BRAZIL-CLIMATE-COP30-UN

Cop30: Në Belém për t'i dhënë shpirt bisedimeve

Prania e përfaqësuesve të Kishës, OJQ-ve katolike dhe nismave me lëvizjet bazë për t'i dhënë vlerë të shtuar punimeve të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, e cila u hap sot në Brazil

R.SH. - Vatikan

"Nëse doni të kultivoni paqen, kujdesuni për Krijimin. Ekziston një lidhje e qartë midis ndërtimit të paqes dhe ruajtjes së Krijimit". Pas këtyre fjalëve të forta të Papa Leonit XIV në mesazhin e tij drejtuar liderëve botërorë që marrin pjesë në Samitin e Klimës në Belém, Brazil, këtë të hënë, në kryeqytetin botëror të Klimës, fillon sesioni i 30-të i Konferencës së Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP30).

"Nëse nga njëra anë, në këto kohë të vështira, vëmendja dhe shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar duket se përqendrohet kryesisht në konfliktet midis kombeve", tha Ati i Shenjtë Leoni XIV në mesazhin e tij, "nga ana tjetër rritet edhe ndërgjegjësimi se paqja kërcënohet edhe nga mosrespektimi i Krijimit, nga plaçkitja e burimeve natyrore dhe nga rënia progresive e cilësisë së jetës për shkak të ndryshimeve klimatike".

Në ditët në vijim, deri më 21 nëntor, sytë e botës do të jenë drejtuar nga diskutimet e shumta, asambletë plenare dhe debatet se si të ndryshohet drejtimi përballë krizës mjedisore që kërcënon planetin. Sfidat, të cilat pas 10 vitesh nga Marrëveshja e Parisit, siç tha Kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit në fjalimin e tij para të pranishmëve në Samitin e Klimës, janë më të rëndësishme sot sesa ishin dhjetë vjet më parë, dhe arritja e objektivave të saj duket ende larg. Për këtë arsye "nuk mund t'i lejojmë vetes luksin e një dekade tjetër me mundësi të humbura. Duhet të pyesim veten se çfarë mungon". Delegacione nga mbi 150 vende, përfshirë atë të Selisë së Shenjtë, në COP30 në Belém, Brazil,do të diskutojnë veprimet që duhen ndërmarrë për të trajtuar krizën klimatike.

10 nëntor 2025, 18:47