojnë shëndetin e tyre.

Dinjiteti për një pagë të drejtë dhe shpërndarja e të ardhurave

Paga është mjeti më i rëndësishëm për të realizuar drejtësinë në marrëdhëniet e punës. “Paga e drejtë është fryti i ligjshëm i punës”, thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike. Bën padrejtësi të madhe ai, që nuk pranon ta japë apo që nuk e jep atë në kohën e duhur dhe në përpjestim të drejtë me punën e bërë (shih Lev 19, 13; Lp 24, 14-15; Jak 5,4). Pagesa është mjeti, që i mundëson punëtorit përdorimin e të mirave të tokës: “puna shpërblehet në atë masë sa t’i garantojë njeriut mundësinë për një jetesë të denjë materiale, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore për veten dhe për të tjerët, sipas detyrave dhe rendimentit të secilit, me kushtet e ndërmarrjes dhe për të mirën e përbashkët” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. bar. Gaudium et spes, 67). Marrëveshja e thjeshtë mes punëtorëve dhe punëdhënësit rreth vlerës së pagës nuk mjafton për ta cilësuar si “të drejtë” pagën e miratuar, pasi ajo nuk duhet të jetë më e vogël se shuma, që i duhet punëtorit për t’u mbajtur e për t’u ushqyer: drejtësia natyrore ka përparësi dhe qëndron më lart se liria e kontratës.

Mirëqenia ekonomike e një vendi nuk matet ekskluzivisht me cilësinë e të mirave materiale, por edhe duke pasur parasysh mënyrën me të cilën ato prodhohen dhe me shkallën e barazisë së shpërndarjes së të ardhurave, që duhet t’u mundësojë të gjithëve atë që u nevojitet për zhvillimin dhe përsosjen e vetvetes. Një shpërndarje e barabartë e të ardhurave bëhet në bazë të kritereve jo vetëm të drejtësisë së ndërsjellë, por edhe të drejtësisë shoqërore, duke vlerësuar me këtë, përveç vlerës objektive të punës, dinjitetin njerëzor të subjekteve që e përbëjnë. Mirëqenia ekonomike arrihet edhe nëpërmjet politikave të përshtatshme shoqërore të rishpërndarjes së të ardhurave që, duke pasur parasysh kushtet e përgjithshme, i vlerësojnë si duhet meritat dhe nevojat e çdo shtetasi.

E drejta për grevë

Doktrina shoqërore e Kishës njeh ligjshmërinë e grevës “kur ajo bëhet mjeti i pashmangshëm, apo të paktën i nevojshëm, për arritjen e një përfitimi të arsyeshëm”, pasi kanë rezultuar të paefektshme të gjitha mënyrat e tjera të kapërcimit të konflikteve, siç nënvizon Katekizmi i Kishës Katolike. Greva, njëra prej fitoreve më të mundimshme të sindikatave, mund të përkufizohet si mospranimi kolektiv dhe i organizuar, nga ana e punëtorëve, për të mos punuar, me qëllim që të kenë, përmes presionit të ushtruar mbi punëdhënësit, shtetin dhe opinionin publik, kushte më të mira pune dhe jetese. Edhe greva, edhe pse përvijohet “si… një lloj ultimatumi” (Gjon Pali II, enc. Laborem exercens, 20), duhet të jetë gjithmonë një metodë paqësore për kërkimin e të drejtave; ajo bëhet moralisht e papranueshme atëherë kur shoqërohet me dhunë, ose i vë vetes objektiva, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me kushtet e punës e janë në kundërshtim me të mirën e përbashkët. E, kur flasim për grevën nuk mund të mos flasim për sindikatat, të cilave do t’u kushtojmë emisionin e ardhshëm. Na ndiqni gjithnjë të enjten!

06 nëntor 2025, 09:37